Shkodër, nis përmbytja e tretë e tokave

RESHJET/ Mbrëmjen e kaluar Emergjencat Civile zhvilluan një takim lidhur me situatën e rënduar
Zv.ministri i Brendshëm Pone: Jemi në gatishmëri maksimale, e kemi gjithçka nën kontroll
SHKODËR - Shkarkimet e ujërave nga liqenet e hidrocentraleve mbi lumin Drin kanë rikthyer frikën tek banorët e zonës së Nënshkodrës për një përmbytje të tretë. Ndërkohë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme Emergjencat Civile kanë zhvilluar një takim, ku mori pjesë edhe zv.ministri i Brendshëm Ferdinand Pone.
Prefekti i qarkut të Shkodrës deklaroi se ka pasur një rritje të nivelit të ujit në lumenjtë Gjadër e Kir, por edhe në bazenin e Bunës. Mësohet se banorët janë njoftuar lidhur me situatën, ndërkohë që kryetarët e komunave bënë një raportim lidhur me situatën në zonat që drejtojnë. Kryekomunari i Anës së Malit u shpreh se ka probleme me 250-300 ha tokë bujqësore që është përmbytur, ndërkohë që stacioni i pompave që furnizon me ujë 1800 banorë është i stakuar për arsye sigurie.
Furnizimi me ujë të pijshëm i banorëve mund të bëhet edhe vetëm për 3 ditë të tjera. Ndërkohë, kryetari i komunës Dajç, Arben Gjyraj, bëri të ditur se problem përbëjnë aurelat e Shiriqit, ku uji ka arritur në 5,5 metër dhe për vetëm 50 cm mund të bllokojë rrugën.
Efekte negative pritet të ketë në prodhimet bujqësore, pasi banorët sapo kishin filluar të mbillnin sërish. 60 ha tokë janë me ujë në këtë zonë. Ndërkohë tek Ura e Gjolulit, uji mund të dalë mbi rrugë nëse rritet dhe 25 cm. hidrovori i Çasit është në punë, por 70-80 ha në këtë zonë janë me ujë që në përmbytjen e parë. Zv.ministri Pone, pas takimit u shpreh se nuk jemi në situatë emergjencash, porn ë një situatë gatishmërie maksimale, teksa theksoi se gjithçka ishte nën kontroll.
Ndërsa banorët e Nënshkodrës shprehen të pasigurt për atë që mund të ndodhë. "Bora është duke shkrirë dhe shiu nuk po pushon, ndaj kemi parasysh se mund të na ndodhë një përmbytje tjetër.
Aktualisht nuk ka shumë shkarkime dhe duket se uji po lëshohet ngadalë, por nuk i dihet. Jemi lajmëruar se pasditen e së hënës mund të ketë rritje të shkarkimeve dhe uji mund të na rikthehet", shprehen banorë të fshatit Obot në komunën Ana e Malit, fshat ky që pati pasoja tepër të rënda dhe qëndroi për javë të tëra i izoluar nga prania e madhe e ujit.
Banorët e Obotit shprehen se disa prej tyre kanë mbjellë bostan e jonxhë, edhe pse kanë pak shpresa se mund të marrin prodhim këtë vit. "Por në rast se do ketë përsëri përmbytje, atëherë asgjë nuk e ndalon shkatërrimin tonë total", thonë ata.
Lidhur me pagesën e dëmshpërblimit të shkaktuar nga përmbytjet, banorët e Shkodrës kanë pritur që të hënën të niste shpërndarja e parave pranë zyrave postare, ashtu siç ishte deklaruar, por edhe pse kanë zënë radhë që herët, deri në darkë paratë nuk kanë ardhur. Sipas drejtuesve të filialit të Albapostës në Shkodër, paratë priteshin të vinin pasditen e së hënës dhe të martën të fillonte shpërndarja.