E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthimi i emigrantëve, policia kufitare merr masa

Policia kufitare ka marrë një sërë masash për të menaxhuar sa më mirë fluksin e emigrantëve të cilët kthehen në vendin tonë për të kaluar pushimet verore. Sipas një deklarate nga Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, janë marrë një sërë masash, me qëllim menaxhimin sa më mirë të këtij fluksi në rritje, si dhe për lehtësimin e procedurave të përpunimit të personave dhe automjeteve në Pikat e Kalimit Kufitar në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Sipas policisë në Pikat e Kalimit Kufitar, ku fluksi i qarkullimit të shtetasve dhe të mjeteve është më i lartë, është bërë i mundur shtimi i sporteleve dhe i personelit me anë të komandimeve të personelit shtesë.
Më tej në deklaratën e policisë kufitare theksohet se një rëndësi i është kushtuar edhe bashkëpunimit me agjencitë e udhëtimit dhe agjencitë turistike, duke koordinuar për listat e udhëtarëve që lëvizin me avionë, tragete apo mjete të tjera për transport pasagjerësh, me qëllim përshpejtimin e procedurave të përpunimit të shtetasve dhe të mjeteve nëpërmjet një kontrolli efikas të kufirit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›