Pas takimit dhe bërjes publike të deklaratës së përbashkët, Kryeministri Sali Berisha dhe ish Kryeministri Fatos Nano bënë këto komente për mediat: Kryeministri Berisha: Deklarata vendos
Pas takimit dhe bërjes publike të deklaratës së përbashkët, Kryeministri Sali Berisha dhe ish Kryeministri Fatos Nano bënë këto komente për mediat:
Kryeministri Berisha: Deklarata vendos para të gjithë interesave, interesat demokratike dhe evropiane të qytetarëve shqiptarë, interesat më të mëdha të kombit dhe të vendit. Jam i vendosur, me përkushtim, të punoj për jetësimin e kësaj deklarate, të bëj çdo përpjekje, si qeveri dhe si parti politike, për zgjedhje plotësisht të lira dhe të ndershme, të bëj çdo përpjekje së bashku me zotin Nano dhe faktorë të tjerë, pa përjashtuar askënd, për të dalë nga kjo krizë, e cila, në vlerësimin tim, ka në bazë absurdin, sepse unë nuk di t'i gjej një bazë tjetër. Mendoj se është një përpjekje në një moment të vështirë dhe delikat për vendin, për një proces për të cilin qytetarët shqiptarë janë plotësisht të pjekur dhe e meritojnë atë.
Zoti Nano: Më lejoni të ndaj me ju vlerësimin për këtë iniciativë të përbashkët të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe timen, si ish Kryeministër, që ka sjellë deri afër përfundimit procesin e negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE, që nënshkroi qeveria e drejtuar nga zoti Sali Berisha. Besoj se ky vlerësim, me kontributin tuaj, shkon në momentin e duhur në vëmendjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë të vendit, të cilët presin zgjidhjet e munguara dhe hapat e mëdha përpara nga politika dhe institucionet e shtetit tonë demokratik
Unë besoj se edhe ju, ashtu si i gjithë opinioni publik, do të vlerësoni se bëhet fjalë për një frymë të re në politikën shqiptare, e cila synon të zgjedhë reformat e mëdha për integrim, vendimmarrjen strategjike për zhvillim të qëndrueshëm dhe përshpejtimin e hapave që aktivizojnë potencialet e mëdha njerëzore dhe natyrore që ka vendi për të konkurruar në hapësirat globale ku po integrohemi, si një vullnet që nuk mund të vijë ndryshe në shoqërinë shqiptare, përveç se nëpërmjet dialogut mes kundërshtarëve politikë. Unë besoj se hapat e mëdha, iniciativat e mëdha që ndryshojnë faqen dhe klimën e zhvillimit të Shqipërisë në demokraci, mund të vijnë vetëm nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit të autoriteteve të mëdha të dy palëve.
Unë jam i bindur që kjo nuk do të mbetet një iniciativë vetëm e Kryeministrit aktual dhe ish Kryeministrit si autoritete politike. Prandaj, dua të vë theksin, në mënyrë të përsëritur, tek apeli që përfshin deklarata jonë e përbashkët që të gjithë aktorët e përgjegjshëm të politikës shqiptare, të gjithë aktorët dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që lëvizin tashmë në hapësira gjithnjë e më evropiane në vendin tonë dhe ju, si media e lire, të bashkoheni në nxitjen dhe mbështetjen e iniciativave që i bëjnë gjithnjë e më konvergjente harxhimin energjive, si dhe orientimin e sipërmarrjeve të lira shtetërore ekonomike dhe sociale drejt një efikasiteti më të madh në realizmin e iniciativave ndërkombëtarë të integrimit në BE dhe në NATO.
Unë do të uroja që ju të ndeshni, në veprimtarinë tuaj të përditshme, gjithnjë e më shumë mesazhe që konvergojnë në këtë angazhim solemn të dy autoriteteve politike që miratuan deklaratën e sapo publikuar. Faleminderit.
Pyetje: Ju thatë se keni bërë gjithçka për të kapërcyer këtë situatë, por pyetja ime është, mos ndoshta për të kapërcyer këtë situatë dhe jo për ta thelluar atë, nuk do ishte ndoshta më korrekte që të konsumonit një takim me kryetarin aktual faktik të PS-së, zotin Rama?
