Ligji antimafie, domosdoshmëri për realitetin tonë
Këto vite janë treguar si anekdota rrëfimet për pasurimet magjike të shumë personave, që pa asnjë aktivitet të dukshëm apo ligjor, pa ndonjë përvojë pune apo investimesh, befas, brenda një kohe frikshëm të shkurtër, janë shfaqur si “bosë”, “biznesmenë” apo “pronarë” pronash të pallogaritshme. Çudia qëndronte në faktin e thjeshtë se ndërsa bizneset e tjera të vërteta në Shqipëri kërkonin një kohë shumë të gjatë pune, përvoje dhe investimesh, për të arritur diçka, këta “bosë” lindën brenda një nate dhe shtrinë tentakulat e tyre kudo... Shembulli më mjeran i së kaluarës qe rasti i piramidave financiare, të cilat sollën rrënimin e vitit 1997... shembulli më tipik i së tashmes, ndoshta është ajo që qeveria e emërton si “mafie”.
Nga vinte burimi i këtij tipi pasurie fantastike, tashmë dihet nga të gjithë, së pari nga droga, prostitucioni, brenda vendit dhe në Perëndim, së dyti nga mashtrimet publike, korrupsioni, vjedhja e pasurisë shtetërore, në forma të ndryshme, kontrabanda, shmangia e detyrimeve taksore ndaj shtetit. Si të mos mjaftonte kjo dukuri e pasurimit të paligjshëm, eksponentët e kësaj pasurie nisën ta shihnin të ardhmen e tyre afër partive të ndryshme politike, duke mbështetur me fonde individë të veçantë të këtyre partive ose duke synuar në sajë të kësaj pasurie për të zotëruar vetë poste politike apo administrative të rëndësishme, me qëllim që ta ligjërojnë këtë pasuri apo ta shtojnë, duke shfrytëzuar mundësitë që jep pushteti. Pra, ajo që sot quhet kapje e pushtetit nga mafia e re, që tenton të ketë nën kontroll të gjitha burimet e mëdha ku buron paraja tanimë e ligjshme... Një nga këto burime është sigurisht ndërtimi në hapësirat publike, si toka të askujt. Faktet që publikon Kryeministri Berisha këto ditë për abuzimet në Bashkinë e Tiranës, me lejet e ndërtimit në 500 mijë metra katrorë, duken të jenë pjesë e planeve të kësaj mafie dhe e çdo lloj mafieje tjetër.
Në këtë sfond, ligji antimafie është një ligj që duhet mbështetur, nëse duam që të ndërtojmë një shtet demokratik dhe një shoqëri demokratike për veten, por edhe për të tjerët, si vend që shpresojmë për një anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian. Prandaj, ligji i ri antimafie duhet të kishte edhe votën e opozitës shqiptare në Parlament. Qoftë edhe vetëm për të votuar këtë ligj, deputetët e majtë duhet të ishin në Parlament. Se si do ta justifikojnë këtë mungesë para elektoratit të tyre, kjo është e vështirë të kuptohet. Nga ana ligjore, ky ligj do të ishte një mjet efikas për opozitën e vendit qoftë edhe për të faktuar akuzat e saj ndaj pushtetit dhe qeverisë aktuale. Është paradoksale dhe ndoshta unike që një opozitë e një vendi demokratik të kundërshtojë një ligj të tillë, ku u kërkohet personave të dyshuar për aktivitete kriminale të vërtetojnë origjinën e pasurisë së tyre. Opozita akuzon përditë ministrat dhe nivelet e tjera të shtetit se janë të korruptuar dhe nga ana tjetër nuk dëshiron ta përdorë këtë ligj që pozita ia bën dhuratë, si një mjet efikas ligjor për të vënë në bankën e akuzës cilindo prej njerëzve që, të veshur me pushtet, kanë vënë pasuri të paligjshme.
