E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen në kufi me Greqinë 250 kg kanabis sattiva

21/02/2010 Hetime për identifikimin e autorëve

Plot 250 kg lëndë narkotike e llojit “kanabis sativa”, të përgatitur për të hyrë në rrjetin ndërkombëtar të narkotrafikut u bllokuan mbrëmjen e djeshme nga policia kufitare e Sarandës. Komisariati i policisë së Sarandës bëri të ditur për gazetën “Metropol”, se lënda narkotike e paketuar dhe e bërë gati për “eksport” u gjet mbi varrezat publike të fshatit Çiflik të Konispolit, rreth 2 kilometra larg kufirit Shqipëri-Greqi. Vendi ku ishte fshehur droga ishte vetëm 1 km larg shtigjeve të mundshme për kalim klandestin nga Qafë-Bota. Ajo u gjet e paketuar në dhjetë thasë najloni dhe në brendësi çdo pako e mbështjellë me natriban kishte sasi 1 kg.

Policia nuk ka arritur ende të identifikojë autorët e mundshëm që posedonin apo që do të trafikonin këtë sasi lëndë narkotike në anën tjetër të kufirit, ndërkohë që hetimet vazhdojnë.

Ky është rasti i katër gjatë këtij viti që policia e Sarandës zbulon një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike. Rreth pesë ditë më parë, në afërsi të fshatit Çaush të komunës së Alikoës, rreth 25 kilometra larg qytetit të Sarandës, u zbulua në një godinë në ndërtim 50 kg lëndë narkotike e llojit “kanabis sativa”. E. Molla

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›