E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasaktësitë e një publicistike të pjellë pas kohe, nga nevojat politike

25-08-2011 / Redaksionale

Lexon me kujdes profesional “Editorialin” e publicistit Edi Rama që teksa menaxhon inventarin e fjalëve kutërbuese harron të verifikojë hamendësimet e tij. Ai kujton se ka monopolin e së vërtetës. Prandaj e ka të vështirë të vejë në dyshim preventiv pohimet e tij  mendore. Mirëpo në “Editorialin” e shkruar pastër, bukur dhe shkurt gjendet një pasaktësi e madhe, kur thotë se “nuk pashë as kancelaren gjermane, as kryeministrin britanik, as atë francez, as atë italian apo ndonjë kryeministër tjetër në Europë, përveç Saliut, që të dilte para popullit të vet e të përshëndeste si Saliu rënien e regjimit të Tripolit”. Wrong, gabim!
Kjo është një gafë lehtësisht e verifikueshme me mjetet e sotme të teknologjisë së informacionit, pasi kryeministri Berisha ka pasur atë ditë në krah pothuajse të gjithë kolegët e vendeve të NATO-s, që theksuan në mënyrën e tyre faktin e fundit të regjimit të kolonelit të zi Gedafit, madje me zë dhe figurë, dhe jo vetëm me një deklaratë të zakonshme në faqen e kryeministrisë.
Publicisti Edi Rama duhet të kishte verifikuar minutë pas minute deklaratat e kancelarive europiane të datës 22 gusht, ku në orën 13.24 ishte kryeministrit Italian Silvio Berluskoni ai që foli për rënien e Tripolit si fund i regjimit të Gedafit, kurse në orën 16.01 doli Ministri i Jashtëm i Turqisë Davutoglu, dhe sekretari i OKB-së Ban Ki Mun pak minuta më vonë 16.44 i kërkon drejtuesve të rinj të Libisë të kenë një tranzicion me të shpejtë.  Edhe pse mungoi në rezymenë e gënjeshtërt të Ramës, në orën 19.03 kancelaria gjermane Angela Merkel e cila u shpreh “sot është dita kur filloi fundi i regjimit të Gedafit, pushteti i tij është shkërmoqur”, tha ajo gjatë vizitës në Kroaci. Dhe se “është shumë e rëndësishme të evitojmë humbjet e jetëve të tjera”. Pak më vonë në orën 19.44 doli erdhi edhe përshëndetja e Presidentit të SHBA-ve Obama, i ndjekur në orën 21.53 nga Presidenti Francez Nikolas Sarkozi. Për të gjithë të interesuarit oraret e daljeve në konferenca ose deklarata për shtyp të kryetarëve të vendeve të aleancës Veri-Atlantike (NATO) mund të gjenden në faqet on-line të kanaleve televizive prestigjioze si Euronews, BBC, CNN ose direkt tek ky link: www.rte.ie/news/2011/0822/libya_tracker.html.
Gjithsesi kuptohet vetiu që publicisti Edi Rama për t’i hedhur pak spec djegës shkrimit të tij e ka tepruar teksa hamendësonte gjëra  atipike, i shtyrë nga zilia pse Berisha ishte në unison me vendet e tjera të NATO-s.
Përtej këtij hetimi që hedh poshtë tezën e publicistit Rama, një gjë tjetër të shqetëson neuronet. Shqetësim lidhet me mbi faktin që ndoshta është precedent i vetëm, kuptohet në  botën demokratike, ku kreu i Partisë më të madhe opozitare në vend që të bëjë opozitë politike e institucionale, domethënë të përfaqësojë ashtu siç është e natyrshme gjysmën e elektoratit që i ka dhënë votën, shkruan kinse “Editorial”, që në fakt janë hartime. Nota për këto hartime është pakaluese për provimin e vjeshtës opozitare, që po i bien edhe gjethet me të cilat mbulonte paaftësinë e saj për të qenë sadopak serioze dhe konkurruese. I thartuar në shpirt e zhgënjyer nga karriera politike, Edi Rama i është kthyer një profesioni të ushtruar 15 vjet më parë. Dukshëm ka humbur intuitën dhe magjinë e fjalës duke u kthyer në një analist të rëndomtë, edhe pse është ende kreu i Opozitës me Letra ta Hapura.
Dy editorialet e fundit për shtyp janë sinjalizuese për gjendjen jo normale në të cilën gjallon lideri i opozitës, që është kthyer në një publicist gazetash kur duhet të kundërshtojë qeverinë me propozimeve dhe alternativa nëpërmjet grupit Parlamentar socialist në Kuvend. Vetëm në kuvend i ka hije opozitës të përballet me kryeministrin Berisha me armë të barabarta, pasi në fusha të tjera ndeshje është e humbur. Edi Rama më mirë se kushdo tjetër në Partinë Socialiste e ka kuptuar që përballjet ligjëruese me kryeministrin Berisha janë të pashpresa.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›