TAP, prioritet në marrëdhëniet dy palëshe Greqi-Itali, Shqipëria vlerësohet si partnerja e tretë e fuqishme

Ministri i jashtëm i Italisë, Xhulio Terci deklaroi dje në Athinë se së shpejti do të nënshkruhet një marrëveshje trepalëshe, ku të tre shtetet do të konfirmojnë mbështetjen e tyre institucionale për projektin e gazsjellësit, që siguron jo veç gazifikimin e Shqipërisë, por edhe diversifikimin e burimeve energjetike të BE-së
Italia dhe Greqia e shndërrojnë projektin e Korridorit Jugor të Gazit, në prioritet të marrëdhënieve te tyre dypalëshe dhe Shqipëria, vendi ku gazsjellësi do kalojë mes për mes, cilësohet si partner i tretë.
Ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Italisë, Dimitris Avramopulos dhe Giulio Terzi, kanë diskutuar në Romë për gazsjellësin, i cili do të transportojë gaz nga Azerbajxhani, përmes Greqisë dhe Shqipërisë për në Itali.
Ata kanë theksuar se ky projekt është një bashkëpunim strategjik dhe prioritet për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe për marrëdhëniet me Shqipërinë, përfaqësues të së cilës nuk ishin në takim.
“E përqendruam vëmendjen dhe shkëmbyem informacione mbi gazsjellësin e Adriatikut, i cili do të jetë prioritet kryesor i marrëdhënieve Greqi-Itali, por edhe sa i përket bashkëpunimit me Shqipërinë, si partneri i tretë në këtë projekt”, tha për gazetarët ministri i jashtëm italian Terzi.
“Tema kryesore e bisedimeve ishte gazsjellësi TAP, për të cilin ramë dakord të promovohen menjëherë iniciativa politike, që Italia, Greqia dhe sigurisht edhe Shqipëria, të bashkëpunojnë për krijimin e kuadrit të nevojshëm politik, brenda të cilit do të promovohen iniciativat tashmë konkrete”, deklaroi ministri grek Avramopulos.
Në Romë u zhvillua edhe takimi i zëvendësministrave të Energjetikës të dy vendeve, të cilët firmosën një marrëveshje bashkëpunimi, që Greqia e Italia të mbështesin projektin e ndërtimit të Korridorit Jugor të Gazit.
Projekti i gazsjellësit Trans-Adriatik, TAP, parashikon kalimin e gazit nga Azerbajxhani, Turqia, Greqia, Shqipëria dhe më pas në rrugë detare drejt Italisë, duke i dhënë pavarësi Evropës nga Rusia, për furnizimin me gaz.
Realizimi i këtij projekti pritet t’i sjellë Shqipërisë 1 miliardë euro investime. Qeveria shqiptare është shprehur në mbështetje të gazsjellësit TAP dhe ka deklaruar se do të bëjë gjithçka që ky projekt të realizohet.
Projekti tjetër parashikon kalimin e gazit nga Azerbajxhani në Turqi, më pas në Greqi e Itali, duke mos e përfshirë Shqipërinë.
Italia arrin marrëveshjen me Greqinë
Italia vijon përpjekjet për bisedime me Greqinë lidhur me ndërtimin e projektit Trans Adriatik Pipeline (TAP) i cili do të përfshijë Greqinë, Shqipërinë dhe Italinë. Duke qenë se deri tani bisedimet mes Italisë dhe Shqipërisë mbi këtë projekt kanë avancuar, shteti përtej Adriatikut realizoi së fundmi edhe bisedime dhe një marrëveshje të suksesshme edhe me Greqinë. Në këtë kuadër, dje u arrit një marrëveshje nga zëvendësministri italian për Zhvillim Ekonomik, përgjegjës për Energjinë, Claudio de Vintsenti dhe zëvendësministri grek për Mjedisin, Energjinë e Ndryshimet klimatike, Makis Papageorgiou, i cili së bashku me Ministrin e Jashtëm grek Dimitris Avramopulos, zhvilluan një vizitë në Romë. “Greqia dhe Italia janë në procesin e bisedimeve me qeverinë shqiptare për projektin, i cili do të kontribuojë për pavarësinë energjetike të Evropës”, thuhet në njoftimin e ministrisë. Bëhet fjalë për diskutimet në lidhje me tubacion TAP, që është nën projektim, dhe që do të transportojë gaz nga Azerbajxhani, përmes Greqisë dhe Shqipërisë për në Itali.