Zoti Berisha: Pyetja juaj më habit. Si gazetarë, jo pa memorie politike, duhet të kujtoni se kam shprehur në mënyrë të përsëritur gatishmërinë për të takuar zotin Rama dhe nuk kam marrë përgjigje, përkundrazi. Jam takuar me zotin Meta dhe kam bërë përpjekjet më serioze për të dhënë një zgjidhje, kam takuar zotin Majko, kam diskutuar, për rreth një orë, për të gjetur një zgjidhje, kam komunikuar me shumë eksponentë. Dua t'ju siguroj se, pavarësisht nga absurdi në të cilin ndodhemi, komunikimi nuk është ndërprerë për asnjë moment dhe nuk mund të ndërpritet.
Pyetje: Zoti Nano, ju duhet të jeni koshientë që një lëvizje e tillë, kur ju ende nuk po konkretizoni atë çfarë keni ndërmend të bëni për rikthimin e fuqishëm tuajin në politikë, mos ndoshta po i paguani me këtë lëvizje një kosto të lartë asaj që mund të quhet një ambicie e juaja për tu bërë president i vendit?
Zoti Nano: Për të qenë alternativ në komunikimin e përbashkët me ju përkrah zotit Berisha, më lejoni të them se mua nuk më habit pyetja juaj. E them këtë sepse vlerësoj se kjo është pjesë e opinionit dhe të ndjeshmërisë që qarkullon në publik dhe në politikën shqiptare. Por, ndërkohë, më duhet të ritheksoj se iniciativa dhe procesi bipartizan që ne po iniciojmë nuk drejtohet kundër askujt, aq më pak do të synonte të përjashtonte faktorë të stërvitur për kontakte, negociata, dialog politik me Evropën moderne, me përfaqësuesit e saj politikë, institucionalë dhe diplomatikë, që ndodhen në Partinë Socialiste që unë kam drejtuar dhe stërvitur njëkohësisht, për vite me radhë. Nga kjo pikëpamje, unë besoj se ju e morët përgjigjen që kërkonit. Ju, si gazetar me përvojë, e synoni përgjigjen edhe duke sjellë në vëmendjen e opinionit rrezikun e të kundërtës. Pra, përgjigjja është që spektri i politikës dhe i përfaqësuesve të interesave të një Shqipërie që zhvillohet drejt Evropës është shumë më i gjerë sesa konflikti i ditës, sesa bllokimi i procesit të zgjedhjeve vendore të radhës. Unë e zoti Berisha jemi të vendosur që këtë interpretim dhe angazhimet që burojnë prej tij ta ndajmë me një shumicë faktorësh të tjerë, përfaqësues të Shqipërisë në marrëdhëniet me Evropën, sepse jam i bindur maxhoranca evropiane e vendit është më e madhe se çdo maxhorancë shqiptare e momentit.
Pyetje: Lëvizja juaj edhe pse e papritur ishte plot me detaje dhe deklarata natyrisht është e mirëpritur nga të gjitha. Por a keni menduar se ku do ta vendosni atë që ‘de juro' është kryetari i PS-së, zotin Edi Rama, i cili ka mbetur ende tek negociatat tek Presidenti i Republikës?
Zoti Berisha: Deklarata ishte ftesë për të gjitha forcat pro evropiane të vendit. Deklarata nuk njeh përjashtime, u bën thirrje forcave tona politike, qytetarëve, shoqërisë civile, mediave të kontribuojnë për të dalë nga ky spiral absurd.
Pyetje: Zoti Nano, ju si aktor shumë i stërvitur me marrëveshjet, sikurse e thatë edhe vetë, e parashikoni zotin Rama brenda propozimit që ju bëtë me këtë lëvizje, do t'i bëni thirrje që të bashkohet me ju, apo keni një iniciativë që ju do ta ndërmerrni për hir të interesave të vendit, duke kaluar të gjitha propozimet në Kuvend në mënyrë që të marrin shumicën e cilësuar dhe që do të zhbllokojnë situatën?
