E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas shpëtimit të Libisë nga NATO-ja

Nga Christopher Hill

Gaddafi ishte diktator brutal, mirëpo ai e mori pushtetin dhe e mbajti për 42 vjet për një arsye. Po qe se kemi mësuar diçka nga Iraku dhe Afganistani, atëherë ajo është se disa vjet politikë apo rindërtim institucional, nuk mund të shkelin shumë shekuj kulture. Ata shekuj, e jo pjesa e mbetur e regjimit të Qaddafit, ka shumë gjasa të bëhen armiku i vërtetë i ndryshimeve në Libi

Singapor, 25 gusht Derisa NATO-ja mbase nuk do të dëshironte që ndërhyrjen e saj në Libi ta përsëriste në ndonjë pjesë të botës, duket se aleanca, me një ndihmë të vogël nga miqtë, korri fitore në Libi, duke e rrëzuar nga pushteti kolonelin Muammar el-Gaddafi. Është ky një çast i mirë për NATO-n, ndonëse ai më shumë paraqet ndjenjë lehtësimi, sesa kremtimi.

Duke e pasur parasysh mishmashin e politikës së shteteve anëtare (për rrëzimin e Qaddafit) dhe strategjinë për të mbrojtur civilët bazuar në një rezolutë të kontestuar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, NATO-ja natyrisht se mund të krenohet se ka menaxhuar një sfidë të madhe dhe e ka përforcuar rolin si institucion eminent euroatlantik.

Megjithatë, tani vjen pjesa e vështirë. Libia nuk ishte shtet që funksiononte pa probleme para luftës civile të gjashtë muajve më parë, mirëpo ajo është e shkatërruar në tërësi dhe do të ketë nevojë për rindërtim operacione të pasluftës apo operacione stabiliteti, ndërtim kapacitetesh institucionale, reforma ekonomike dhe siguri.

Ashtu si edhe në shumicën e shteteve të pasluftës, udhëheqja efektive dhe legjitime do të jetë e vështirë të gjendet. Këshilli Nacional Transitor, organi qeverisës i themeluar në shkurt nga grupet e ndryshme rebele, ka funksionuar goxha mirë, duke pasur pengesat dhe presionet me të cilat është përballur. Mirëpo shkathtësitë e nevojshme për një udhëheqje gjatë kohës së luftës dallojnë nga ato që duhen për udhëheqjen e një shteti sovran.

Duke e pasur parasysh shumëllojshmërinë e Këshillit, do të ketë presion të natyrshëm brenda Libisë dhe jashtë saj për mbajtjen e zgjedhjeve të shpejta. Grupet e ndryshme politike duhet të diskutojnë rreth afatit për zgjedhjet popullore, ta informojnë bashkësinë e shqetësuar ndërkombëtare dhe në fund ta caktojnë (dhe ta respektojnë) datën. Mirëpo ajo datë nuk duhet të caktohet menjëherë, në mënyrë që të ketë kohë për rindërtimin e institucioneve politike dhe të ekonomisë.

Sistemi i sigurisë dhe drejtësisë, që ka qenë nën kontrollin strikt të Qaddafit, duhet të jetë prioriteti i parë, ndonëse paraqet fushën e cila ka më së shumti nevojë për një reformë të thellë dhe afatgjatë. Vetëm mund të merret me mend nepotizmi endemik dhe korrupsioni që ka karakterizuar në mënyrë tradicionale forcat policore të Libisë, mirëpo ato do të duhej të viheshin në funksion me shpejtësi, mbase përmes ndonjë betimi për besnikëri dhe stërvitje. Një zgjidhje e tillë nuk është ideale, mirëpo lejimi që rrugët të drejtohen nga paramilitarët dhe grupet e ndryshme fisnore do të ishte shumë më i rrezikshëm.

