Pashaj: Nuk pashë asgjë të dyshimtë?!
Komisioni Hetimor, i ngritur posaçërisht nga Federata Shqiptare e Futbollit, ka nisur dje pyetjet për të nxjerrë në dritë të vërtetën për tre sfidat e përfolura: Dinamo-Skënderbeu 1-3, Shkumbini-Bylis 4-2 dhe Flamurtari-Elbasani 4-0. Janë marrë në pyetje shumë zyrtarë të institucionit të futbollit, 18, si dhe tre gjyqtarët kryesorë të takimit, por deklaratat e tyre duket se nuk do ta zgjasin shumë jetën e këtij komisioni: ata nuk kanë parë asgjë të dyshimtë!
Zyrtarë të ndryshëm, por në numër të madh, plot 18 vetë, u janë përgjigjur pyetjeve të 5 anëtarëve të Komisionit Hetimor të kryesuar nga kreu i Disiplinës, Eno Bushi dhe nga sekretari Prodani, kanë deklaruar pak a shumë të njëjtat gjëra, por që në thelb nuk e ndihmojnë aspak hetimin, nëse në këto sfida ka vërtet lojë “të pisët”. Asnjë nuk ka parë gjë konkrete, asnjë nuk ka vërejtur diçka të dyshimtë. Madje, kapakun gjithë situatës ua kanë vënë gjyqtarët e ndeshjeve, të cilët kanë qenë edhe zërat më të fortë që kanë folur dje përpara komisionit. Tre gjyqtarët, Edvin Hoxha, Kridens Meta dhe Bardhyl Pashaj, që kanë gjykuar respektivisht takimet Flamurtari-Elbasani 4-0, Shkumbini-Bylis 4-2 dhe Dinamo-Skënderbeu 1-3, të treja ndeshje të vlefshme për javën e 22-të të Kategorisë Superiore, kanë qenë në unison, sikundër edhe zyrtarët. Sipas “xhaketave të zeza”, ata nuk kanë vërejtur gjëra të çuditshme dhe sjellje jo normale të lojtarëve. Sipas tyre, është zhvilluar një lojë e fortë sportive dhe futbollistët kanë reaguar normalisht, sikundër në një ndeshje normale futbolli. “Përgjigjemi për atë që shohin dhe themi se nuk kemi parë asgjë që nuk shkonte. Dyluftimet ishin reale, madje edhe të ashpra shpeshherë, por ne nuk mund të themi nëse skuadrat kanë pasur akorde paraprake mes tyre”, mësohet të jenë shprehur gjyqtarët. Të treja takimet kanë pasur veçoritë e tyre, por ajo që bëri opinionin publik të fliste më shumë ishte padyshim përballja Dinamo-Skënderbeu, ku ndodhën gjëra nga më të çuditshmet, për të cilat Bardhyl Pashaj u shpreh se ishin pjesë e një “futbolli normal”! Të njëjtën linjë mbajtën edhe delegatët e vëzhguesit e ndeshjeve, që nuk është se kanë dhënë prova të sakta, të cilat mund t’i bëjnë punë hetimit. Komisioni Hetimor për trukimet në Superligë u ngrit 10 ditë më parë, me synimin për të hetuar tre ndeshjet e përfolura gjerësisht në media, si të trukuara, si edhe për të parandaluar pazare të tjera.