E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas marrëveshjes me Kosovën, Vuçiqi kryeministër i Serbisë

Nëse deri nga mesi i prillit nuk arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, janë të mëdha shanset që në vend të kryeministrit aktual Ivica Daçiq të vijë zv.kryeministri i parë, Aleksandër Vuçiq, shkruante dje gazeta serbe “Danas”. E nëse gjatë kësaj periudhe dështojnë negociatat dhe Serbia mbetet pa datën e fillimit të negociatave me BE-në, do të ndodhë vetëm riformatimi i Qeverisë, përkatësisht ndërrimi i disa ministrave.

“Në funksion të kësaj flasin deklaratat dhe qëndrimet e ashpra të Ivica Daçiqit dhënë kohëve të fundit rreth dialogut. Ai është i vetëdijshëm për pasojat politike dhe pozicionin e tij në Qeveri. Për këtë arsye atij nuk i përgjigjet një marrëveshje e shpejtë me Hashim Thaçin dhe Catherine Ashton”, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e gazetës “Danas”.

Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Predrag Simiq, ka thënë se ka shumë mundësi që pas përfundimit të bisedimeve me Prishtinën vendin e Daçiqit ta zërë Vuçiqi, lideri i Partisë Progresiste të Serbisë (SNS).

“Për sa kohë që vazhdojnë bisedimet, lideri i SPS-së e ka vendin e sigurt në Qeveri, por me të përfunduar ato do të ketë sigurisht ndonjë formë të rikonstruktimit, apo mund të shkohet edhe në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka pohuar Simiq.

Sipas fjalëve të tij, Daçiqi si partner i vogël në koalicionin qeveritar ia ka marrë në dorë “pataten e nxehtë” për të biseduar me Thaçin dhe se për këtë rrezikon shumë ai dhe partia e tij. Simiqi thotë se në qoftë se arrihet marrëveshje për zgjidhjen e problemeve në Kosovë, shumë njerëz do ta akuzojnë Daçiqin për tradhti, e që do të jetë një shans i mirë për kundërshtarët e tij politikë për të qëruar hesapet me të.

Drejtori i Qendrës për Studime Politike, Milan Nikoliqi, vlerëson se Serbinë e presin zgjedhjet në fund të kësaj vere dhe se “progresistët” e Vuçiqit do të gjejnë shumë lehtë arsyetimin për këtë zhvillim, duke thënë se tashmë ekzistojnë mosmarrëveshjet brenda koalicionit.

Si njërën nga mundësitë e përplasjes mes partnerëve SNS-së dhe SPS-së, Nikoliqi përmend aferat e korrupsionit dhe të ngjashme, e të cilat mund të kenë për epilog arrestimin e njerëzve nga radhët e socialistëve.

“Vuçiq dhe SNS-ja aktualisht janë në kulmin e fuqisë dhe popullaritetit gjykuar sipas hulumtimeve të opinionit publik, dhe ky trend sigurisht se do të vazhdojë. Në qoftë se Serbia do ta marrë datën e fillimit të negociatave me BE-në, ata do të tentojnë ta kapitalizojnë këtë. Në anën tjetër, nëse nuk ka datë, progresistët do ta vazhdojnë rritjen e popullaritetit duke forcuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përkatësisht arrestimin e tajkunëve. Në këtë mënyrë, SNS-ja do të mund të shkonte mbi 50 për qind të përkrahjes”, ka vlerësuar Nikoliqi.

Nënkryetarja e Partisë Socialiste (SPS), Dijana Vukomanoviq, ka thënë se respektojnë dëshirën e progresistëve, por, sipas saj, edhe SNS-së së Vuçiqit i duhet “fitorja absolute në zgjedhje”, për të fituar të tri shtyllat kryesore të shtetit – presidentin e Republikës, kryetarin e Qeverisë dhe kryetarin e Kuvendit./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›