Mirëpo, sfida kryesore me të cilën do të përballet qeveria e re e përkohshme do të jetë se çfarë të bëhet me grupet e ndryshme rebele që e çliruan shtetin. Ne mund të presim që sulmet shkatërrimtare të NATO-s mbi forcat e Qaddafit do të harrohen së shpejti, në rrëfimet heroike të avancimit të shpejtë të rebelëve drejt Tripolit. Sa më shpejt të shpërbëhen këto forca, aq më mirë. Shumica mbase do të absorbohen në shërbimin libian të sigurisë, mirëpo të tjerët shpresojmë se do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Sasia e madhe e armatimit të shpërndarë nëpër shtet paraqet rrezik të madh për një Libi si shtet i suksesshëm me qeveri efektive.

Forcat e armatosura të Qaddafit ishin zgjedhur në bazë të besnikërisë dhe përkatësisë etnike, e jo në ndonjë koncept merite dhe për këtë arsye mbase mund të jetë i lartë motivimi për tiu hequr atyre uniformat dhe për ti dërguar në shtëpi. Mirëpo, leksioni më i rëndësishëm i nxjerrë nga Iraku erdhi nga vendimi pothuajse katastrofik për shpërbërjen e ushtrisë së Saddamit, pa pagesë apo pension. Ky vendim ishte rrënjë e shumë problemeve të mëvonshme irakiane të sigurisë.

Libia ka fat në shumë mënyra. Sektori i naftës duket të jetë relativisht i paprekur dhe mund të kontribuojë në të ardhurat e qeverisë shumë shpejt. Për dallim prej saj, shtetet e tjera që po kalojnë nëpër ndryshime radikale, përfshirë Egjiptin dhe Tunizinë, varen më shumë nga sektori i shërbimeve, përfshirë industrinë e turizmit.

Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e gatshme për ta ndihmuar Libinë. Vendimet kryesore duhet të merren në konsultime ngushta me udhëheqjen e re të shtetit, për çshkak institucionet ndërkombëtare, civile dhe ushtarake duhet të jenë të pranishme në terren. Sërish NATO-ja mund të jetë e popullarizuar tani, mirëpo një gjë e tillë mund të ndryshojë. Libianët, si popujt e tjerë arabë, mund të dalë se kanë qëndrime kundërthënëse, të cilat shkaktuan huti tek Perëndimi në Irak: ata mund të kenë nevojë për ne, mirëpo po ashtu do të duan që të largohemi.

Qeverisja, ndërtimi i institucioneve, siguria dhe arritja e marrëveshjes mbi një prani ndërkombëtare janë sfida të mëdha, mirëpo mbase aspekti më shqetësues i Libisë së pas-Gaddafit do të jetë qëndrimi midis ekspertëve perëndimore se përvojat në Irak e Afganistan na kanë dhënë njohuri dhe shkathtësi për menaxhimin e të gjitha këtyre operacioneve.

Njohuria kolektive e shteteve perëndimore nuk mund ta zëvendësojë mençurinë kolektive rreth historisë së veçantë të Libisë. Gaddafi ishte diktator brutal, mirëpo ai e mori pushtetin dhe e mbajti për 42 vjet për një arsye. Po qe se kemi mësuar diçka nga Iraku dhe Afganistani, atëherë ajo është se disa vjet politikë apo rindërtim institucional nuk mund të shkelin shumë shekuj kulture. Ata shekuj, e jo pjesa e mbetur e regjimit të Qaddafit, ka shumë gjasa të bëhen armiku i vërtetë i ndryshimeve në Libi.

(Autori, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit për Azinë Lindore, ka qenë ambasador i SHBA-së në Irak, Kore të Jugut, Maqedoni e Poloni. Ai po ashtu ka qenë emisar i posaçëm amerikan për Kosovën, negociator i Marrëveshjes Paqësore të Daytonit dhe kryenegociator i SHBA-së me Korenë Veriore gjatë viteve 2005-2009. Ai tani është dekan i Shkollës Korbel për Studime Ndërkombëtare në Universitetin e Denverit. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, Project Sindycate

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›