Zoti Nano: Unë vlerësoj se çdo përfaqësuesi kryesor ose relevant politik ose jo politik në Shqipëri i jepet një mesazh i qartë nëpërmjet këtij qëndrimi të përbashkët politik të zotit Berisha dhe timin për nevojën e konvergjencës dhe të komplementaritetit me një zhvillim të madh, të munguar në politikën shqiptare. Natyrisht, ne nuk kushtëzojmë dhe nuk diskriminojmë, aq më pak dënojmë askënd. Kjo është fryma me të cilën ne komunikojmë me opinionin publik dhe me përfaqësuesit e zhvillimit evropian në vend. Vetëm në dorën e cilitdo përfaqësuesi, por unë besoj se elementet e sjelljes negative përballë interesave kombëtare dhe të veprimit informal, ku Shqipëria po legalizohet deri në skutat e saj më të largëta, tashmë janë konsumuar dhe janë të qartë në vëmendjen e të gjithëve jo vetëm të publikut vendas, por edhe të faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtar që na monitorojnë dhe asistojnë. Vetëpërjashtimi nuk mund të evitohet nga një angazhim që i drejtohet shumicës dhe për pasojë kjo është sfidë personale e atyre që do ta zgjedhin. Më lejoni të ritheksoj bindjen time se maxhoranca e faktorëve evropianë në Shqipëri do ta mbështesin këtë frymë dhe do të kontribuojë për zhvillimin e saj të qëndrueshëm.
Pyetje: Duke iu rikthyer memories politike, ju pak pas fitimit të zgjedhjeve deklaruat për zotin Nano pensionin e tij politik. Në këtë moment duket se nuk jeni shumë i bindur se e keni nxjerrë apo jo në pension politik.
Zoti Berisha: Ju ngatërroni deklaratat elektorale dhe post elektorale me përpjekjet më serioze për të dhënë zgjidhje dhe shtytje një procesi jetik për vendin, për demokracinë, qytetarët dhe integrimin. Këto në mendimin tim janë dy gjëra të ndryshme. Por jam i bindur se askush nuk mund ta nxjerrë jashtë këtij konteksti këtë përpjekje tonën. Ju jeni dëshmitar se, në përpjekjet për t'i dhënë zgjidhje, një koalicion prej 7 partish politike bëri një marrëveshje me zotin Meta dhe sërish ai është i përfshirë. Kjo është një përpjekje shumë e sinqertë për një proces, të cilin ne realisht e konsiderojmë vendimtar për ecurinë e demokracisë shqiptare dhe integrimin e vendit në institucionet euroatlantike. Jashtë kronikave dhe jashtë të gjitha paragjykimeve mendoj se procesi është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Pyetje: Zoti Nano a nuk do të ishte më e udhës që para këtij takimi të zhvillonit paraprakisht një takim me krerët e partive të opozitës për të shfaqur më pas këto qëndrime me Kryeministrin?
Zoti Nano: Besoj se për të qenë konvergjent me frymën që duam të sjellim në dominante të zhvillimit edhe në politikën shqiptare, të frymës bipartizane dhe konsensuale, me angazhimin tonë të përbashkët dalim përtej kornizave të politikës së vjetër, kur vendimmarrja e rëndësishme mbetej ekskluzivitetet i krerëve të partive. Unë nuk mendoj se vendimmarrjet e rëndësishme mund të realizohen pa kontributet e krerëve të zgjedhur në mënyrë demokratike në partitë legjitime që funksionojnë në shoqërinë tonë pluraliste. Angazhimi është shumë më lartë dhe më gjerë sesa zyrat e krerëve. Unë besoj se edhe zoti Berisha po jep prova për të mos i mbajtur shqetësimet e mëdha të Kryeministrit të Shqipërisë, të cilat unë i kuptoj për shkak të eksperiencës së mëparshme, brenda zyrës së tij shtetërore apo zyrës së tij politike. Prandaj ne kërkojmë që krahas krerëve me konvergjencë për përshpejtimin e reformave të integrimit të bashkohen të gjithë faktorët që realisht mbajnë Shqipërinë të ngulur fort në këtë proces të përafrimit me Evropën dhe të shfaqen tani për të zhbllokuar procesin administrativ zgjedhor, për t'u përgatitur për sfida të tjera jo vetëm elektorale, por të garantojnë stabilitetin dhe integrimin me dinjitet të Shqipërisë, pra të të gjithë faktorëve që përfaqësojnë Shqipërinë, edhe të krerëve, në botën evropiane që po na asiston me aq shumë vëmendje dhe kontribute.
