E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas borës problem ngricat, vështirësi në disa akse rrugore

Dëbora dhe ngricat vijojnë të krijojnë probleme, ndërsa disa zona të vendit rezultojnë të bllokuara. Dëbora dhe ngricat po krijojnë vështirësi, në lëvizjen e mjeteve dhe këmbësorëve.
Probleme po hasen në aksin nacional Peshkopi- Qafë Buall. Një pjesë e këtij aksi është i kalueshëm vetëm me zinxhirë, ndërsa policia bën thirrje për kujdes në drejtim.
Ndërkaq, po në qarkun e Dibrës vështirësi po hasen edhe në disa komuna që rezultojnë të bllokuara.
Probleme ka në komunat Lurë, Kalaja e Dodës, Ostren, Zerqan, Trebisht, dhe Krastë.
Në zona të thella malore, trashësia e dëborës arrin mbi 30 centimetra.
Probleme janë shënuar edhe në rrugën nacionale Tiranë-Kukës. Orteqet në Qafën e Malit herë pas herë e bëjnë të pakalueshëm për automjetet.
Probleme dhe vështirësi po hasen edhe në disa komuna malore të qarkut të Shkodrës. Komuna të bllokuara dhe vështirësi në lëvizje po hasen edhe në rrethin e Librazhdit. Aksi nacional Librazhd-Peshkopi kalohet më vështirësi, ndërsa disa rrugë drejt komunave janë të bllokuara.
Probleme në lëvizjen e mjeteve ka edhe në aksin Përrenjas- Pogradec, pranë Qafë Thanës. Kjo pikë është e kalueshme vetëm me zinxhirë,
ndërsa trashësia e dëborës arrin mbi 30 centimetra.
Probleme po hasen edhe në Korcë e Kolonjë. Në juglindje vështirësi lëvizjeje ka në Qafë Plloçë dhe Qafën e Qarrit. Disa rrugë rurale janë të bllokuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›