Pas kalimit të Zim-it të Hrushovit
Ndoshta, Nikita Sergejeviç Hrushov ende nuk kishte mbërritur në bazën ushtarako-detare shqiptaro-sovjetike, të nëndetëseve, në Pashaliman të Vlorës, kur vizitoi Shqipërinë, në maj të vitit 1959, në fshatin Bitaj të Kolonjës së Lushnjës, u krye një ndalim. Atëherë nuk mund të dëgjoje lajme zyrtare për arrestimin e njerëzve të dyshuar për një vepër penale, por kjo ndodhi u mësua menjëherë rretherrotull: një fshatar me origjinë nga Kosova, u arrestua për shkak të emrit të qenit të vet. Në të vërtetë, palët ishin ku e ku të kundërta sepse, në saj të një informacioni, policia kreu një ndalim politik për të mos cenuar dinjitetin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, gjatë vizitës në Shqipëri, ndërsa i zoti i qenit binte viktimë e interpretimit politik të emrit të qenit të tij, nga shteti i vet.
Një ditë më parë, ishte dhënë urdhër që, banorët e zonave përgjatë rrugës Tiranë - Vlorë, të qyteteve e të fshatrave, të delnin anës rrugës, në nderim dhe për të përshëndetur mikun e madh. Ky urdhër kishte mbërritur edhe në shkollën shtatëvjeçare të Remasit në Lushnjë, e cila ishte hiç më pak se 16 kilometra larg fshatit Bishqethëm, pak më tej se aty ku sot është Pushimi i Shoferit, por që, atëherë thirrej te Mulliri i Beut. Drejtori i shkollës dhe gjithë mësuesit, nxënësve të tubuar në oborr u prinë më këmbë, të përshkonin gjithë Remasin, pastaj fushave për në Babunjë të Vjetër, më tej përskaj Babunjës së Re, dhe gjithkund xhadesë me kalldrëm mespërmes Fiersemanit, Gradishtës, Mërtishit, Këmishtajt, Goriçajt e për të mbërritur mbi skarpatet e rrugës Lushnjë - Fier, pikërisht aty, në Bishqethëm. Ishin mbi 16 kilometra udhë në vajtje, e po aq në kthim, vetëm më këmbë, sa për të brohoritur e për t’ia bërë me dorë Hrushovit, dhe Enver Hoxhës në krah të tij. Turmat mbërritën para kohë te vendi i caktuar dhe njerëzit, ashtu të lodhur nga rrugëtimi i gjatë e vapa, rrinin ulur a shtrirë mbi bar, të merrnin veten. Dikur, ata të kreut fare, e kishin pikasur pararojën që njoftonte e kontrollonte turmat, se vargu i ZIM-ave të zinj kishte kaluar qytetin e Lushnjës dhe, njerëzia u çuan menjëherë në këmbë, duke zgjatur kryet e mprehur vështrimin, për të kapur me sy Hrushovin, që për ta ishte i stërnjohur nëpër fotografitë e pafundme e kudogjindshme, por që, ashtu, qënie të gjallë dhe fizikisht, e shihnin së pari dhe aq afër. Ata që mbanin në duar parrulla shkruar mbi karton, me të cilat i thuheshin lavde miqësisë së pathyeshme me Bashkimin e madh Sovjetik, i ngritën ato lart dhe, me t’u avitur karvani i shpejtë, turma stërgjatëshe brohoriste pada “Enver - Hrushov”. Përmes atij gardhimi njerëzor, në të dy anët e xhadesë, nuk pati kurrfarë ngadalësimi të shpejtësisë së veturave. Fytyra e Hrushovit u rrëshqiti para syve si një vegim i dyshimtë, “e pashë s’e pashë”, aq sa, saç kish nga ata që thoshin “unë e pashë”, kishte plot të tjerë që nuk ishin të sigurtë, nëse kishin mundur të shquanin kryet fort tullace të Hrushovit, në kabinën e hapur të Zim-it të madh. Por shfaqja aq qe, gjithë koha e gjatë, para dhe pas saj, ishte rrugëtim i lodhshëm politik, i detyruar me urdhër.
Kur u kthyem në shtëpi, në Babunjë të Re, ndër familjet kosovare, qe përhapur lajmi se ishte arrestuar një kosovar nga ata të Bitajve, për shkak të qenit të vet. Policia e kishte arrestuar me akuzën se, ai e thërriste qenin e tij me emrin Sharov, por qenit duhet t’ia kishte vënë emrin Hrushov dhe, kjo emërvënie qe dredhi gjuhësore, për fyerjen e mikut të madh sovjetik gjatë vizitës te ne. Siç thoshin, sado që, i ngrati fshatar ishte munduar të arsyetonte se, atë emër qenit ia kishte vënë që këlysh, dhe se emrin e kishte formuar nga e folmja e tyre gegnisht, nga që në lëkurë qeni kishte shara të zeza, domethënë ca blana të errëta, asgjë nuk u mor parasysh, pasi, kur ai ia kishte vënë qenit emrin Sharov, e paska pas fyer Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik që pa ardhur në Shqipëri, ndërsa atë ditë që ai kaloi mespërmes Kolonjës, shumë afër Bitajve, fshatari përveç që nuk doli të brohoriste mikun e madh të Shqipërisë, m’u po atë ditë ishte dëgjuar tek e thirriste me zë të lartë qenin e vet, “Hrushov na na na…”.
Ky ndalim tregohej me tallje nëpër familje, por gatishmëria për ndëshkime të skajshme edhe pa vepër penale, në këtë rast përbënte dhe një injorancë gjuhësore, si dhe sjellje politike dyshuese ndaj të ardhurve nga Kosova, që në kohë të Zogut. Emri Sharov i qenit, ishte i ndërtuar me rrënjën e fjalës sharë,-a (Larë me ngjyrë të errët në trup të gjësë, sidomos të dhënëve. E ka ni sharë në bark. Me shara shpinës), dhe fjalës shara-shara (që është më shara. Kingji (lëkura) shara-shara), sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, të Mehmet Elezit, botim i vitit 2006, por që, edhe këto dy fjalë, janë të përjashtuara në Fjalori i shqipes së sotme, 1972.
Thonë se, pas njëfarë kohe, i zoti i qenit Sharov, ishte lënë i lirë, por me kusht t’ia ndërronte emrin kafshës. Ai nuk i gjeti emër tjetër, se qeni nuk e dëgjonte, por pati fat: mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik ndodhi prishja e madhe dhe, edhe vet Diktatori e shau Hrushovin me sa mundi, edhe më përtej se Sharov, deri sa thuhet që për të ka thënë edhe “revizionist qen bir qeni i stalinizmit”.