Pyetje: Kryetari i KQZ-së ka deklaruar se, nëse nuk do të nxitoni, atëherë dhe data 18 shkurt do të jetë e pamundur për të zhvilluar zgjedhjet. Sa kohë do të prisni për reflektimin e partive të tjera të opozitës, të cilat deri tani nuk duken shumë optimiste për këtë takim.
Kryeministri Berisha: Një proces serioz tryeze, dialogu, po vazhdon nën drejtimin e Presidentit të Republikës. Kjo deklaratë dhe ky takim është një mbështetje e fuqishme për këtë proces, vlerësim për këtë proces, me dëshirën që përgjigjja të jetë sa më e shpejtë. Dua të ripërsëris sërish një bindje timen; Shqipëria është vend me probleme, por është një vend me shoqëri me maturitet politik dhe ata që nuk përllogarisin maturitetin e shoqërisë shqiptare, gabojnë. Ky vend është një vend me ligje të mira, me ligje të cilat lejojnë funksionimin e shtetit ligjor. Ky vend është një vend me Kushtetutë demokratike dhe më një vokacion të papërmbajtur për integrimin euroatlantik. Ndaj dhe këtu, sot, si Kryeministër i këtij vendi, zoti Nano si ish Kryeministër, por edhe si dy personalitete protagoniste të rotacionit politik të korrikut që kaloi, sërish jetësuan këtë deklaratë, principe të cilat ne besojmë se janë të domosdoshme për vendin, për të ecur në rrugën e integrimit.
Pyetje: Zoti Nano, a besoni dhe ju në një reflektim pozitiv të drejtuesve të opozitës?
Zoti Nano: Pa ekuivoke po. Dhe për këtë, angazhohem, si një nga përfaqësuesit e opozitës që ka akoma kontribute për të dhënë dhe që sot, më shumë se kurrë, ndjen që kontributet që kërkohen janë ato që mund të bashkojnë një shumicë edhe të opozitës, në mbështetje të reformave më të shpejta të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Flas për përfaqësues politikë të opozitës në parlament, flas për përfaqësues të opozitës së sotme në qeverisjen vendore, të cilët, jam i bindur, kanë aftësitë, krahas respektit për Kushtetutën dhe ligjet demokratike të vendit, për të konkurruar në zgjedhjet e ardhshme, për të përsëritur autoritetin e tyre, i cili do të vazhdojë të mbetet, si për maxhorancën dhe për opozitën, në gjykimin e votuesve të mbarë Shqipërisë, të cilët sot po marrin një sinjal shumë të rëndësishëm.
Jam i bindur që sinjali që lëshojmë sot, Kryeministri dhe unë, është një dëshirë e hershme e të gjithë shqiptarëve, që do të mirëpritet prej tyre dhe, për këtë shkak, nuk do mund të sabotohet nga cilido përfaqësues i vogël dhe i tkurrur pas anktheve apo interesave minore, në raport me interesat e integrimit.
Pyetje: Si e gjykoni rolin e Presidentit në këtë krizë?
Kryeministri Berisha: Mendoj se prej dy ditësh, Presidenti i Republikës ka bërë përpjekjet më serioze për një marrëveshje për zgjidhjen e situatës. Jam gjithashtu i kënaqur se, koalicioni qeveritar firmosi tekstin integral të marrëveshjes që Presidenti i Republikës paraqiti si draft të tij dhe të komunitetit ndërkombëtar, në të cilën që të gjitha pikat ishin kërkesa jo të qeverisë. Unë kërkoj këtu mirëkuptimin tuaj dhe të qytetarëve se, në të gjitha këto qëndrime për certifikatat që u demonizuan në këtë mënyrë, ne kemi vetëm një shkak dhe ky është shkaku ligjor. Kodi elektoral i këtij vendi i njeh ato si dokument themelor për të votuar, ligji i gjendjes civile i njeh ato si dokumente identiteti të qytetarëve shqiptarë.
Pra, ne e firmosëm marrëveshjen. Dje, Presidenti i Republikës, për shkak se pala tjetër nuk ishte dakord, ka vazhduar përpjekjet deri në orët e para të mëngjesit dhe nuk është se nuk u bë një punë serioze, por, në fund u rikthye ideja e noterizimit të dokumenteve zyrtare. Imagjinoni ju sikur dikush t'ju kërkojë kopje të noterizuar të diplomave tuaja, të patentave tuaja, sepse, në këtë drejtim, duhet ta masim veten me qytetarin. Nuk mund të bëjmë dënime kolektive. Kjo është gjithë arsyeja, asgjë tjetër. Ndaj edhe ne, në deklaratë, e kemi shprehur mbështetjen për procesin e nisur nga Presidenti.
