Pasagjerët e avionëve do të rimbursohen

Kaosi ajror ka lënë në tokë qindra shqiptarë që kishin planifikuar të niseshin drejt vendeve të ndryshme të Europës
Mazniku: Kemi folur me kompanitë ajrore, ja dy mënyrat e rimbursimit të të dëmtuarve
TIRANË- Të gjithë udhëtarët shqiptarë që janë prekur nga kaosi i fluturimeve do të rimbursohen për dëmin e pësuar. Edhe pse bllokimi i fluturimeve nuk varet nga kompanitë në Tiranë apo aeroporti i Rinasit, është bërë një marrëveshje për të ndihmuar udhëtarët. Këtë e konfirmoi dje kreu i Aviacionit Civil, Ervin Mazniku.
I kontaktuar nga "Shekulli", Mazniku tha: "Kemi biseduar me kompanitë ajrore në lidhje me kaosin e krijuar dhe dëmin që kanë pësuar qytetarët. Ne kemi rënë dakord me kompanitë ajrore për të lejuar udhëtarët që të prenotojnë sërish biletën për në destinacionin e tyre brenda një afati ta caktuar kohor. Në rastin kur pasagjerët kanë shkuar në destinacionet e tyre duke përdorur mjete alternative, atyre do t'u rimbursohet bileta".
Mazniku shpjegoi dje se reja vullkanike e Islandës ka një impakt të jashtëzakonshëm financiar në biznesin e aviacionit civil në të gjithë Europën. Të dhënat e para statistikore tregojnë se dita më e keqe ka qenë e diela kur janë anuluar rreth 80 për qind e fluturimeve nga e gjithë Europa.
Nga ana tjetër, situata në Shqipëri është konsideruar e një risku mesatar.
Pjesa më e madhe e fluturimeve nga Rinasi janë anuluar por kanë vazhduar normalisht fluturimet me vendet e rajonit, të cilat nuk janë prekur nga hiri vullkanik. Kështu, nga Rinasi është fluturuar me pjesën jugore të Italisë, me Athinën, Stambollin e vendet e tjera jashtë rrezes së hirit vullkanik.
Për sa i takon vendeve të veriut të Italisë, ku bëhet edhe një pjesë e madhe e tranziteve, fluturimet nuk janë kryer. Gjithashtu pezullim fluturimesh ka pasur edhe në linjat e tjera të tranzitit si Gjermania, Belgjika, Austria dhe Hungaria.
Gjatë pasdites së djeshme, të dhënat atmosferike kanë qenë pozitive dhe shpresohet që sot të shtohet numri i linjave ku mund të udhëtohet. Sipas të gjitha gjasave, të paktën në orët e pasdites pritet që të hapen disa linja në drejtim të Milanos dhe Bolonjës.
Drejtoresha për komunikimin në aeroportin e Rinasit, Arlinda Causholli, bëri të ditur se sot do të fluturohet me Greqinë, Turqinë dhe një pjesë me Italinë. Pritet që sot të udhëtohet lirshëm drejt Romës, Barit, Bolonjës, Athinës dhe Stambollit
Sipas Maznikut, vendimin përfundimtar e merr Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, anëtare e së cilës Shqipëria është që në vitin 1990. Në rregulloren e ANAC thuhet se, në funksion të ruajtjes maksimale të sigurisë në fluturim, duhet të shmangen fluturimet në zona të caktuara që janë prekur nga tymi i hirit vullkanik. Hiri është tym i përzier me grimca të vogla, të cilat temperaturën e shkrirjes e kanë 1500 gradë.
Pjesa e motorëve e ka temperaturën në brendësi të tij 1300 gradë. Parimi i punës së motorit është i tillë që merr ajrin nga atmosfera e fut në motor dhe pas djegies së karburantit krijon forca shtytëse që mundësojnë ngritjen e avionit lart. Me futjen këtyre grimcave në motor dëmet janë të pallogaritshme.
********************
Lufthansa "thyen bllokadën"
Autoritetet gjermane të aviacionit i dhanë leje 50 aeroplanëve transoqeanikë të kompanisë ajrore Lufthansa të udhëtonin nga Azia Lindore, Afrika dhe Shtetet e Bashkuara me rreth një mijë e pesëqind pasagjerë.