Opozita duhet të bëhet e aftë për ta përdorur këtë ligj. Pse trembet një pjesë e opozitës, pjesa “e pasur” e opozitës? Nënteksti, edhe në mos qoftë kuptimi i vërtetë, që lexojmë ne një pjesë e mirë e shqiptarëve është ky: që frikësohet ai që mund të ketë probleme me këtë ligj dhe nuk do të jetë në gjendje të argumentojë në baza ligjore se nga ç’mrekulli i vjen pasuria që ka, biznesi qindra milionësh, pronat e tundshme e të patundshme, vilat luksoze, makinat super të shtrenjta etj. Opozita demokratike në të gjithë Evropën e qytetëruar shfrytëzon hapësirat ligjore për të denoncuar klasën politike në pushtet apo aktivitetet e paligjshme të pjesëtarëve të saj. Tek ne ndoshta qëlloi rastësisht, por nervozizmi i ditëve të fundit të kryetarit të Partisë Socialiste, njëherësh dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, u përkthye si nervozizëm i qartë nga ligji dhe shtesat e bëra këto ditë në Parlamentin shqiptar, të ligjit antimafie. Pse populli i thjeshtë, nëpunësit, mjekët, arsimtarët, gjykatësit e ndershëm, ministrat, kryeministrat e ndershëm, kryetarët e ndershëm të bashkive, biznesmenët etj. nuk kanë arsye të tremben nga ky ligj, përkundrazi, ky ligj do t’i bëjë një shërbim të madh demokracisë shqiptare, para se kjo demokraci të bëhet e pavlefshme. Frika se ky ligj shkel të drejtat e njeriut nuk duket e argumentuar për arsyen e thjeshtë se pasuria e një të dyshuari për aktivitet kriminal ose është e ligjshme, ose është e paligjshme në një vend demokratik, nuk ka se si të jetë edhe ashtu edhe kështu. Objektiv i ligjit janë superpasuritë e dyshimta, të cilat asnjë gjë në botë nuk mund t’i justifikojë dhe jo fitimi i padeklaruar i një kioske që shet cigare apo banane... Sot edhe kriminelët më ordinerë paguajnë me shuma marramendëse avokatët e tyre lirisht me para që të gjithë e dinë se burojnë nga krimi, por shteti i ka duart lidhur, sepse gjykatat i zvarrisin pa fund proceset e tyre dhe pa u dhënë dënimet e fajësisë kriminelëve, familjarët e tyre mund t’i gëzojnë lirisht frytet e aktiviteteve të tyre kriminale...
Vërtet ligji u miratua me votën e pozitës në Parlament, por opozita të mos harrojë se ky ligj do të vijojë të ekzistojë edhe në rast se opozita mund të fitojë zgjedhjet e ardhshme. ǒmund të kërkojë më shumë një opozitë që mund të bëhet pozitë për ta diskredituar, nëse ai e meriton, një kundërshtar politik, duke nxjerrë në shesh pasurinë e paligjshme të grumbulluar nga abuzimi me pushtetin. Një ligj të tillë duhet ta kishte propozuar dhe mbështetur opozita për të kontrolluar, siç thotë ajo, pasurinë e paligjshme të qeveritarëve dhe familjarëve të tyre, por, me sa duket, opozita ka hallin e pasurive të veta të paligjshme hëpërhë...
Cili është problemi i vërtetë i këtij ligji? Ndoshta “thembra e Akilit” e këtij ligji, sikurse e shumë ligjeve të tjera në demokracinë shqiptare të pasnëntëdhjetës, qëndron tek zbatimi i vërtetë i tyre. Ndoshta mund të ishin bërë shtesa të reja në përshtatje me realitetin shqiptar... Ky ligj duhet të zbatohet një orë e më parë, sa kohë që pasuria e paligjshme me burim nga aktivitete kriminale, ende nuk është transformuar apo pastruar përmes aktiviteteve të tjera apo nuk është transferuar jashtë vendit... Ky ligj shkurton kohën dhe burokracinë e sistemit tonë të brishtë të drejtësisë, sistem në të cilin, fatkeqësisht, në këto vite kanë arritur të justifikohen jo vetëm pasuri të dyshimta, por edhe krime me vrasje njerëzish, ku autorët e krimeve kanë dalë me dënime minimale dhe janë liruar më vonë për sjellje të mirë në burgje... Ky ligj, në mos do ta asgjësojë bazën e aktiviteteve kriminale, do ta vendosë atë në një pikëpyetje të madhe, do ta dekurajojë në kufijtë e asgjësimit të tyre.
Por, nëse ky ligj do të zbatohet me seriozitetin që meriton, do të mbyllë njëherë e mirë një plagë të madhe të politikës shqiptare, atë të baltosjes së kundërshtarit politik, duke e etiketuar si mafioz, i korruptuar, me pasuri që burojnë nga krimi etj. Për akuza të tilla secila palë mund të kërkojë verifikime të mbështetura edhe në këtë ligj, që është e pritshme t’i japë një goditje vdekjeprurëse pasurisë që buron nga aktivitete kriminale dhe të paligjshme.