E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 000 vdesin vetëm në Miyagi

Japonezët po luftojnë këto ditë, për të ulur presionin në një reaktor tjetër bërthamor, të dëmtuar pas tërmetit që shkaktoi një cunami katastrofal ditën e premte, 11 Mars. Zyrtarë thanë se reaktori N 3 humbi sistemin emergjent të ftohjes, një problem i ngjashëm shkaktoi shpërthimin e reaktorit 1 të shtunën. Më shumë se 170 mijë vetë janë evakuuar nga zona e rrezikut. Ndërkohë rreth 1 700 njerëz humbën jetën, pas tërmetit që shkaktoi cunami në veri lindje të Japonisë. Ndërkohë, më tepër se 10 000 persona mund të kenë vdekur gjatë tërmetit dhe cunamit që shkatërroi prefekturën Miyagi, më e afërta me epiqendrën, njoftoi dje shefi i policisë lokale, i cituar nga televizioni publik NHK. Agjencia meteorologjike japoneze paralajmëroi për rrezikun e madh për paslëkundje tërmeti, me fuqi 7 ose më tepër ballë, deri të mërkurën në mëngjes, duke i vlerësuar ato si 70 për qind të mundshme.

Rrezik i lartë për paslëkundje 7 ballëshe

Agjencia meteorologjike japoneze paralajmëroi dje për rrezikun e madh për paslëkundje tërmeti, me fuqi 7 ose më tepër ballë, deri të mërkurën në mëngjes, duke i vlerësuar ato si 70 për qind të mundshme. "Ekziston një rrezik në masën 70 për qind, që të ndodhë një paslëkundje me fuqi shtatë ose më tepër ballë brenda tri ditëve, deri mëngjesin e 16 marsit", deklaroi drejtori i parashikimit sizmik të agjencisë, Takashi Yokota, i cituar nga mediat. Më tej, mundësia bie gradualisht. Ajo do të jetë 50 për qind, nga data 16, deri 18 mars. Paslëkundjet, me fuqi dy deri shtatë ballë, vazhdojnë që nga dita e premte, dita kur ra tërmeti me fuqi 8,9 ballë, sipas Institutit amerikan të gjeofizikës,USGS.

Centrali, lënda djegëse është shumë toksike

MOX, lënda djegëse që përdor centrali bërthamor japonez i Fukushimas, ku është përqendruar i gjithë shqetësimi, është një material mjaft toksik, theksoi Réseau Sortir du nucléaire (RSN), një OJQ franceze. Veçanërisht reaktori nr.3, i përfshirë nga një mbinxehje e lartë, funksionon me MOX ("përzierje oksidesh") një lëndë djegëse "jashtëzakonisht e rrezikshme që shpërbëhet më lehtë se lëndët djegëse klasike", bën të ditur RSN. MOX, i përbërë nga uraniumi dhe plutoniumi, të përftuar nga mbetje bërthamore të ricikluara, është "shumë më reaktiv se sa lëndët djegëse standarde", i shpjegoi AFP-së Jean-Marie Brom, inxhinier atomik, drejtor i kërkimeve në CNRS (organizëm kërkimor publik ), dhe gjithashtu anëtar i RSN-së. "Plutoniumi, që nuk ekziston në gjendje natyrore, është një helm kimik i fuqishëm. Do të ishte më mirë të mos përdorej fare", shpjegon ai. Sipas RSN-së, "toksiciteti i tij është i dyshimtë: një grimcë e vetme e thithur mjafton për të shkaktuar kancerin e mushkërisë". Japonia ka filluar së fundmi ta përdorë MOX për të vënë në funksionim centralet e saj dhe kishte parashikuar që në 2008, ta zgjeronte gradualisht përdorimin e tij në 2011-2012. Madje, Japonia ka nënshkruar një kontratë për furnizimin me MOX me operatorin bërthamor francez Areva.

Kompania që shfrytëzon centralin bërthamor në Fukushima (250 kilometra në verilindje të Tokios) njoftoi sot se sistemet e ftohjes së reaktorit nr. 3 janë me defekt. "Nuk mund të përjashtojmë një shpërthim, si ai që ndodhi të shtunën në reaktorin nr.1 të centralit", paralajmëroi qeveria japoneze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›