E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasaportat, emigrantët mund të aplikojnë në vendet ku punojnë

Emigrantët shqiptarë shumë shpejt do të mund të aplikojnë në vendet ku jetojnë për t'u paisur me pasaportë biometrike. Ky është vendimi më i fundit i qeverisë shqiptare i cili do të mundësojë këtë proçes, duke shmangur ardhjet në Shqipëri dhe sorollatjet nëpër sportelet e aplikimit.
Mësohet se Italia dhe Greqia, ku janë dhe shumica e emigrantëve shqiptarë, do të jenë vendet e para ku do të çelen sportelet e aplikimit për pasaporta biometrike. Sipas Ministrisë së Brendshme ky proçes pritet të nisë në muajin tetor ndërkohë që ende nuk është vendosur një çmim për aplikimin. Në një njoftim të Ministrisë së Brendshme çmimi mendohet që të jetë një shumë diku tek 100-110 euro, ndërkohë që në Shqipëri ky aplikim bashkë me kartën e identitetit, kushton 7.200 lekë.
"Pasaporta biometrike është dokumenti bazë për lëvizje të lirë në vendet e Bashkimit Europian, pas heqjes së vizave për shqiptarët, proçes që pritet të ndodhë gjatë këtij viti. Aplikimi në vendet ku jetojnë është një lehtësi për emigrantët, të cilët këto ditë që janë kthyer për pushime gjenden dhe nëpër dyert e zyrave për aplikime" përfundon deklarata e Ministrisë së Brendshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›