Shpërthejnë pakënaqësitë në Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm

Menaxhmenti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm nuk ka arritur të mbajë brenda zyrës pakënaqësitë e punëtorëve dhe parregullsitë në menaxhimin e stafit. Ato kanë dalë në shesh, raporton “Koha Ditore”. Për këto kjo zyrë duhet të raportojë në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Anëtarët e këtij komisioni kanë kërkuar nga Zyra e Auditorit që të përgatisë raport me shkrim lidhur me menaxhimin e stafit në këtë institucion. “Për propozimin e deputetes Valbona Dibra, që Komisioni të kërkojë nga ZAP-i raport me shkrim lidhur me menaxhimin e stafit në këtë institucion, Komisioni vendosi që ta diskutojë këtë çështje në mbledhjen e tij të radhës”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Kuvendi i Kosovës.
Debatimi rreth kësaj kërkese është lënë për mbledhjen e radhës shkaku i mbylljes së mbledhjes së Komisionit për të marrë pjesë në seancën solemne të Kuvendit për nder të kryeparlamentarit turk, Çiçek.
Deputetja Dibra ka qenë e vendosur që kjo kërkesë të dërgohet në Zyrën e Auditorit, pas raportimeve nga gazeta për pakënaqësitë e stafit lidhur me mënyrën se si po menaxhon me zyrën Auditori i Përgjithshëm, Lage Olofsson, dhe për parregullsitë në rekrutimin e personelit brenda Zyrës.
Anëtarët e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Këshilli i Pavarur për Shërbimin Civil në Kosovë i kishin ngritur këto shqetësime qysh para një viti, por asnjë nga vërejtjet dhe rekomandimet nuk kanë ndikuar tek Zyra e Auditorit.
Menaxhmenti i kësaj zyre ka hapur konkurse dhe ka pranuar jashtëligjshëm punëtorët në punë, i ka graduar ata sipas pëlqimit të shefit të Zyrës dhe janë degraduar po me teke të tija. Këto parregullsi i pohojnë edhe punëtorët e kësaj zyre, por pa folur me emër, nga frika e pasojave.
Para disa ditësh Sindikata e ZAP-it ia ka dërguar një letër shefit të Zyrës, Lage Olofsson, ku ia ka numëruar pakënaqësitë me mënyrën se si ai po menaxhon me këtë institucion. Ata e kanë akuzuar Olofssonin për mungesë të përdorimit të kritereve të matshme dhe relevante në procese të brendshme, për mungesë transparence në seleksionimin e stafit për trajnime të ndryshme, për mostrajtim të barabartë të stafit, duke i diferencuar disa me favore dhe privilegje e disa duke i anashkaluar.
Sindikalistët kanë thënë se udhëheqësi i kësaj zyre, Lage Olofsson, ka shkelur Ligjin e shërbimit civil gjatë rekrutimit të stafit, ka favorizuar dhe ngritur në detyrë personelin e stafit sipas favoreve dhe privilegjeve personale dhe jo sipas kritereve të përcaktuara.
Deputetja Dibra edhe më herët ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me zhvillimet në ZAP. “Në kohën kur auditorët duhet të merren me ngritjen e tyre profesionale në auditimin e financave publike, ata duhet të merren me të drejtat e tyre në punë. Kjo është e patolerueshme dhe duhet reaguar urgjentisht.
Për këtë unë kam kërkuar që të formohet edhe një komision që do të bënte auditimin e resurseve njerëzore në ZAP, sepse ka qenë shqetësues mënyra si bëhet rekrutimi i stafit aty”, pati thanë më herët deputetja Dibra.
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të mbajtur të mërkurën, është shqyrtuar raporti i auditimit për procesin e menaxhimit financiar dhe sistemet e kontrollit në Radiotelevizionin e Kosovës për vitin 2011, si dhe raporti kthyes i Radiotelevizionit të Kosovës, sipas kërkesës së Komisionit.
Lidhur me këtë raport Komisioni ka kërkuar nga ZAP-i të bëjë auditim të performancës apo auditim të menaxhimit të RTK-së. Ndërsa lidhur me planin aksional të RTK-së, Komisioni kërkoi nga ZAP-i që të analizojë atë dhe të njoftojë Komisionin lidhur me adresimin e rekomandimeve. Komisioni po në këtë mbledhje ka shqyrtuar edhe raportin kthyes të Ministrisë së Administratës Publike, sipas kërkesës së Komisionit.
Komisioni, bazuar në interesimet e tij dhe kërkesën për raport, ka kërkuar informata shtesë nga Ministria e Administratës Publike. Në këtë mbledhje Komisioni u njoftua nga deputeti Bali Muharremaj, kryesues i komisionit vlerësues, lidhur me përzgjedhjen e auditorit të jashtëm, i cili do të bëjë auditimin e ZAP-it./Indeksnoline/