Njeriu që i tha “jo” Evropës

Vendimi i kryeministrit të Britanisë, David Cameron, për të bllokuar ndryshimin e traktatit të BE-së, duke e shfrytëzuar të drejtën e vetos të shtetit të tij, ka nxitur një atmosferë festive në mesin e euro-skeptikëve në Britani. “Më në fund”, shkroi Norman Tebitt, një nga ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të Margaret Thacherit. Cameron, shkroi ai, ka përdorur atë veto, të cilën ish-kryeministri i Britanisë, John Major, është dashur ta përdorë kundër Traktatit të Maastrichtit, me të cilin u krijua valuta euro. “Duhet të jemi mirënjohës”, shtoi Tebbitt.
Tabloidi Daily Mail, zëdhënës i kontingjentit të madh të euro-skeptikëve në Britani, e uroi Cameronin për këtë “vendim jashtëzakonisht të guximshëm”.
Është ky komplimenti më i madh, që mund t’i bëhet një kryeministri konservator-në veçanti kur dihet se Cameron premtoi se do të “luftojë” me gjithë fuqinë në samitin e Brukselit.
Por nuk janë të gjithë në Britani anti-evropian. Disa komentues kanë tërhequr vërejtjen nga rreziku i një Evrope me dt klasa, me Britaninë duke e shikuar nga jashtë. Shteti, shkroi The Guardian, është shkëputur nga pesë dekada të politikës së jashtme. Britania për një kohë të gjatë ka synuar që të pamundësoi dominimin e BE-së nga Gjermania dhe Franca, por tani Londra nuk ka më se çfarë të thotë, shkroi më tutje kjo gazetë.
Politikanët nga radhët e të dyja anëve të spektrit politik duket se kanë kuptuar se samiti i BE-së ishte një moment definues për vendin. Natyrisht, Britania për një kohë të gjatë ka shijuar rolin e të vetmuarit në union-por epilogu 26 me një i votimit në favor të unionit fiskal, duket se ka qenë një shok i vërtetë.
Disa njerëz tashmë kanë filluar të cilësojnë Cameronin si fajtor, madje edhe disa nga radhët e koalicionit të tij qeveritar. “Është kjo një ditë e zezë për Britaninë në Evropë. Ne nuk do të jemi në dhomën e pritjes, në kohën e marrjes së vendimeve të rëndësishme”, deklaroi demokrati liberal, Lord Oakeshott.
Aleati nga radhët e partisë së tij, Chris Davies, anëtar i Parlamentit Evropian, akuzoi Cameronin për tradhti ndaj Britanisë. Kryesuesi i demokratëve liberalë, Nick Clegg, përndryshe zëvendës i Cameronit, tentoi të mbrojë kursin e kryeministrit në Bruksel.
Edhe Partia Laburiste në opozitë ishte gjithashtu tejet kritike ndaj Cameronit dhe akuzoi atë se nuk ka vepruar në përputhje me interesat kombëtare.
E megjithatë, refuzimi i Britanisë në Bruksel është pasojë logjike e debatit për BE-në prapa në shtëpi, i cili gjatë viteve të fundit është shkëputur gjithnjë e më tepër nga realiteti. Cameroni vetë ndezi flakën gjatë kohës sa partia e tij ishte në opozitë, duke larguar konservatorët britanikë nga konservatorët evropianë. Ai kishte theksuar se konservatorët britanikë nuk përputhen me Evropën. Që nga ajo kohë, shtypi britanik e ka portretuar Brukselin si armik.
Zyrtarët e BE-së ankohen se është e pakuptimtë që të bisedohet me gazetarët britanikë. “Gjithmonë bëhet fjalë vetëm për konfrontim”, thotë një zëdhënëse e BE-së.
Euroskeptikët tani shpresojnë se vetoja do të jetë hapi i parë drejtë largimit të Britanisë nga BE-ja. Ata e ndajnë këtë dëshirë me një numër të madh të parlamentarëve evropianë, përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe kryesues të shteteve dhe qeverive, të cilët janë lodhur nga bllokadat e britanikëve. Por kjo me gjasë nuk do të ndodhë. Përkundrazi, qeveria britanike tashmë ka deklaruar betejën e saj të ardhshme në Bruksel. Ajo synon të sigurohet se struktura e re paralele e unionit fiskal nuk do të shkel ligjin e BE-së.
Prapa në shtëpi, Cameron duhet të dëshmojë se ende ka ndikim në Bruksel. Marrëdhëniet e tij me Merkelin dhe Sarkozynë mbesin jashtëzakonisht të mira, theksojnë bashkëpunëtorët e tij.
Nëse opinioni publik krijon bindjen se Cameroni e ka izoluar vendin në BE, vetëm sa për të kënaqur euro-skeptikët në shtëpi, ai shumë shpejtë mund të cilësohet si një burrështetas jo-kompetent.