Pyetje: Po në vlerësimin tuaj, zoti Nano, si e gjykoni nismën e Presidentit? Nga ana tjetër, nëse nuk do të ketë një ndjeshmëri të madhe nga opozita, si mendoni të jepni kontributin tuaj në parlament për kalimin e gjithë ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. A i keni ju votat e mjaftueshme për këtë. Më drejtpërdrejtë, a do të jeni ju ditën e hënë në parlament, zoti Nano?
Zoti Nano: Unë besoj se, në të njëjtin vlerësim, dua të bashkohem për përpjekjet e admirueshme të Presidentit të Republikës, krahas faktorëve të tjerë të përgjegjshëm, pra asistencës së përfaqësuesve të rëndësishëm, për të zhbllokuar procesin zgjedhor të radhës. Kjo më lejon gjithashtu të konstatoj se, Presidenti i Republikës nuk mund të bëjë detyrën e munguar të përfaqësuesve politikë apo të ekspertëve që negociojnë për zgjidhjet teknike të munguara. Pra, unë do të theksoja, në këtë rast, se askujt nuk i lejohet të nëpërkëmbë institucionet, aq më pak kryetarin e shtetit, qeverinë e vendit të tij, si dhe parlamentin, që është institucioni kryesor i demokracisë shumëpartiake.
Për pasojë, unë do të vazhdoj të jem i pranishëm, jo vetëm në Kuvendin e Shqipërisë, që është tempulli i demokracisë, por edhe në kontakte të tjera me përfaqësues politikë dhe jo të tillë, të lëvizjes dhe interesit evropian të shqiptarëve, me të cilët do të vazhdoj të synoj dhe të punoj – jam i sigurt për suksesin – për mpiksjen e maxhorancave më të gjera sesa ato zyrtare, në dobi të integrimit evropian.
Pyetje: Zoti Berisha, ju do ta përkrahni një kandidim të mundshëm të zotit Nano për President të Republikës?
Kryeministri Berisha: Në këtë takim, të jeni të sigurt, se nuk ka asnjë interes personal të Sali Berishës, apo të zotit Fatos Nano. Në këtë takim është diskutuar çdo gjë për një proces, të cilin askush nuk mund ta mohojë që është jetik për vendin. Ne, në rast se duam që në Shqipëri të funksionojë shteti ligjor, në këtë vend duhet të respektohen dhe zbatohen ligje, duhet të respektohet dhe zbatohet Kushtetuta.
Pyetje: Zoti Nano, lëvizja juaj a ka ndonjë lidhje ndoshta me një rinovim të strukturave të Partisë Socialiste?
Zoti Nano: Më lejoni të ritheksoj se takimi i sotëm shënon nisjen e një procesi, i cili nuk mund t'u japë që sot përgjigje të gjitha pyetjeve dhe dilemave që kanë frenuar zhvillimin tonë, me ritmet e duhura, drejt standardeve evropiane dhe politikës bashkohore. Jam i sigurt se në këtë proces do të marrë përgjigje edhe një pjesë e interesave apo pyetjeve që opinioni publik, siç e interpretuat ju, ende kërkon. Besoj se shtrati më i mirë për të mos e lëshuar vendin jetim nga krizat e vogla të zgjedhjeve administrative të radhës, tek krizat e mëdha që do të bllokonin zgjedhjen e Presidentit të Republikës - dhe në këtë rast Kushtetuta parashikon një lëngim të gjatë të institucioneve, - do të gëzojë mbështetjen e shumicës, do të gëzojnë mbështetjen e faktorëve më përfaqësues dhe më të përgjegjshëm për fatet e integrimit evropian të vendit, të stabilitetit dhe iniciativave që sigurojnë mirëqenien dhe mbarëvajtjen e shoqërisë. Për pasojë, ne po përsërisim angazhimin për të kthyer faqen, për të ndryshuar klimën dhe rezultatet e investimit politik të përfaqësuesve në Shqipëri.