E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas krizës, zgjedhjet tona janë të kufizuara

Tashmë, pas krizës, zgjedhjet tona të politikës janë të kufizuara. Në një pikëpamje të gjerë, rajoni duhet të zgjedhë një filozofi të re, ndryshe nga modeli i nxitjes së boom-it ekonomik, i adoptuar gjatë dekadës së fundit. Unë kam bindjen se ky duhet të jetë fokusi qendror i Politikave Rajonale

Nga Ardian Fullani*

Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Gjatë 20 viteve të fundit, rajoni ynë ka pësuar ndryshime të thella strukturore, të cilat kanë çuar në krijimin e stimujve ekonomikë dhe në nxitjen e rritjes ekonomike.

Në fazat e hershme të tranzicionit, një transformim i shpejtë dhe i konsiderueshëm, fillimisht i tregut të punës dhe më pas i atij të kapitalit, riorientoi të gjithë faktorët e prodhimit drejt sektorëve më tepër produktivë. Kjo kontribuoi në rritjen e produktivitetit total sipas faktorëve të prodhimit dhe për rrjedhojë, në një rritje të shpejtë ekonomike.

Faza përfundimtare e tranzicionit u dominua nga një proces intensiv i thellimit financiar, i nxitur, ndër të tjera, nga flukse hyrëse të kapitalit me origjinë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Ky ndërmjetësim financiar nxiti rritjen e kredisë dhe të konsumit, duke çuar kështu në adoptimin e një modeli rritjeje nëpërmjet krijimit të kapaciteteve për thithjen e investimeve të huaja.

Tashmë, pas krizës, zgjedhjet tona të politikës janë të kufizuara. Në një pikëpamje të gjerë, rajoni duhet të zgjedhë një filozofi të re, ndryshe nga modeli i nxitjes së boom-it ekonomik, i adoptuar gjatë dekadës së fundit. Unë kam bindjen se ky duhet të jetë fokusi qendror i Politikave Rajonale.         

Kriza e fundit nxori në pah disa probleme në modelet tona të rritjes. Procesi i përafrimit të shpejtë ishte një model rritjeje i bazuar më tepër në konsumin e paqëndrueshëm, sesa një model rritjeje i bazuar në ekuilibra të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Pavarësisht konsolidimit të përgjithshëm fiskal dhe normave relativisht të larta të rritjes ekonomike, ky proces rezultoi në rritjen e zhbalancimeve makroekonomike, të evidentuara më së shumti në zgjerimin e shpejtë të deficiteve të llogarisë korrente.

Nga pikëpamja e analizës mikro, ai u reflektua në një pozicion financiar të paqëndrueshëm të bilanceve të bizneseve dhe të individëve, i shoqëruar nga konkurrenca e vazhdueshme e sistemit bankar për rritjen e pjesës të tregut në produkte dhe shërbime.

Është pikërisht për këtë arsye, pse arritjet e fituara me aq vështirësi gjatë 15 viteve të fundit në Evropën Lindore u zhbënë brenda një jave të vetme.

Sot, një vit pas fillimit të krizës financiare, më duhet të pohoj se të gjitha masat e ndërmarra nga bankat qendrore të vendeve të rajonit kanë ngjashmëri me njëra-tjetrën. Sipas mendimit tim, masat e marra gjatë kësaj periudhe janë përgjithësisht të natyrës ekstreme; ato janë të pazakonta dhe bien ndesh me kushtetutën e një banke qendrore moderne në drejtim të likuiditetit, të tregut të parasë dhe të kanaleve të transmetimit të politikës monetare. Megjithatë, ne kemi përqafuar filozofinë se qëllimi justifikon mjetin.

Pavarësisht nga këto zhvillime, mendoj se banka qendrore është bërë më e ndjeshme në drejtim të pavarësisë dhe të eficiencës së politikës monetare. Sigurimi i likuiditetit në çdo rast, në çdo sasi, me çfarëdolloj afati maturimi dhe pranimi i çdo lloj kolaterali, pa dyshim që cenon politikën monetare, me efekte të mundshme të raundit të dytë mbi stabilitetin financiar. Nëse bankat qendrore, në periudhën afatshkurtër, do të zhvendosnin fokusin e tyre nga objektivi i tyre kryesor në mbështetjen e rritjes ekonomike me çdo çmim, atëherë këto politika, në mënyrë të tërthortë, do të krijonin premisa për zhbalancime ekonomike afatgjata.

