E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas protestave, Kremlini pranon pakënaqësinë e qytetarëve

Pas një dite të gjatë protestash, ku morën pjesë mijëra njerëz nëpër gjithë Rusinë, zyrtarët pranojnë se qytetarët janë të pakënaqur më zgjedhjet e fundit parlamentare.

Dimitri Peskov, zyrtar për informim i kryeministrit Vladimir Putin, tha se qytetarët rusë kanë të drejtë të shprehin qëndrimet e tyre, përderisa e bëjnë një gjë të tillë në mënyrë ligjore e paqësore.

Kjo deklaratë vjen pas protestave kundër rezultateve të zgjedhjeve të 4 dhjetorit, në të cilat partia në pushtet e Vladimir Putinit fitoi shumicën e votave, mes pretendimeve të shumta për mashtrim dhe manipulim të votave.

Protestuesit dolën nëpër rrugët e Rusisë për të kërkuar zgjedhje të drejta dhe të ndershme, duke shprehur pikërisht atë që nuk mund të thuhej një javë më parë.

“Rusia pa Putinin” ishte thirrja më e preferuar e mijëra demonstruesve që marshonin pranë Kremlinit, në demonstratën më të madhe pro demokracisë, që kur Vladimir Putini erdhi në pushtet në vitin 2000.

Nga Vladivostoku në brigjet e Oqeanit Paqësor në Kaliningrad në brigjet e Detit Balltik, dhjetëra mijëra rusë dolën nëpër rrugë, për të protestuar kundër manipulimit të zgjedhjeve parlamentare të së dielës së kaluar.

Në Sheshin e Revolucionit në Moskë, Evgenia Çirikova, udhëheqëse e opozitës, tha se lëvizja për demokraci kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe lirimin e të burgosurve politikë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›