E Shtunë, 31 Tetor 2026

Domosdoshmëria e dënimit të krimeve të komunizmit



10 Dhjetor, është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila është themeluar në datën 24 tetor të vitit 1945, me qëllimin për të siguruar paqen dhe sigurinë në botë, në Paris më 10 dhjetor të vitit 1948 miratoi dhe shpalli “Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut”. Deklarata për të Drejtat e Njeriut është një dokument që vlerëson njeriun, i njeh atij liri dhe barazi dhe që përkufizon të drejtat e tij.

Shqipëria, Ballkani dhe Evropa e përkujtojnë këtë ditë më të lirë se kurrë në historinë e tyre. Ne shqiptarët duhet ta nderojmë dhe ta festojmë këtë ditë më shumë se çdo komb tjetër në Evropë dhe në botë, sepse asnjë komb tjetër i këtij kontinenti nuk ka vuajtur për liri, dinjitet dhe të drejta njerëzore siç kemi vuajtur ne për gjysmë shekulli nën sundimin e regjimit më të egër komunist të Evropës.

Disa vende të Evropës gjatë këtyre dekadave kanë përjetuar diktatura komuniste, junta ushtarake fashiste, por regjimi i Enver Hoxhës për 45 vjet si asnjë regjim tjetër i privoi totalisht shqiptarët nga të drejtat dhe liritë themelore, ua ndaloi ato me Kushtetutë, i privoi ata nga fjala e lirë, lëvizja e lirë, besimi tek Zoti, i privoi nga prona e tyre, ekzekutoi pa gjyqe apo me farsa gjyqësore politike dhjetëra mijëra shqiptarë të pafajshëm vetëm e vetëm për fjalën e lirë, besimin e tyre tek Zoti, prirjet properëndimore të tyre. Burgosi e internoi qindra mijëra të tjerë, kurse shumicën tjetër të popullatës e shndërroi në skllevër të vërtetë të shtetit totalitar. Të burgosurit dhe të përndjekurit politikë përbëjnë më se 30% të popullsisë së Shqipërisë. Të gjithë shqiptarët në përgjithësi, por sidomos të burgosurit dhe të përndjekurit politikë kanë provuar dhe përballuar diktaturën më të egër dhe më kriminale në të gjithë Evropën Lindore. Gjatë regjimit sllavo-komunist në Shqipëri janë ekzekutuar 5 577 burra dhe 450 gra. Janë dënuar për motive politike 26 768 burra dhe 7 367 gra. Kanë vdekur në burgjet politike 1 065 veta. Kanë humbur aftësitë mendore 408 persona. Kanë vdekur në internime 7 022 veta. Në çdo tri ditë është ekzekutuar pa gjyq apo me gjyqe farse një person për motive politike. Çdo dy javë një i burgosur politik vdiste në burg. Çdo dy ditë janë internuar tre shqiptarë për motive politike. Çdo dy muaj një i burgosur politik është gjymtuar për shkak të keqtrajtimeve shtazarake në hetuesi apo në burgje.

Nuk kam si mos të vë në dukje dallimet dramatike midis së sotmes dhe ditës, kur unë rifitova lirinë në 20 qershor të vitit 1991. Asokohe, kishte shumë vende në botë ku demokracia dukej si një ëndërr e parealizueshme. Gjeneralët dhe diktatorët ishin shumë herë më të mëdhenj në numër sesa presidentët dhe kryeministrat e zgjedhur.

Por rreth 20 vjet më vonë, ne kemi përjetuar një transformim të dukshëm. Puna dhe përkushtimi i madh i njerëzve kudo ka hedhur rrënjë. Në këto 20 vjet kudo në botë kemi arritje të tilla që edhe më optimistët nuk do t’i kishin shpresuar. Në shumë zona, si fjala vjen, në Amerikën Latine dhe Evropën Lindore, demokracia nuk është një dukuri e rrallë, por një gjë e zakonshme. Megjithatë nuk duhet fjetur mbi dafina. Siç ka thënë Presidenti Jimmy Carter, “përvoja e demokracisë është njëlloj si edhe vetë përvoja e jetës - gjithmonë në ndryshim e sipër, me një shumëllojshmëri të pasosur, nganjëherë me trazira, por gjithnjë e më e dobishme, ngaqë vihet në provë nga fatkeqësitë”.

Prandaj, sot, po të kemi parasysh se ku ishim 20 vite më parë, kemi të drejtë të krenohemi me arritjet e mëdha në këtë fushë. Shqipëria është sot vendi i pluralizmit politik, i lirisë së shprehjes, lirisë së besimit, lëvizjes së lirë, iniciativës së lirë dhe pronës private. Liritë dhe të drejtat e qytetarëve në Shqipëri janë të garantuara me Kushtetutë dhe me ligje. Të gjitha Institucionet e vendit po bëjnë përpjekje serioze për zbatimin e ligjeve dhe garantimin e këtyre lirive dhe të drejtave, por kjo ditë fton shqiptarët ndoshta më shumë se të gjithë popujt tjerë të jenë tejet të vëmendshëm, të ndjeshëm dhe të përkushtuar ndaj lirive dhe të drejtave të individit. Progresi është i pamohueshëm, por problemet që ekzistojnë janë të pamohueshme dhe të papranueshme. Përsëri ka qytetarë shqiptarë që përfaqësuesit e shtetit i keqtrajtojnë, në paraburgime apo burgje. Akoma standardet në institucionet shqiptare të vuajtjes së dënimit nuk janë në ato standarde që duhet të jenë. Përsëri ka shumë qytetarë që vuajnë dhe nuk arrijnë të gëzojnë pronën e tyre që u takon. Akoma ka qytetarë shqiptarë që nuk kanë trajtimin e tyre të barabartë siç ua garanton ligji dhe vuajnë pasojat e një diskriminimi të gjatë. Përsëri ka keqtrajtim në publik të gazetarëve dhe autorët mbrohen nga organi i akuzës e nuk përballen me ligjin për të marrë dënimin e merituar.

