Pas parashikimit të Antenës, Berisha thyen rekordin e notit në Dhërmi
Kryeministri Berisha, sipas asaj që parashikohej ditën e djeshme tek Antena Brenda Familjes, ka thyer sërish rekordin e tij në not.
Për të disatin vit radhazi, kryeministri Berisha ka sfiduar vetveten në detin e Dhërmiut, duke thyer rekordin e vendosur një vit më parë për qëndrimin sa më gjatë në ujë duke notuar.
Këtë herë, shefi i Ekzekutivit, i cili po pushon në bregdetin e Dhërmiut, ka qëndruar 141 minuta, në ujërat e detit. Ky është një rekord i ri për kryeministrin Berisha, i cili këtë vit ka qëndruar 9 minuta më shumë në ujë, krahasur me vitin e kaluar. Vitin e kaluar ai ka notuar për 132 minuta.
Në fjalën e tij kryeministri tha se ky rekord i ri personal është një ogur i bardhë për fitoren e merituar të zgjedhjeve të 2013. Ndonëse ky rekord i ri është historik i Kryeministrit Berisha por ai beson se në gusht mund të shënojë një rekord tjetër të ri.
Në vitin 2008, kryeministri Berisha ka qëndruar në ujë vetëm 120 minuta, në vitin 2009 kishte qëndruar 123 minuta, në vitin 2010 ka qëndruar 127 minuta, në vitin 2011 ka qëndruar 132 minuta ndërsa këtë vit ka qëndruar në det për 141 minuta, thuhet në një njoftim të Kryeministrisë për këtë ngjarje historike.