Berisha: Kemi vetëm 1 viktimë nga i ftohti. Banorët duhet të heqin borën nga çatia
Kryeministri Berisha thotë me habi se ndërsa në Kosovë të gjithë e kanë hequr borën nga çatia, në Shqipëri askush nuk e ka bërë diçka të tillë. Kryeministri e quan këtë si rrezikun më të madh këto ditë. Berisha tha se asnjë përpjekje e qeverisë nuk është aq e rëndësishme sa solidariteti i vetë qytetarëve këto ditë
Mbledhjen e grupit parlamentar, kryeministri Sali Berisha e nisi me një minutë heshtje për viktimat e ortekut në Kosovë, por edhe për viktimën nga Hasi, që mbeti i ngrirë para dy ditësh. Ftojmë të nderojmë me një minutë heshtje kujtimin e këtyre qytetarëve, por dhe kujtimin e Isa Qarrit, punonjësit e një kompanie private telekomunikacioni që ra për të rivendosur sistemin e antenave të dëmtuara nga moti. Të nderojmë me një minutë heshtje viktimat e motit në Kosovë, por edhe në Shqipëri, tha Berisha.
Kryeministri u shpreh se dy rreziqet e mëdha janë dëbora në çati dhe orteqet. Gjeni më poshtë pjesë nga fjala e Berishës:
Një dimër i thellë dhe i madh ka pllakosur Europën dhe Ballkan, dimër që ka shkaktuar qindra e qindra viktima me të ftohtin dhe orteqet e tij, por edhe mijëra të dëmtuar nga efektet e tyre. Në Shqipëri, dimri i fundit i qenësishëm është regjistruar në vitin 1985. Sot në veri, verilindje, jug dhe juglindje të vendit, fshatra e komuna të tëra janë të mbuluara nga dëbora që arrin trashësinë edhe mbi 2 metra në zona të caktuara.
E vërteta është se nuk është regjistruar dimër si ky 37 vitet e fundit. Në këto kushte ka një mobilizim të plotë në radhë të parë të qytetarëve dhe të njësive vendore, një angazhim të plotë nga ana e deputetëve të këtyre zonave, një angazhim të plotë të të gjitha institucioneve të kësaj qeverie, në mënyrë që të bëhet gjithçka për të minimizuar pasojat e këtij dimri, së pari mbi jetën e qytetarëve.
Qeveria mbrëmë deklaroi gjendjen e fatkeqësisë natyrore, por gjatë gjithë javës është vepruar me të njëjtin mekanizëm. Gjer sot viktimë direkte, të lidhur me dëborën, është vetëm një, i ndjeri Isa Qarri. Janë bërë përpjekje mbinjerëzore për të ofruar ndihmën mjekësore. Me dhjetëra fluturime dhe sa herë ka qenë e mundur, në kushte më të vështira janë ndihmuar nga ekipet shëndetësore të sëmurë në gjendje urgjence.
Është bërë përpjekje e madhe për të mbajtur të hapura rrugët në tërësi dhe në veçanti akset kombëtare. Natyrisht orteqet dhe intensiteti i rënies së dëborës ka qenë faktor që ka rikthyer bllokimet e akseve edhe pas rivendosjes së tyre. Janë bërë përpjekje të mëdha për të shpërndarë paketat mjekësore në qendrat e komunave.
Dy janë problemet me rrezikshmëri më të madhe. Problemi i parë, me një rrezikshmëri jashtëzakonisht të lartë janë çatitë dhe pastrimi i borës në çati. Mbrëmë një mik i imi kishte udhëtuar nga Prishtina në Tiranë dhe më thotë: Nga Prishtina deri në Morinë nuk kishte asnjë shtëpi ku kishte dëborë në çati. Nga Morina deri në Tiranë, nuk kishte asnjë shtëpi pa dëborë në çati. Sot në mëngjes mediat kanë informuar se në komunën e Shalës ka rënë çatia e dy shkollave dhe tre shtëpive. Ndaj thirrja ime është që të konsiderojnë si përparësi absolute pastrimin e çative nga dëbora. Kryepleqtë të ndihmojnë familjet që e kanë të pamundur këtë gjë dhe tua pastrojnë çatitë. Nuk duhet injoruar në asnjë rrethanë pesha e dëborës mbi çati.
Rreziku i dytë janë orteqet. Ato mbeten një rrezik. Ata janë një rrezik edhe më afatgjatë. Kjo sasi e madhe dëbore, tendencën për krijimin e orteqeve e ka edhe kur fillon shkrirja. Gjysma e Shqipërisë është e mbuluar me dëborë. Qeveria ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në këto zona. Po bëhet gjithçka për të ndërmarrë hapjen e rrugëve të komunave. Po bëhet gjithçka për të mbajtur hapur akset kombëtare në katër anët e vendit. Po bëhet gjithçka për të ofruar ndihmën më elementare familjeve më në nevojë.
Fatkeqësitë natyrore kanë profilet e tyre. Natyrisht rol kryesor kanë njësitë vendore. Kanë ngritur shtabet dhe po operojnë me përkushtim të madh. Qeveria dhe institucionet e vendit janë të angazhuara në mbështetje të këtyre zonave. Por ata që njohin borën, që njohin dimrin me borë të madhe, ata e kanë të qartë se jetik, përcaktues është roli i kolektivitetit aty. Ne nuk e zëvendësojmë me asgjë solidaritetin njerëzor, me familjet e pamundura, me familjet që nuk kanë. Do disbursohet ndihma ekonomike për tre muaj, deri në maj. Ministria e Shëndetësisë ka një kontroll e përkushtim të madh për shpërndarjen e paketave në çdo qendër. Ushtria është e tëra e mobilizuar së bashku me policinë për të ndërmarrë veprimet më të rëndësishme dhe të domosdoshme, por këto nuk zëvendësojnë dot solidaritetin njerëzor.
Një gjeneratë e tërë sot nuk njeh dimra si ky, kurse gjenerata para saj i ka pasur dimra të tillë të përvitshëm. Të shmangim përveçse rasteve të emergjencës, çdolloj ekspozimi të panevojshëm apo rrugëtimi të panevojshëm në borë.