Pas shkërmoqjes së regjimit komunist në Shqipëri, ish-të burgosurit politikë dolën nga burgjet, por përsëri vazhdoi përbuzja dhe denigrimi tyre. Ai që hodhi i pari idenë e kompensimit material të të burgosurve politikë, u ka bërë dëmin më të madh. Ish-të burgosurit politikë u burgosën dhe u ekzekutuan pa gjyq apo me farsa gjyqësore për motive politike, prandaj dhe kompensimi i tyre duhet të jetë politik. As liria që rifituan në fillim të viteve ‘90, për ata që u mbijetuan burgjeve komuniste, nuk ishte dhe nuk mund të jetë e mjaftueshme si kompensim. Nëse ish-të burgosurit politikë të regjimit komunist mjaftohen me rifitimin e lirisë dhe me ca para, kjo do të thotë se nuk u vranë, u burgosën e u internuan për motive politike, por u përdorën si koka turku për të terrorizuar dhe skllavëruar pjesën tjetër të popullsisë.

Asnjë forcë politike, asnjë politikan apo institucion nuk mund të thotë se ka bërë aq sa duhet për kompensimin politiko-moral dhe rehabilitimin e ish-të burgosurve politikë të regjimit komunist. Ky proces nuk duhet dhe nuk mund të zgjasë pa fund. Ky proces duhet te përfundojë sa më shpejt. Meqenëse kanë kaluar rreth 20 vjet dhe ky proces nuk ka përfunduar, atëherë ka ndodhur për një arsye, për mungesë të vullnetit politik për ta përfunduar.

Me gjithë arritjet që janë bërë në vendin tonë për parandalimin e torturës, dënimeve ose trajtimeve mizore, çnjerëzore apo poshtëruese si dhe për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut me qëllimin e arritjes së klasifikimit të Shqipërisë si një vend pa torturë dhe që njeh dhe respekton liritë dhe të drejtat e individit, theksoj se ky qëllim nuk mund të quhet i arritur pa kompensimin politiko-moral të viktimave të regjimit komunist, pa ndëshkimin e ideatorëve apo persekutorëve si dhe pa dekomunistizimin e plotë të politikës dhe shoqërisë shqiptare, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Evropës për Dënimin e Krimeve të Komunizmit.

Është rasti që t’i kujtojmë Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si dhe qeverisë së Republikës së Shqipërisë përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin prej miratimit që Kuvendi i Republikës së Shqipërisë i ka bërë në vitin 2006 Rezolutës të Këshillit të Evropës për Dënimin e Krimeve të Komunizmit. Kjo rezolutë parashikon një sërë procesesh, si dënimi i krimeve të komunizmit, dënimin e figurës së Enver Hoxhës, ngritjen e një instituti të posaçëm për rehabilitimin e viktimave të regjimit komunist, madje edhe një fond të veçantë për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të të zhdukurve gjatë regjimit komunist, që në Shqipëri numërohen me mijëra.

Me gjithë arritjet e pamohueshme që edhe më optimistët nuk mund t’i kishin imagjinuar, është e pajustifikueshme që në Prokurorinë e Përgjithshme, prokuroritë e rretheve gjyqësore, në gjykatat e të gjitha niveleve, në institucionet kushtetuese, duke filluar nga Gjykata Kushtetuese dhe deri tek Avokati i Popullit, si dhe në disa institucione të tjera publike aktualisht punojnë si gjyqtarë, si prokurorë dhe zyrtarë të lartë persona që kanë marrë pjesë aktive në arrestimin, hetimin, torturimin, gjykimin, dënimin dhe ekzekutimin e të dënuarve me vdekje gjatë regjimit komunist, të cilët edhe kur pyeten për vendvarrosjen e këtyre viktimave fatkeqe nuk denjojnë të tregojnë se ku i kanë varrosur. Jo vetëm se asnjë prej tyre nuk ka treguar as pendesën më të vogël për krimet që kanë kryer, por shumica prej tyre janë dekoruar me dekorata dhe medalje të ndryshme, në një kohë që viktimave të tyre nuk u dihet akoma varri. Vetëm Aranit Çela nuk është dekoruar akoma, të cilit thonë se i ka ngelur shumë hatri pasi të gjithë bashkëpunëtorët e tij më të zellshëm janë dekoruar.

Prandaj, ne shqiptarët duhet ta nderojmë dhe ta përkujtojmë këtë ditë me një vetëdije të thellë se arritjet vërtet janë të mëdha, por shumë probleme sërish ekzistojnë dhe duhet që çështja e lirive dhe të drejtave të njeriut të jetë çështja primare e të gjithë pushtetarëve dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë.

Gëzuar Ditën Botërore të të Drejtave të Njeriut me shpresë të jetojmë në një botë ku të respektohen sa më mirë të drejtat dhe liritë e individit...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›