Makina përplas tre këmbësorë, vdes 17-vjeçari

ELBASAN - Një aksident me pasojë vdekjen e një 17-vjeçari dhe plagosjen e dy të tjerëve është regjistruar rreth orës 15:30 në vendin e quajtur Labinot-Fushë në afërsi të një karburanti.
Një mjet tip "Ford Fiesta" me targa EL 7755 B i drejtuar nga një 28-vjeçar ka marrë përpara tre këmbësorë, të cilët ishin duke ecur në rrugë. Për pasojë ka humbur jetën shtetasi Elvis Ndriçim Kulla, 17 vjeç, me banim në Labinot-Fushë dhe është dëmtuar shtetasi Gentian Kulla, 18 vjeç, ndërsa shoku i tyre Shpëtim Meta është dëmtuar lehtë.
Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spital. Mësohet se është në reanimacion 18-vjeçari Kulla, ndërsa nuk ka pësuar dëmtime të rënda shtetasi Shpëtim Meta. Ndërsa policia ka mbërritur në vendngjarje për të hetuar shkaqet e aksidentit. Sipas të dhënave të para, shkak ka qenë lagështira dhe humbja e kontrollit të mjetit nga drejtuesi.
Ky i fundit është shoqëruar në komisariat ku është bllokuar edhe mjeti i aksidentit. Për këtë ngjarje ekspertët kanë bërë veprimet e para dhe pritet të publikohen edhe përfundimet e hetimet për shkaqet që kanë sjellë aksidentin fatal.
Mësohet se 17-vjeçari që ka humbur jetën, kishte mbetur jetim prej pak kohësh pas vdekjes së të atit. Ndërkohë, janë regjistruar edhe përplasje të tjera me disa të dëmtuar, të cilët kanë marrë ndihmën e parë në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.