Ndërron jetë ambasadorja çeke në Tiranë. Haxhinasto i shpreh ngushëllime homologut të tij, Shvarcenberg

Ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare ambasadorja e Çekisë në Tiranë Market Fialkova. Burime nga policia bëjnë me dije se ambasadorja Fialkova është gjetur e vdekur rreth orës 00:30 të natës së mbrëmshme ndërsa dyshohet se vdekja e saj është natyrale. Fialkova lindi në 27 mars të vitit 1956 në Pragë të Çekosllovakisë. Aktivitetet e saj në politikë nisën në vitin 1977, kur nënshkroi Kartën 77 (deklaratë kjo e cila, gjatë regjimit komunist, solli krijimin e grupit më me influencë të aktivistëve të të drejtave të njeriut në Çekosllovaki).
Nga viti 1977 deri në vitin 1989 iu privua e drejta për të kryer studimet dhe për të filluar një karrierë profesionale të rregullt për arsye politike.
Prej vitit 1990, falë aftësive dhe formimit, ajo nisi punën si diplomate në Ministrinë e Jashtme Çeke. Deri në vitin 1994 punoi se kryediplomate çeke në Poloni.
Market Fialkova u emërua si ambasadore e republikës Çeke në Tiranë në vitin 2007 ndërsa më herët ka punuar si ambasadore në Poloni si ka qënë Sekretarja Personale e presidentit të Çekisë Vaclav Havel.
Kryediplomati shqiptar Haxhinasto i shpreh ngushëllime homologut të tij çek, Shvarcenberg
Ministri i jashtëm i Shqipërisë Edmond Haxhinasto i ka shprehur sot ngushëllimet homologut të tij çek Shvarcenberg për vdekjen e ambasadores Market Fialkova.
Në një letër drejtuar Shvarcenberg, ministri Haxhinasto ka shprehur keqardhje për vdekjen e parakohshme të ambasadores çeke në Tiranë Fialkova.
“Ambasadorja Fialkova ishte diplomate e nivelit të lartë. Ajo ka dhënë kontribut në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”- ka theksuar Haxhinasto.
Gjithashtu ministri Haxhinasto u ka shprehur ngushëllimet e tij edhe të afërmëve dhe familjarëve të ambasadores çeke.
Ambasadorja çeke në Tiranë Market Fialkova ndërroi jetë në moshën 55-vjeçare.