E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pashaj: 100 mijë euro për deputet? Duhen për fushatë

TIRANE- Aleanca Kuqezi e kishte të vështirë të vendoste për daljen e vetme në zgjedhje, por sipas sekretarit të përgjithshëm Myslym Pashaj, moralisht kjo është zgjedhja më e mirë. 

Z.Pashaj zbardh për “Gazeta Shqiptare” negociatat me PS-në, kërkesat e AK-së për një koalicion me të majtën dhe arsyet e dështimit të saj. 

Sekretari i AK-së flet dhe për ‘largimet masive nga partia’ si dhe i jep përgjigje pyetjes “A po bën Kreshnik Spahiu lojën e Sali Berishës?”. 

Z.Pashaj, si e konsideroni vendimin e AK-së për të dalë e vetme në zgjedhje dhe cilat janë arsyet e mosarritjes së marrëveshjes me PS-në? 
Ishte një negociatë që nuk përfundoi me sukses. Ka shumë thashetheme dhe shumë histori. E vërteta është se ne u futëm në negociata me idenë që ajo të përfundonte pozitivisht. Personalisht unë dëshiroja që të kishim mbërritur në një marrëveshje. Pavarësisht dilemave të mëdha që ekzistonin, edhe tek unë, por edhe tek anëtarësia jonë. Por le të flasim pak me një logjikë të thjeshtë. Sepse pas perdeve ka shumë “të thashë, më thashë”. Pra, me një logjikë të thjeshtë. Ne propozuam publikisht 6 pika parimore, të cilat për hir të së vërtetës nga shumë opinionistë apo përfaqësues partiakë as nuk u lexuan si duhet. I bëmë këto publike përpara përfundimit të negociatave. Unë nuk do të doja të merresha me thashetheme, por po them vetëm një gjë. Si mendoni ju, nëse PS-ja do të kishte dalë publikisht dhe do të kishte thënë, “i pranojmë këto 6 pika” apo “pranojmë 5, por nuk pranojmë këtë”, do të kishte pasur mundësi AK-ja të “shmangej?”. Problem i negociatave gjithmonë në Shqipëri ka qenë transparenca e tyre. Tani që nuk u arrit marrëveshja, mund të thuhen shumë gjëra, por fakti ngelet që ne publikisht propozuam këtë pakt. Publikisht mund të ishin përgjigjur dhe të thonin që ky pakt nuk bën. Apo nëse vërtet e dëshironin një aleancë të respektit reciprok, mund të kishin dalë publikisht dhe të thoshin që e pranojmë. Nga ana tjetër, ne kërkuam garanci të votës sonë, të votës antiregjim. Nuk mund të futeshim në koalicion pa kushte. Ky ishte një koalicion që e uli shumë “stekën” e moralit politik dhe ne ishim të detyruar të kërkonim garanci për atë mision që i kemi vënë vetes në këto zgjedhje – rrëzimin e pushtetit të Berishës dhe rikthimin e një modeli demokratik në Shqipëri. Këto garanci nuk mund të jenë thjesht në letër. Këto garanci nuk na i japin dot as ish-patericat e Berishës. Është mëse normale që ne do të kërkonim përfaqësim në tavolinat e numërimit. Këto përfaqësime në zona të caktuara u janë dhënë edhe aleatëve të tjerë të PS. Nuk u gjet dot konsensusi. Është për të ardhur keq, por ky është realiteti. Prandaj unë e konsideroj thjesht një negociatë, e cila nuk përfundoi me sukses.
Ishte vendim i vështirë?
Realist, pasi e kuptojmë që ky Kod Zgjedhor është munduar ta bëjë sa më të vështirë për çdo forcë politike jashtë binomit PS-PD. Ne jemi të qartë se politikisht dalja jonë vetëm është zgjedhja më vështirë, por kuptojmë edhe se moralisht kjo është zgjedhja më e mirë.
Kryesocialisti Edi Rama është shprehur se AK i kërkoi 5 deputetë në listë, arrestimin e Berishës dhe bashkimin kombëtar, por realisht si është e vërteta?
Këto tashmë janë në vazhdën e atyre gjërave që janë vështirë për t’u provuar. PS kishte mundësinë që këtë gjë ta bënte publikisht. Kërkesa për arrestimin e Berishës, edhe njëherë, bazuar në atë që kemi deklaruar publikisht, kemi thënë që Berisha duhet të hetohet dhe të dalë përpara organeve të drejtësisë. Nuk kemi thënë që duhet të arrestohet pa gjyq e pa fakte. Po kërkojmë vënien e mekanizmave të drejtësisë në lëvizje për këtë gjë. Pjesa tjetër është spekulim. Bashkimi kombëtar – Edhe për këtë kemi kërkuar hapjen e një diskutimi publik, gjetjen e mekanizmave që populli shqiptar si këtej në Shqipëri edhe në Kosovë të shprehet për këtë çështje. Nuk kemi kërkuar ndryshim kufijsh në mënyrë arbitrare. E kërkojmë këtë gjë konform të gjitha rregullave të praktikës ndërkombëtare. Ne besojmë fort se e ardhmja është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, pavarësisht vështirësive formale dhe informale që ekzistojnë në këtë moment. Dikush duhet e fillojë të punojë në këtë drejtim.