Në deklaratat e tij zëvendësministri grek shprehu shpresën që “të gjithë të tregojnë vullnet të mirë bashkëpunimi ashtu si Greqia dhe Italia, dhe shtoi se, ajo për të cilën u ra dakord, është një bashkëpunim i ngushtë me Italinë për korridorin jugor të gazit, që është caktuar nga Komisioni Evropian dhe që ne si Greqi e mbështesim këtu e shumë vjet më parë”. “Të vazhdojmë në këtë projekt, që të bëhet i mundur diferencimi i burimeve të furnizimit. Në të ardhmen do të diskutohet më me hollësi, sepse në fazën e dytë në bisedimet mes Greqisë dhe Italisë, do të bashkohet edhe Shqipëria”, deklaroi zyrtari.
Projekti për ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline në javët e ardhshme do të vazhdojë të jetë një prioritet i qeverisë italiane, ku do të kryhen bisedime shumëpalëshe mes Romës, Athinës dhe Tiranës. Kështu ka afirmuar ministri i jashtëm Italian Giulio Terzi gjatë një konference për shtyp me homologun e tij grek Dimitri Avramopoulos gjatë një vizite në Romë.
Duke u fokusuar më tepër në raportet dypalëshe me Greqinë, kreu i diplomacisë italiane ka theksuar se të dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera në planin ekonomik përsa i përket sektorit të energjisë duke kujtuar se kompania energjetike italiane Eni ka shpërndarë rreth 375 milionë metër kub gaz për 190 mijë klientë grekë. Jemi dy vende të bashkuara në një partneritet strategjik dhe është i natyrshëm thellimi i oportuniteteve që ofron një infrastrukturë e veçantë dhe e rëndësishme siç është gazsjellësi i TAP ka thënë Terzi.
Ndër të tjera ministri i Jashtëm italian ka vlerësuar Shqipërinë si një partnere të fuqishme në këtë operacion për ndërtimin e projektit TAP.
Terzi dhe Avramopoulos kanë diskutuar ndër të tjera edhe për krizën që ka përfshirë të dy vendet, por edhe për projektet e rëndësishme për të ardhmen duke u fokusuar tek sektori i energjisë dhe kryesisht tek ndërtimi i gazsjellësit TAP. Për të përballuar krizën ka thënë ministri italian janë të nevojshme masat në nivel europian dhe në këtë kuadër në Bruksel ka një partneritet të fortë mes Greqisë dhe Italisë dhe se projekti europian duhet të vijojë, për të pasur të gjitha mundësitë për një ecuri pozitive.
Gazsjellësi Trans Adriatik Pipeline
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është tubacioni i vetëm që mund të përmbushë dëshirën e Evropës Juglindore për të marrë gazin e Kaspikut në një mënyrë me kosto efektive dhe teknikisht të besueshme. I fokusuar në rritjen potenciale të kërkesës për gaz në rajon, TAP është parë në këtë mënyrë si një nga rrugët e duhura, prej të cilës do të përfitojë edhe Shqipëria.
Mendohet se, pasi TAP të realizohet, atëherë lidhjet me tregjet e Evropës Juglindore nëpërmjet tubacionit Adriatik-Jon dhe sistemeve të tjera, mund të zbatohen shumë shpejt. Projekti ka për qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit, si dhe diversifikimin e furnizimeve me gaz për tregjet evropiane.
Gjatësia totale e tubacionit është rreth 800 kilometra. Kapaciteti fillestar i tubacionit do të jetë 10 miliard metra kub në vit. Aksionarët TAP janë EGL në Zvicër (42.5 për qind), Statoil i Norvegjisë (42.5 për qind) dhe E.ON e Ruhrgas së Gjermanisë (15 për qind). Ndërsa gazi i prodhuar në kuadër të fazës së dytë të fushës Shah Deniz së Azerbajxhanit është konsideruar të jetë edhe burimi kryesor për projektin e gazit TAP.
Në tetor, TAP së bashku me projektet e tubacioneve të tjera paraqitën një propozim gjithëpërfshirës të transportit të konsorciumit Shah Deniz 2, i cili do të marrë vendimin e saj në rrugën e transportit të preferuar deri në fund të këtij viti.