7000 veta në pelegrinazhin e Qafë-Botës
çështja çame klasifikohet përfundimisht si çështje e diplomacisë publike të Republikës së Shqipërisë. Dy takimet e njëpasnjëshme të kreut të Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi me numrin dy të qeverisë dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, si dhe sidomos atë me Presidentin e Republikës Bamir Topi, kanë thyer heshtjen që shteti shqiptar mbante rreth këtij problemi për gati 50 vjet. Për më shumë që për herë të parë titullarë të këtij niveli janë angazhuar publikisht për vënien në axhendë diplomatike të këtij problemi si një prioritet, i cili nuk mund të anashkalohet më. Në të vërtetë duket se PDU-ja dhe ekipi drejtues politik shqiptar ka punuar në mënyrë të organizuar, për sa kohë që vetë Idrizi është inkuadruar në delegacionin e Shqipërisë në KE duke e vendosur diskutimin e problemit në të tria hallkat komunikuese që nis me diplomacinë tradicionale si sektor i qeverisë, atë presidenciale që thotë shumë me autoritetin e përfaqësimit shtetëror, si dhe me diplomacinë parlamentare që nënkupton konsensusin e brendshëm politik. Panorama ofron kështu një intensifikim të punës së bërë, që si fillim po njeh suksesin e njohjes së çështjes që përkufizohet kështu si premisë e shtrimit të saj në tryezë. Aktet simbolike të kreut të PDU-së do të shoqërohen me një sërë aktivitetesh masive, të cilat synojnë ripërkufizimin mediatik të problemit si brenda opinionit shqiptar, ashtu edhe jashtë tij në rajon e në Europë. Konkretisht, duke nisur nga data 21 qershor dhe deri në datën 27, PDU-ja do të organizojë një javë aktivitetesh që do të trajtojnë problemin e komunitetit çam si në vështrimin historik ashtu edhe në atë politik, e cila kërkon ende një përgjigje. Një fjalim i Idrizit në Parlament do të jetë paranteza e kulmit të ceremonisë që pritet të zhvillohet më 27 qershor, dita e gjenocidit çam, dhe që konsiston në një pelegrinazh të rreth 7000 vetave në Qafë-Botë të Sarandës. Megjithatë, nëse ceremoniali i 27 qershorit është një detyrim i komunitetit për historinë e vet dhe të komunikimit të saj me pjesën tjetër të shqiptarëve, kontaktet politike të Idrizit me dy titullarët përbën aktin kryesor të asaj që mund të quhet një kthesë në sjelljen e shtetit shqiptar. Brenda këtij konteksti është i pritshëm një takim edhe me Kryeministrin Sali Berisha, i cili po t’u referohemi deklaratave të tij të para si politikan ka njohur detyrimin për zgjidhjen e këtij problemi, aq më shumë që Shqipëria ka plotësuar detyrimet e veta ndaj pakicave që jetojnë në territorin e saj.
#