E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas bisedimeve njohja e Kosovës më pak problematike

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier ka thënë se pas bisedimeve Beograd-Prishtinë rreth çështjeve teknike, problemi i njohjes së pavarësisë së Kosovës “do të jetë gjithnjë e më pak problematik”.
Në një intervistë për gazetën serbe Politika, Zannier ka thënë se “është me rëndësi se këtij problemi t’i qaset në atë mënyrë që mos të ketë ndikime negative në rajon dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar, si dhe ndërmjet Serbisë dhe vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, transmetoi Koha.

Ai ka vlerësuar se “çështja e veriut të Kosovës është shumë e vështirë, pasi Prishtina mendon se ajo është çështje interne, dhe nuk është e gatshme që si të tillë ta qet në rend dite të dialogut”.

“Kjo është edhe një çështje, e cila vetëm me qasje pragmatike mund të ketë sukses. Ekzistojnë shumë ‘çështje teknike’ të hapura lidhur me veriun. Fillimisht duhet të nisë me këto çështje, dhe pastaj të vlerësohet sesa përparime në këtë fushë mund të kontribuojë në zgjidhjen e çështjeve të shumta dhe të mëdha politike”, ka thënë Zannier.

Ai ka theksuar se “UNMIK-u bashkëpunon ngushtë me BE-në në përgatitjen e dialogut Beograd-Prishtinë”.
“Ne jemi të kyçur në shqyrtimet rreth formatit të mbledhjeve, por mbesim të gatshëm që të marrim pjesë, në bazë të marrëveshjes së arritur të dy palëve, edhe si ndërmjetësues. Nga ana jonë, UNMIK-u ia ka bërë të qartë BE-së se misioni është në dispozicion që të marrë pjesë”, shefi i UNMIK-ut.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›