Karla dhe Mishel, derbi i zonjave të para
Herën e parë, pikërisht vitin e kaluar më 3 prill, në Samitin e NATO-s në Strasburg, fotoja zyrtare që bëri xhiron e botës kristalizoi ekuilibrat e pushtetit. Nga e majta në të djathtë, sipas gjatësisë, ishin vendosur Barak Obama, Mishel Obama, Karla Bruni dhe Nikolas Sarkozi. Sigurisht që gjatësia ishte çmimi që ishte fituar nga gratë, që për të mos bërë shumë diferencë me burrat ishin detyruar të vishnin të dyja këpucë të sheshta. Por, beteja e modës për hir të së vërtetës atëherë u fitua nga ish-modelja italiane, mbretëresha e vërtetë e elegancës e veshur me këpucë të sheshta “Dior” dhe një pardesy gri, ndërsa Mishel një kostum të zi me lule rozë dhe një palë këpucë me pak takë. Por, të shohim se çdo të ndodhë në “ndeshjen” e kthimit që do të zhvillohet në SHBA, ku të dyja zonjat e para do të mundohen të tërheqin sa më shumë vëmendjen. Sipas asaj që qarkullon nëpër revistat e modës në Amerikë, është pikërisht Mishel Obama ajo që duket të jetë në avantazh. Pavarësisht polemikave mbi krahët e zbuluar dhe pantallonave të shkurtra, apo performancës së “Halloween” ku ishte veshur si mace, Zonja e Parë e Amerikës u kurorëzua nga bibla franceze e modës, revista “Elle”, si “Zonja e Parë më elegante në botë”. Mishel, që preferon të vishet nga stilistë jo me emër në fushën e modës, si Jason Wu, Isabel Toleda, Naeen Khan, ka arritur pa shumë përpjekje të mundë eleganten dhe gjithmonë të rafinuarën, madam Sarkozinë. Mishel e do modën dhe e di se çfarë i shkon. Kurrë nuk pyet nëse i shkon kjo apo ajo veshje. është shumë paqësore dhe natyrale. Modelet pozojnë, aktoret po ashtu. Në kopertinën e “Elle” Mishel u shfaq si një grua e vërtetë, shumë origjinale. Por kjo nuk është ndonjë gjë e re për Zonjën e Parë amerikane, që në të njëjtën mënyrë veproi edhe për kopertinat e “People”, “Essence”, “More” dhe “O”, revistës së Oprah Uinfrejt. Gazetarët përgjithësisht tregojnë se mbetën të habitur kur pas disa bisedave, Mishel Obama u paraqit për setin fotografik me një fustan ndryshe nga ai që kishte premtuar se do vishte. “As që e vrau mendjen fare. Në fund ishte ajo që vendosi se çfarë do të vishte për të dalë në kopertinën e revistës”, thonë ata. Mos e fusni te kronika rozë të gjithë këtë histori, sepse kjo është me plot gojën politikë e vërtetë. Në “Uashington Post” fituesi i çmimit “Pulitzer”, Robin Givhan, e quajti këtë përplasje si “Madame Christian Dior” kundër “Everywoman”. Por paradoksi është se nga kjo betejë mes dy zonjave të para është në lojë imazhi i burrave të tyre. Ylli i Mishel, aktualisht e angazhuar për të luftuar obezitetin mes fëmijëve në Amerikë, shërben për të ndriçuar emrin e Obamës edhe në ditët e errëta, sidomos kur Presidenti amerikan po pësonte një ulje të popullaritetit në sondazhe. Obeziteti është një nga problemet më të mëdha të Shteteve të Bashkuara ndaj këtij realiteti që prek një numër gjithnjë e më të madh amerikanësh, ndaj Zonja e Parë ka ndërmarrë një fushatë mbarëkombëtare të përqendruar te mbipesha te fëmijët. Në Amerikë, sipas statistikave, një në tre fëmijë është obez dhe bëhet fjalë për një çështje që ka të bëjë me vetë të ardhmen e vendit. Mishel Obama ka parashtruar një plan shumë ambicioz, që do të tentojë ta zgjidhë këtë problem brenda një gjenerate. Ajo do të ngulmojë në rritjen e cilësisë tek ushqimet e shkollave dhe tek ushqimet që frekuentohen në masë. Kjo fushatë sapo ka nisur dhe në të do të ndihmojnë edhe një numër politikanësh të rëndësishëm, njerëz të shoqëri-biznesit, sportistë e persona të tjerë që janë të famshëm e mund të ndikojnë në opinionin publik. Por sipas saj, prindërit, bizneset dhe shkollat duhet të rrisin sensin e përgjegjësisë në lidhje me ushqimet. Gjithashtu ajo lufton për reformat në favor të grave. Nga ana tjetër, gruaja e Presidentit francez është aktive në aktivitetet bamirëse dhe jetën sociale. Por edhe vetë Sarkozi tani nuk e sheh se mbështetet në shoun amerikan të Karlës për të marrë disa pikë më shumë në Presidencën e tij, ku shifrat nuk e çojnë më shumë se 30 për qind e preferencave në sondazhe, sidomos pas humbjes së rëndë në zgjedhjet lokale. Për shembull, një ditë më parë Nikolas mbajti një fjalim shumë të bukur në “Columbia University”, ku bëri elozhe për reformën shëndetësore të Obamës, ndërsa më pas “sfidoi” në Pallatin prej Xhami përkrah kreut të OKB-së, Ban Ki Moon. Por ajo që bën më shumë lajm për dy ditët njujorkeze, në prag të takimit zyrtar në Uashington, ishte puthja e zjarrtë që zoti President shkëmbeu me zonjën e tij të dielën në “Central park”. Sigurisht që recesioni ekonomik ia prishi pak kornizën romantike. Kështu në vend që të fotografoheshin në të preferuarën “Tavern on the Green”, restoranti i mbyllur për shkak të krizës, çifti kishte zgjedhur “The boat”, një restorant mbi liqen dhe me pamje mahnitëse. Megjithatë, më shumë se për gjithçka tjetër fotoja shërbente për të shuar dyshimet e atyre që mendonin se çifti Bruni-Sarkozi ishte drejt ndarjes, pavarësisht se Karla u shpreh për një revistë vendase se ishte kaq e shqetësuar për bashkëshortin e saj aq shumë i stresuar, sa më mirë preferonte që të mos rikandidonte. Edhe kjo bën pjesë te politika? Nga Elizeja nuk bëjnë gjë tjetër veçse nënvizojnë se Presidenti francez është lideri i parë botëror i ftuar privatisht në Shtëpinë e Bardhë. Nga ana tjetër, nga Uashingtoni, në kohën kur Obama sapo është kthyer prej një vizite surprizë në Afganistan, nuk bëjnë gjë tjetër veçse nënvizojnë vëmendjen e Barakut ndaj një aleati të domosdoshëm për luftën kundër talebanëve.
#