E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pas tryezës me PS për emrin e Presidentit të ri, Alibeaj mesazh grupit të PD: Do mblidhemi për të marrë vendime

Ashtu siç e kishte paralajmëruar më parë, PS u ul në tryezën e diskutimeve për emrin e presidenti të ri me Enkelejd Alibeajn, kryetarin e grupit të PD duke mënjanuar plotësisht Sali Berishën. Pas diskutimeve në Konferencën e Kryetarëve ku u la data 10 maj për të nisur procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri, Alibeaj u ka dërguar mesazh deputetëve të grupit të PD ku i njofton që shumë shpejt do të mbledhë grupin për të marrë vendime në emër të PD për emrin e presidenti të ri. Megjithatë ai nuk ka vendosur një datë për mbledhjen e grupit që pritet të bëhet i ditur në ditët në vazhdim.

“Sot u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për procesin e përzgjedhjes së Presidentit të Republikës. Me kërkesën e përfaqësueseve të PD në Konferencë, mbledhja u zhvillua në prezencë të medias, në funksion të transparencës së plotë për publikun. Për ti dhënë kohë një diskutimi të plotë dhe shterues mbi këtë çështje grupit parlamentar dhe për të diskutuar dhe marrë vendimet bashkërisht, kërkuam dhe u pranua që procedura zë shtyhet për në datën 16 maj. Gjatë ditëve në vijim, do të zhvillojmë mbledhjen e grupit për të diskutuar dhe marrë vendimin mbi ecurinë e këtij procesi dhe rolin e PD në zgjedhjen e Presidentit. Ju përshëndes”, shkruan Alibeaj.

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u ra dakord që më datë 10 maj të nisin procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri. Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se raundi i parë i votimit për presidentin e ri duhet të mbahet më 16 maj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›