A keni qenë ju pjesë e negociatave?
Në segment të caktuar të tyre po. Unë them që publiku duhet të gjykojë mbi atë që është bërë publike.
Sa të vërteta janë zërat se për t’u bërë deputet tek AK duhet të paguash 100.000 euro?
Shikoni, edhe këtu mendoj se ka spekulime të mëdha. Unë besoj që diskutimet mbi çështje të financimit të fushatave, mund të jenë ngatërruar në ketë mes. Le të jemi realistë. Nuk mund të bësh fushatë zgjedhore falas në Shqipëri. Jo kur përballesh me shpenzime luksi marramendëse të partive të mëdha. Prandaj them që diskutime të tilla mund të jenë keqkuptuar. Financimi i fushatës mbetet gjithsesi një problem i madh, me të cilin AK duhet të përballet. Financim me moral gjithsesi. Patjetër që kandidatët për deputet do të marrin përsipër disa shpenzime të fushatës. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Kush thotë se kjo gjë nuk ndodh, gënjen!
A është e vërtetë se Kreshnik Spahiu po bën lojën e Berishës dhe se votat e AK-së do të shkojnë për të?
Ky lloj arsyetimi, që është në fakt arsyetimi kryesor i sulmeve ndaj AK së fundmi, niset nga një premisë kryesore, premisë e pjesshme. Së pari, merr të mirëqenë faktin se AK nuk do të arrijë pragun për të hyrë në parlament. Pra, e marrin të mirëqenë që AK nuk do ta kalojë pragun dhe këto vota do të konsiderohen nul, ndërkohë që mund të kishin shërbyer për të dhënë një mandat në koalicion. E dyta që merr të mirëqenë ky arsyetim, është se vota për AK, nëse nuk do të ishte AK, do të shkonte automatikisht për koalicionin opozitar. Të dyja këto supozime e shohin problemin vetëm nga njëra anë dhe jo drejt. Unë e kuptoj kur njerëzit e thjeshtë, votuesit mund të bien pre e një logjike të tillë. Unë ju deklaroj se ne mendojmë variante të tjera. Ne mendojmë dhe besojmë tek varianti se pragun do ta kapim dhe do të hyjmë në parlament. Po në këtë variant votat tona për Berishën shkojnë? A mund të thotë dikush se nëse flasim për këtë variant, votat tona shkojnë për Berishën? Gjithashtu, votuesi i AK nuk duhet konsideruar thjesht si votues i së majtës. Prandaj nuk duhet të konsiderohet sikur opozita do ta kishte automatikisht këtë votë sikur të mos ishte AK. Është gabim i madh të mendohet në këtë mënyrë. Ndërkohë që përsëri ka edhe një anë tjetër të medaljes. Le të marrim variantin tjetër. Sikur AK të kishte hyrë në koalicion. Së pari, për ne është e rëndësishme të kishim garanci se votat tona do të ishin tonat. Historia e këtyre viteve ka treguar se ndonjëherë votat e aleateve brenda një koalicioni janë më të lehta për t’u përvetësuar, sepse edhe kundërshtari kryesor “ta jep lejen” për këtë gjë. Pra, bëj ç’të duash me votat e aleatëve të tu, se edhe unë do të bej si të dua me ato të të mive. Kjo është e para, e dyta, votat tona ashtu sikur do të shkonin për mandate të AK, mund të shkonin edhe për mandate të partive të tjera brenda koalicionit. Po sikur të shkonin për mandate, që pas zgjedhjeve do të kalonin nga ana e regjimit? Çfarë garancie kemi ne kur aty, kjo histori është përsëritur dhe e stërpërsëritur? Prandaj nuk mund të shihet kjo çështje vetëm nga njëra anë, vetëm me një palë syze. Përfundimisht ne besojmë se do të hyjmë në parlament dhe do të kemi mundësi të kushtëzojmë qeverisjen e ardhshme.
Megjithatë a ekziston mundësia e aleancës me liderin Berisha?
Ne e kemi bërë e qartë që nuk ekziston asnjë mundësi që AK të bëjë aleancë paszgjedhore me Berishën!
Pse po ndodhin dorëheqje masive nga AK-ja?
Ka pasur disa dorëheqje. Jo masive, por ka pasur dorëheqje. Unë kam respektin më të madh për ta. Kanë ardhur dhe kanë kontribuar me zemër tek AK. Janë profesionistë të zotë. Në një moment të caktuar, për hir të së vërtetës, moment i vështirë dhe i mbarsur me shumë emocione, ata kanë marrë një vendim për t’u larguar. Unë do të kisha dashur të mos ndodhte. Por e respektoj këtë vendim të tyre. Do të vazhdoj të ruaj komunikimin dhe respektin për ta. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›