Pasanikët dhe kompanitë dridhen nga “WikiLeaksi” tatimor

Një rrjet ndërkombëtar i gazetarëve ka tubuar 2.5 milionë të dhëna për afro 140 000 pasanikë dhe kompani anembanë botës, të cilët kanë fshehur kartelat e tyre tatimore dhe llogaritë. Kësisoj është hartuar lista mbresëlënëse e atyre që me vite të tëra shmangin pagesën e tatimeve, duke fshehur shuma të mëdha parash nëpër oazat tatimore anembanë botës, shkruan Spiegel Online.
Të dhënat do të publikohen gradualisht gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa sipas gazetave në Shqipëri në këtë listë gjenden emrat edhe të dy pasanikëve nga Shqipëria. Pale të shohin se a do të ketë edhe ndonjë nga Kosova.
Ky hetim ka çuar perden nga sistemi offshore dhe ofron pamje transparente në botën e fshehtë të individëve dhe kompanive që skajojnë paratë e veta nëpër parajsa tatimore anembanë botës”, deklaroi Gerard Ryle, drejtor i konsorciumit ndërkombëtar të gazetarëve hetues.
“E kemi ditur që kjo industri është përplot sekrete dhe me qasje pothuaj të pamundshme, por ajo që na ka befasuar është fakti i gjerësisë së madhe të kësaj dukurie dhe sistem i përpunuar në detaje”, shtoi Gerard.
Në të dhënat e grumbulluara nga burime anonime gazetarët kanë zbuluar mashtrime dhe ujdi në 170 vende të botës, kurse janë publikuar emrat e 140 mijë individëve që kanë fshehur paratë. Në listë ka politikanë, yje showbizi, kriminelë, oligarkë, financierë etj.
Të gjithë ata janë posedues të llogarive tejdetase nëpër oazat tatimore si Ishujt Virgjinë, Ishujt kajmane, Samoa dhe Ishujt e Cookut.
Numri i të dhënave të grumbulluara, sipas disa vlerësimeve është madje 160 herë më i madh se ai i të dhënave të publikuara të Wikileaksit në vitin 2010.
Sipas një studimi nga viti 2012, në këto parajsa tatimore janë grumbulluar ndërmjet 21 dhe 32 bilionë dollarëve./Indeksonline/