Pasardhësi i Sali Berishës në PD, kryesia shqyrton në mesditë kandidatët
Tiranë- Me fokus shqyritmin e kandidaturave për postin e kreut të ri të Partisë Demokratike, Kryesia e PD-së do të mblidhet sot në orën 13:00.
Emri më i përfolur në rradhët e demokratëve për të qenë pasardhësi i Sali Berishës në Partinë Demokratike, Lulzim Basha, kryetar aktual i Bashkisë Tiranë, shpalli dje futjen e tij në garë.
Basha mbajti një konferencë për shtyp nga selia e PD-së, jo nga foltorja e zëdhënës se partisë nga e cila shpalli kandidaturen Sokol Olldashi, por nga e njëjta foltore nga ku dha dorëheqjen Sali Berisha pas humbjes së zgjedhjeve më 23 qershor.
Sakaq po dje kërkesa e Aleksandër Biberajt për të qenë pjesë e garës për kreun e ri të Partisë Demokratike është refuzuar nga administrata e kësaj force politike, teksa Biberaj i ka bërë thirrje Berishës që gara për pasardhësi e tij të jetë e hapur, larg prapaskenave politike.
Bujar Nallbani, një personazh i njohur në marsin e vitit 1990, kohë kur i vuri dinamit bustit të Stalinit në Tiranë ka dorëzuar dje kërkesën për të qenë pjesë e garës për liderin e ri të PD-së.
Dy ditë më parë Sokol Olldashi ka shpallur zyrtarisht pjesëmarrjen e tij në garen për postin e kreut të ri të Partisë Demokratike, pas dorëheqjes së Sali Berishës pas humbjes së thellë të zgjedhjeve të 23 qershorit.
Në një konferencë të shkurtër për mediat Olldashi tha se dëshiron që të përfaqësojë denjësisht vlerat e militantëve demokratë në këtë garë.