Lufthansa thotë se fluturimet do të ulen sot në Duseldorf, Frankfurt dhe Mynih. Një zëdhënës i kompanisë i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se aeroplanët do të fluturojnë nën rregullat e ashtëquajtura të fluturimit vizual. Vendimi për të reduktuar ndërprerjet vjen ndërkohë që industria ajrore po bën presion për rifillimin e fluturimeve të bllokuara javën e kaluar pasi një re e madhe hiri vullkanik mbuloi hapësirën ajrore evropiane.
Kreu i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror Xhiovani Bisinjani, tha sot se ndikimi ekonomik global i ndërprerjeve të fluturimeve në industrinë ajrore është më i madh sç ishte pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, kur hapësira ajrore amerikane u mbyll për tre ditë me radhë.
Arrihet marrëveshja, në disa zona do fluturohet
Pas presionit të madh të kompanive ajrore, BE ka lëshuar pe në lidhje me fluturimet. Bashkimi Europian ka deklaruar dje në mbrëmje se do të reduktojë zonat "no-fly" të caktuara pasi pjesa më e madhe e hapësirës ajrore të Evropës u mbyll për shkak të përhapjes së resë vullkanike nga Islanda.
Ministrat e Transporteve të vendeve anëtare kanë deklaruar se do të jetë një bërthamë e hapësirës ajrore ku nuk do të fluturohet, një zonë tjetër ku do të lejohen të gjitha fluturimet dhe një zonë e tretë e quajtur "zona e rrezikut", ku do të lejohen disa fluturime. Vendimi erdhi pasi Britania e Madhe, Gjermania, Holanda, Franca dhe Belgjika deklaruan se do të rihapnin hapësirat e tyre ajrore.
Krerët e kompanive ajrore kritikuan rëndë autoritetet për ndalimin e fluturimeve, veprim që u shkaktoi atyre 1 miliard dollarë humbje. Fluturimet, të cilat zgjasin prej 5 ditësh, u kufizuan për shkak të frikës se hiri, një përbërje akulli, rëre dhe copëza shkëmbi nga jugu i Islandës, mund të dëmtonte motorët e avionëve.
*********************
Kompanitë po ushtrojnë presion të madh mbi BE-në për shkak të humbjeve kolosale që kanë pësuar këto pesë ditë
Kompanitë ajrore kërkojnë lejimin e fluturimeve
Humbjet kolosale që kanë pësuar gjatë këtyre pesë ditëve të bllokimit të fluturimeve kanë detyruar kompanitë ajrore që të ushtrojnë presion të madh mbi Bashkimin Europian. Kompanitë ajrore kanë kritikuar ashpër mënyrën se si autoritetet evropiane e kanë menaxhuar rrezikun nga hiri vullkanik që është endur mbi Islandën dhe kontinentin evropian.
Ato thanë se ndalimi i fluturimeve në mbarë Evropën ka qenë i gabuar dhe rrënues për industrinë.
Organizmi i Transportit Ajror Ndërkombëtar, IATA i ka kritikuar udhëheqësit evropianë se nuk kanë vepruar, duke e cilësuar kaosin në transport si një turp.
Kreu i kompanisë British Airways, Willie Walsh, ishte një prej bosëve më të fundit që foli kundër anulimit të fluturimeve në Evropë. Zoti Walsh që ishte në bordin e avionit të kompanisë që bëri një fluturim provë për tre orë, tha se analizat nuk kishin gjetur efekte negative të hirit në atmosferë.
Ai u kërkoi autoriteteve që t'u lejojmë kompanive ajrore vetë të gjykojnë nëse është e sigurt të fluturohet. Pesë ditë pas fillimit të krizës, Komisioneri Evropian për Transportin, Siim Kallas, tha gjatë një konference për shtyp se nuk mund të bëhej kompromis për sigurinë.
Zoti Kallas tha se kompanitë ishin përgjegjëse të kujdeseshin për pasagjerët që kishin mbetur në rrugë. Zoti Kallas tha se Komisioni Evropian ishte duke analizuar pasojat ekonomike te situatës dhe tha se po bënte krahasime me situatën pas sulmeve të 11 shtatorit.
Kryeministri britanik, njoftoi se Flota Detare kishte dërguar anije luftarake për të ndihmuar britanikët që kishin mbetur në mes të rrugës, për shkak të hirit vullkanik prej Islandës. Një prej tre anijeve të dislokuara është nisur për në Spanjë për të marrë ushtarët britanikë që ktheheshin nga Afganistani. Ajo mund të transportojë edhe pasagjerët që kanë mbetur të bllokuar për shkak të kaosit ajror që ka prekur prej disa ditësh Evropën.