E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas gjashtës, vjen shtata, teta...

10-08-2012 / Nag Eden Babani

Sa i takon opinionit publik, kompromisi i arritur prej palëve për kufizimin e imunitetit parlamentarëve, zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve ishte një hap në drejtimin dhe në kohën e duhur. Megjithatë, për kësi dukurish të rralla të historisë njëzet-e-ca-vjeçare të proceseve demokratike në vendin tonë, është e pritshme që të nxjerrin krye edhe dyshimet, edhe pyetjet: Me gjithë mend, vallë? Në rastin më të mirë, pyetjet vijnë e shtohen me plot e plot si e qysh-e, që marrin përgjigje ose  jo. Në më të keqin, fluturojnë si zogj të trembur. Kësaj here, fluturuan ende pa u shuar jehona e kompromisit. I trembi përgjigjja e prerë e përfaqësuesve të PS-së se ata nuk do t’i votonin në seancën parlamentare të 6 gushtit amendamentet e draft-ligjit sapo të miratuara me konsensus, siç ishte vendosur paraprakisht me pëlqimin e të gjitha palëve, por në shtator.
Fill pas kësaj, ndoshta pa u zbrazur tryeza e bisedimeve, ishte e pritshme që radhën ta kishin hidh-e-pritet politike nga a majta, në të djathtë e anasjelltas, arsyetimet pafund që të gjendej arsyeja e mos-arsyes për t’u votuar ligji më 6 gusht apo për t’u shtyrë votimi në shtator, për të kërkuar halë në përpeq ose për të shpifur e mashtruar. Si rëndom në kësi rastesh, fjalën e parë e merr propaganda mediatike.
Dy ditë përpara së hënës 6 gusht, një e përditshme kryeqytetase, e njohur si e pavarur dhe si ndër më të lexuarat, ia kishte hapur faqet e saj kat e kat një analisti të njohur botërisht si ish-gazetar i së përditshmes plakë “Zëri i Popullit”, ish e varur me kokë, e me këmbë, e me rropulli nga PPSH-ja, kurse sot nga pasardhësja emërndërruar. Nuk ia vlen të përmend gjithë prurjet e turbullta të një gazete partiake, në një jopartiake me prirje paanësie, bash nga një gazetar që, deri në prag të proceseve demokratike, madje edhe më pas, villte vrer ndaj arritjeve të botës së lirë e demokratike të Europës Perëndimore. Nuk ia vlen as të hap thesin e tij të shpifjeve, të cilat rrahin të shumëzojnë me zero arritjet e këtyre dy dekadave të proceseve demokratike në Shqipëri, të prekshme prej kujtdo. Po citoj vetëm fillimin: “Dhe kështu, ditë pas dite dhe orë pas ore, të bombarduar nga propaganda e ethshme e asaj që (s’)do të ndodhë, po na vjen edhe 6 gushti. Ajo nuk është as datë historike e tyre, as datë fetare, as datë e ndonjë ngjarjeje kulturore.” Me të marrë sprint nga kjo hyrje që mbart me vete edhe mbylljen e shkrimit kilometrik, autorin zëpëist s’e mban asgjë, as paanësia, le të themi, e gazetës mikpritëse që të zbrazë helmin ndaj shumicës qeverisëse, duke mos kursyer as fyerjet e tipit “na çanë veshët”, “na çanë kokën” e plot të tjerra, huajtur nga fjalori i rrugës. Sipas bindjes së tij, “e vetmja gjë e sigurt që mund të thuhet, është se pas gjashtë gushtit, vjen shtatë gushti”.
Ky është edhe mesazhi antishqiptar që një zëpëist rreket t’u japë lexuesve jo zëpëistë, përmes faqeve të një gazete tjetër. As më shumë, as më pak, kjo do të thotë të mohosh me një të rënë të lapsit lëshimet e njëpasnjëshme të shumicës qeverisëse dhe përpjekjet e mundimshme të bashkësisë ndërkombëtare që mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në BE, të cilat, me gjuhë diplomatike, kërkonin që 6 gushti të mos digjej.
E kuptoj sigurinë zëpëistit të thekur se votimi nuk do të ndodhte, me gjithë shpresat e vagëta që qarkullonin andej-këtej se mbase ndonjë ose disa prej deputetëve socialistë do t’i thërrisnin arsyes për hir të interesave kombëtare dhe nuk do t’i bindeshin njeriut që i drejton si me qenë kope dhensh. Nuk e kuptoj dot qëllimin e së përditshmes në fjalë, e cila, në emër të paanësisë, u hap rrugë shpifjeve denigruese që bien ndesh bash me shumë lajme, informacione a opinione të tjera botuar prej saj të njëjtën ditë. Nuk kam dëshirë të hamendësoj nëse e përditshmja kryeqytetase, (e përsëris: një ndër më të lexuarat e më të ekuilibruarat e shtypit tonë), ka mbyllur sytë me dashje apo ka rënë pa dashje në kurthin e ngritur me qëllim për diversion mediatik, sipas stilit komunist. Gjithsesi, më lind e drejta të pyes: Ç’ mund të prisnim tjetër ne dhe, si ne, e gjithë bota, pas së hënës 6 gusht? Mos vallë të rikthehej e diela 5 gusht e jo të gdhihej e marta 7? Mbase ish-gazetari i ZP-së, në një gjatësi vale me pasardhësit e bllokmenëve, do të dëshironte që akrepat e orës të ktheheshin në drejtim të kundërt, që vendi të ecte mbrapsht, si karavidhja, që të largoheshim sa më tutje brigjeve të botës së qytetëruar, që një ditë të bukur të këndonim Internacionalen dhe t’u ktheheshim kooperativave bujqësore, radhëve për bukë, ryshfeteve për një të drejtë studimi, për një televizor... Por kjo s’ka për të ardhur kurrë. Pas gjashtës, vjen shtata dhe pas shtatës, teta...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›