E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti i KQZ-së, shkarkimi i tre anëtarëve të PS-së, i pamundur

SHKRUAN: Fejzi Braushi 25-01-2011 11:09

Tre anëtarët e majtë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk mund të shkarkohen dot, pavarësisht se kanë shkelur në mënyrë të përsëritur ligjin duke mos marrë pjesë në disa mbledhje radhazi të këtij institucioni. Kjo jo për ndonjë arsye politike, por sepse ligji zgjedhor e bën të pamundur një gjë të tillë, pasi vendimi për t’i propozuar Kuvendit shkarkimin e tyre kërkon pesë vota, ndërkohë që mazhoranca ka vetëm katër vota. Neni 18 i Kodit Zgjedhor përcakton rastet kur bëhet ndërprerja para kohe e mandatit të anëtarit të KQZ-së, duke evidentuar mes të tjerave në pikën “e” të tij edhe rastin “kur mungon, pa shkaqe të arsyeshme, në dy mbledhje radhazi të KQZ-së, ose në periudhë zgjedhore për më shumë se 5 ditë”. Në të njëjtin nen, në pikën 2 të tij përcaktohet dhe procedura që ndiqet për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së në rastin kur ai ka munguar në dy mbledhje radhazi. “Shkarkimi i anëtarit të KQZ-së bëhet me vendim të Kuvendit, pas propozimit të KQZ-së për shkaqe të parashikuara në shkronjat “a”, “d”, “dh” dhe “e” të pikës 1 të këtij neni. KQZ-ja është e detyruar të fillojë procedurën për propozimin e shkarkimit jo më vonë se 5 ditë nga marrja dijeni për shkakun”, - thuhet në këtë nen. Por nisja e procedurës së shkarkimit kërkon ndërmjet të tjerave që KQZ propozimin që do t’i bëjë Kuvendit për shkarkimin e një anëtari duhet ta miratojë në formën e një akti, i cili në Kodin Zgjedhor konsiderohet i rëndësishëm dhe për rrjedhojë kërkon pesë vota. Është neni 24 në pikën “dh” të tij ai që përcakton se “Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me propozimin për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, sipas pikës 2 të nenit 18 të këtij Kodi”. Kjo dispozitë ligjore e bën thuajse të pamundur zbatimin e nenit 18 të ligjit, pasi nuk ka parashikuar rastin kur tre anëtarë në bllok bojkotojnë mbledhjet e KQZ-së, siç është edhe rasti aktual. Duke parë këtë ngërç që krijon Kodi në këtë rast, përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, i ka kërkuar kreut të KQZ-së, Arben Ristani, që të njoftojë Kuvendin për situatën dhe pamundësinë ligjore për të proceduar. Prej 5 mbledhjesh radhazi, tre anëtarët e opozitës në KQZ, Dëshira Subashi, Artan Lazaj dhe Pandeli Varfi kanë bojkotuar mbledhjet, në zbatim të një vendimi politik të së majtës për të mos njohur më këtë institucion deri në gjetjen e një zgjidhjeje politike për gjithë situatën në përgjithësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›