PS, e drejtuar nga periferia e mendimit të saj politik
Historia e muajve të fundit e Partisë Socialiste po shkon drejt nivelit të vulgaritetit të disa historive të shkruara ose të jetuara në të shkuarën nga kryetari i saj, të cilat gazeta zyrtare e partisë kundërshtare i boton përditë pa mëshirë.
Deri tri javë më parë, me mosrespektimin e ligjit apo logjikës, PS mund të akuzohej, e shumta, për arrogancë të trashëguar nga mentaliteti se pushteti është e drejtë e saj, por pas datës 20 nëntor, ajo ka kaluar në terren tjetër.
Manifestimi i opozitës para Kryeministrisë me çadra 3 ditë rresht, më 20 nëntor, nuk ishte lëvizje e denjë politike për një parti që ka më shumë deputetë sesa nxinin çadrat.
Ndërsa protesta e kryebashkiakëve socialistë të mbledhur në Tiranë, në 5 dhjetor, dukej se nuk ishte manifestim kundër qeverisë, por prezantim brutal i zotëruesit real të fuqisë në PS: periferia e mendimit politik të saj.
Asnjë nga figurat e larta të PS-së nuk u pa në skenë, me përjashtim të kryetarit, i cili nuk është deputet.
Përmbajtja e fjalimeve të këtyre politikanëve me status dhe format për të drejtuar njësi administrative lokale mund të mblidhet e gjitha në një fjali, të përdorur nga paraardhësit e socialistëve: “Na mbytën intelektualët”.
Këta të zgjedhur të popullit nuk e kuptojnë rolin e tyre, që çdo pakënaqësi institucionale kundërshtohet në rrugë institucionale dhe nëse pakënaqësitë mund të rregullohen politikisht, atëherë ata ia përcjellin zgjidhjet partisë që t’i futë në programin e fushatës së ardhshme elektorale.
Çfarë do të ndodhte sikur të gjithë qytetarët që marrin një rrogë diku (kryebashkiakët për buxhetin ankohen), të cilët janë të pakënaqur me të - dhe pa dyshim janë të gjithë, të dilnin në manifestime të përditshme apo më keq, të futeshin në greva urie?
Mirëpo, qytetarët nuk janë aq fatkeqë sa njerëzit që i drejtojnë, ata kanë logjikë, e dinë se ka ca faktorë që përcaktojnë nivelin e të ardhurave të tyre. Për t’iu kundërvënë sistemit, pa e cënuar atë, kush mundet, bën dy punë.
Po sikur nuk mjaftonte vulgariteti i staturës së kryebashkiakëve, dikush në PS u kujdes të sillte në rrugët e Tiranës thasë me mbeturina për të ndotur, përmes mediave që me të drejtë nuk mund ta shmangnin dot lajmin, gjithë Shqipërinë. Organizatorët e manifestimit nuk ishin në gjendje të llogaritnin se kush humbet më shumë, i zoti i shtëpisë apo miku, kur i ardhuri hyn në shtëpi me çantat mbushur me bajga.
Problemi i PS-së, megjithatë, është se ajo kërkon të imponohet me artifica ekzibicioniste dhe jo mjete politike. E shkuara prej artisti e kryetarit të saj, sado mediokër, nuk do të kishte qenë problem, nëse ai tani do ta kishte fituar vetëdijen se është lider politik dhe jo një qytetar i zakonshëm që kërkon me domosdo të bëhet i njohur.
Qëllimi i ekzibicionizmit është thjesht tërheqja e vëmendjes së një publiku të caktuar, por zoti Rama nuk duhet të vuajë më nga ky kompleks. Për shkak të statusit të tij si kryetar i opozitës, ai ka mediat nga mbrapa, shqetësimi i tij i vetëm duhet të jetë që këtë mundësi ta shfrytëzojë për të përcjellë mendimin e vet politik.
Në këtë pikë, duket se kryetari i PS-së ka mangësi. Përveç sloganit “përtej të majtës dhe të djathtës”, ndonjë qesëndie në lidhje me moshën e kundërshtarit të tij politik dhe këmbënguljes fëmijërore për hapjen e kutive, në katër vitet në krye të PS-së nuk ka prodhuar asgjë serioze politikisht. Natyrisht, që nuk i kërkohet të prodhojë ide personalisht, por të menaxhojë mendimin e shëndoshë të partisë.
Sidoqoftë, PS-ja nuk është vetëm Edi Rama, brenda saj ka dhe njerëz që kanë mendim dhe dinë të bëjnë politikë. Ata ndodhen në situatë të vështirë, por nuk duhet të heshtin për hir të unitetit, meqë partia gjendet në kulmin e betejës me palën kundërshtare. Ata duhet të ndërgjegjësohen, sa nuk është vonë, që Sali Berishën e kanë kundërshtar, ndërsa Edi Ramën, nëse ata ende mendojnë se janë politikanë, e kanë armik.