E Diel, 1 Nëntor 2026

Sportelistet në QSUT, ryshfet në këmbim të faturave pa vulën e mjekut

Korrupsioni ulet këmbëkryq në spital, pacientët paguajnë ryshfet dhe për faturat

Edhe pse është deklaruar shumë shpesh se korrupsioni në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza është në nivele më të ulëta se më parë dhe se shumë mjekë ose punonjës të cilët janë evidentuar duke marrë ryshfete janë pushuar menjëherë nga puna,

ky fakt nuk është bindës për asnjë. Sërish  korrupsioni duket sikur është ulur këmbëkryq në qendrën më të madhe spitalore në vend. Në një vëzhgim të kryer ditën e djeshme nga gazeta SOT evidentohet qartë se edhe vetë Sportelistet në disa prej godinave të QSUT-së në këmbim të faturave për të kryer vizitat në konsultë janë të gatshme të marrin në këmbim të faturës pa vulën e mjekut 2 deri në 5 mijë lekë nga vetë pacientët. Por në këtë rast nuk janë këta të fundit që me dëshirë ja ofrojnë këtyre punonjësve paratë por marrdhëveshja midis të dyja palëve dhe propozimi i bërë nga vetë Sportelistet për të zgjidhur sa më shpejt punë është evident. Sipas një qytetareje e cila kishte udhëtuar më shumë se pesë orë për të kryer vizitat në QSUT, një prej sportelisteve e kishte ndihmuar me faturën vetëm në këmbim të ryshfetit. Sipas saj nuk ishte hera e parë që Sportelistet e ndihmonin në këmbim të parave. Nuk kisha vulën e mjekut dhe i thashë Sportelistet nëse më ndihmonte dot, në fillim ishte indiferente e më tha prerë se nuk mund të bëja analizat nëse nuk kisha rekomandimin e mjekut dhe vulën e tij, pasi ju luta dhe i zgjata paratë e mori përsipër, më dha faturën dhe më ndihmoi edhe me analizat Kjo ka qenë deklarata e një qytetareje të thjeshtë sipas të cilës ajo nuk është e vetmja që ka dhënë ryshfet në ambientet e QSUT-së. Në disa prej deklaratave të Ministrit Vasili por edhe në daljet e shpeshta të drejtorisë së QSUT-së është luftuar dhënia e ryshfetit dhe ky veprim është cilësuar si një ndër problemet që është në reduktim nga politikat që është duke ndjekur sistemi shëndetësor. Por gjithkush prej nesh është koshient duke parë se për çdo veprim që kryejmë në spitalet apo poliklinikat shtetërore duhet patjetër të fusim dorën në xhep. Nuk janë të pakta edhe rastet kur në pamundësi të dhënies së ryshfetit nga ana e pacientëve infermieret apo edhe vetë mjekët  kanë neglizhuar në punën e tyre. Pritjet për orë të gjata mbrapa dyerve të spitaleve pothuajse përditë e konstatojnë qartë një gjë të tillë. Në disa prej deklaratave të tij ka qenë vetë Ministri Vasili që ka theksuar faktin se pacientët janë mësuar ti lënë para mjekëve për punën e bërë dhe se kjo ndikon negativisht në mardhëniet mjek-pacient. Por mesa duket Ministri Vasili ka harruar të shtojë faktin se në rastet e tjera kur fatkeqët janë pacientët e vërteta paraqitet krejt e kundërt. Edhe në rastet kur janë evidentuar rastet e ryshfeteve mjekët vazhdojnë të punojnë në klinikat private si të mos kishte ndodhur asgjë.


Zhvendosja e zyrave të ISKSH tek konsulta, çorodit qytetarët
Ditën e djeshme punonjësit e ISKSH-së janë zhvendosur në zyrat e reja në godinën e konsultave fakt ky që ka çoroditur së tepërmi qytetarët e ardhur nga rrethet por edhe nga kryeqyteti të cilët duhet të kryenin vizitat me mjekët specialistë. Përpos kësaj edhe kryerja e rezonancës shërbim i cili edhe ky është zhvendosur po në  konsultë ka krijuar rrëmujë në këtë institucion. Për shkak të lëvizjes së objekteve dhe mjeteve ndihmëse punonjësit e ISKSH-së kanë krijuar rrëmujë në korridoret e konsultës e cila ditën e djeshme ishte e tej mbushur me pacientë edhe të afër.  Por nga ana tjetër edhe hapësira tejet e pamjaftueshme në korridor dhe pritja me orë të gjata e mjekëve specialistë mprapa derës i ka bërë pacientët konfuzë madje në disa raste kjo gjë ka shkaktuar edhe acarimin e tyre.

Arta AGOLLI

Last Updated on E Merkure, 31 Mars 2010 20:17

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›