Politikat aktuale të adoptuara nga autoritetet monetare dhe ato fiskale nuk duhet të konsiderohen si një normalitet i ri. Teksa ekonomia globale është në procesin e arritjes së një ekuilibri të ri, përpjekjet aktuale stimuluese duhet të zëvendësohen nga politika të shëndosha dhe afatgjata të natyrës makroprudente. Për këtë arsye, sfida për ekonomitë tona në periudhën afatgjatë është adresimi i problemeve aktuale dhe të atyre të trashëguara, mbi një model të ri rritjeje, i bazuar mbi: (i) rritjen e kursimeve dhe të investimeve, duke synuar arritjen e një niveli të përmbajtur konsumi, i cili është i barabartë me nivelin e prodhimit vendas; (ii) flukset hyrëse të vazhdueshme të investimeve të huaja direkte, të orientuara drejt sektorëve të tregtueshëm; si dhe (iii) bashkëpunimin rajonal.

Më lejoni të ndaj shkurtimisht me ju disa opinione lidhur me rëndësinë e pikës së fundit, më konkretisht të bashkëpunimit rajonal. Argumentet e mëposhtme paraqesin përfitimet e bashkëpunimit nga disa pikëpamje:

Nga pikëpamja e zhvillimit, rritja e bashkëpunimit dhe e integrimit në nivel rajonal krijon më tepër hapësira për ekonomitë e shkallës. Një gjë e tillë inkurajon investitorët vendas dhe të huaj, që të ndërmarrin projekte të mëdha investimi, të cilat ndryshe nuk do të ishin fitimprurëse. Një avantazh tjetër do të ishte rritja e specializimit të ekonomive tona, çka do të gjeneronte një performancë më të lartë ekonomike.

Nga pikëpamja e politikës, koordinimi i politikave makroekonomike, i kuadrove ligjorë dhe i mekanizmave të natyrës prudente, do të përmirësonin alokimin e burimeve dhe do të parandalonin adoptimin e politikave përfituese për një vend, por në kurriz të vendeve të tjera. Kjo politikë individualiste nuk do të sillte përfitime për mbarë rajonin tonë.

Nga pikëpamja strategjike, rajoni ynë është konkurrues me disa rajone të tjera globale me ekonomi në zhvillim. Nuk mjafton më të jesh i pari i fshatit, veçanërisht në një kohë kur numri i fshatrave në nivel global është në rritje dhe numri i burrave të mençur, gjithashtu.

Nga pikëpamja e konvergjencës, ndarja e përvojave do të shmangte gabime të kushtueshme, ndërkohë që adoptimi i politikave dhe ndërmarrja e hapave në mënyrë të koordinuar do të nxiste integrimin më të shpejtë në BE. Ne duhet të vërtetojmë, se rajoni ynë është i denjë për tu bashkuar me pjesën tjetër të grupit, pikë së pari duke adoptuar rregullat e grupit ndërmjet vetë njëri-tjetrit.

Në një përqasje më teknike dhe konkrete, përpjekjet e autoriteteve publike në rajonin tonë për arritjen e një bashkëpunimi real dhe kuptimplotë, duhet të konsiderojnë si vijon:

Së pari, duhet të ndryshojë mentaliteti i shoqërive tona në rajon. Dihet që ky rajon ka një histori të mbushur me konflikte dhe mosmarrëveshje.

I përket brezit të ri dhe njerëzve që përqafojnë të renë në rajon, të gjejnë zgjidhjet dhe të inkurajojnë ato sjellje që do të çojnë drejt të ardhmes tonë në Evropë.

Së dyti, angazhimi për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian duhet të shërbejë si një platformë solide për bashkëpunim dhe si një ankorë për ndjekjen e politikave të shëndosha dhe reformave të bashkërenduara strukturore.

Së treti, një kusht paraprak mjaft i rëndësishëm është edhe forcimi i ankorave të brendshme të vendeve, veçanërisht në formën e rregullave fiskale afatmesme, këshillave fiskale, apo përcaktimit të detyrimeve fiskale në kushtetutat e vendeve.

Së katërti, duhet të krijohet një bazë ligjore, që të mbështesë këtë bashkëpunim ndërkombëtar, i cili duhet të udhëhiqet nga parime të konsoliduara dhe të rëndësishme për gjithë rajonin.

Së pesti, nevojiten urgjentisht politika që do të inkurajonin tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe të flukseve jobankare. Modeli i rritjes së rajonit duhet të jetë më i sigurt në vetvete, duke e vënë theksin tek kur

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›