Pas trafikut të armëve, New York Times merret edhe me universitetet private në Shqipëri
Gazeta e njohur amerikane, New York Times, e cila shkroi pak ditë më parë për trafikun e armëve drejt Sirisë, duke përmendur Shqipërinë si një të dyshuar, ka përgatitur një investigim të gjatë në lidhje me universitetet private në Shqipëri. Në fakt në qendër të investigimit është mundësia e marrjes së një diplome amerikane në Shqipëri. Gazetari merret me Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë. Gazetari zbulon se ndryshe nga sa bëhet reklamë se ai është një universitet tipik amerikan me kampus, sporte e jetë sociale, ai është thjeshtë një godinë, pa mensë, pa konvikte, pa palestër e le më pas stadium. Fotot që ilustrojnë reklamën e universitetit në internet janë shkrepur diku tjetër. Shkrimi thotë se studentët paguajnë deri në 32.500 dollarë për një diplomë aty.
Shqetësimi i gazetarit është se universitete të ndryshme në SHBA, Britani apo Australi, në nevojë për para cash, japin ose bëjnë të vlefshme diploma të tilla në vendet në zhvillim. Kjo praktikë po bëhet e zakonshme, shkruan gazetari. Ai ka intervistuar një student të diplomuar në këtë shkollë, që tani studion në Dallas. Ai thotë se edhe pse ka marrë diplomë në financë, nuk ka mësuar gjënë më minimale: se si të përdorë makinën llogaritëse financiare.
Në fund të shkrimit thuhet se në Shqipërinë që akoma nuk e ka marrë veten nga izolimi i Enver Hoxhës, premtime për të tilla diploma janë si një parajsë. Sidomos për ata që nuk fitojnë në shkollën e lartë publike.