Shalke 04, 6.5 milionë euro për Lorik Canën
Tjetër gjigant i Bundesligës, Borusia Dortmund, pritet që të bëjë një ofensivë për talentin shqiptaro-zviceran të Bazelit, Xherdan Shaqirin
Që Lorik Cana i ka adhuruesit të shumtë nëpër Europë, kjo u kuptua që në merkaton e verës, kur Lacio, Aston Vila e Fulhem u interesuan të blinin kartonin e kapitenit të kombëtares kuqezi. Por, joshja për Canën duket se po vazhdon ende. Kësaj radhe është skuadra e Shalkes që është e gatshme të sakrifikojë 6.5 milionë euro, diçka më shumë sesa Gallatasaraji ka paguar te Sandërlendi, si dhe një çek të bardhë lojtarit për pagën, që në Turqi përfiton 2.5 milionë euro në sezon. Me Magath drejt largimit, drejtuesit e klubit duket se kanë vendosur të përforcojnë ekipin me një lojtar që është në gjendje të luajë mjaft mirë, si në mesfushë, ashtu edhe në mbrojtje. Nëse në janar, Lacio ofroi 4.5 milionë euro për kartonin e Canës, të cilën drejtuesit e gjigantit turk e refuzuan, oferta aktuale mund t’i bëjë ata të mendohen. Edhe pse Loriku shpeshherë ka deklaruar se nuk ka ndërmend të lëvizë kaq shpejt nga Turqia, dëshira e tij e vërtetë është të luajë në Bundesligën gjermane, të cilin e sheh si kampionatin ideal.
Ndërkohë, një tjetër shqiptar, por kësaj here që luan për fanellën e Zvicrës, është në shënjestrën e Borusia Dortmundit. Bëhet fjalë për Xherdan Shaqirin, 19-vjeçarin që po shkëlqen me skuadrën e tij, Bazelin. Sipas sajtit zviceran 4-4-2.com, klubi verdhezi i ka veçuar dy lojtarë të cilët planifikon t’i transferojë gjatë verës: Xherdan Shaqiri e Amine Çermiti. Dortmund i ka bërë gati edhe paratë që e ka ndërmend t’ia ofrojë Baselit për talentin shqiptaro-zviceran. “Dortmund duket se e ka shtuar interesimin për Shaqirin. Klubi gjerman, për 19-vjeçarin është i gatshëm t’i ofrojë 6.5 milionë euro. Për momentin, Bazel nuk dëshiron t’i komentojë thashethemet”, shkruan ky sajt. Shaqiri ka kontratë me Bazelin deri në vitin 2014. Për kartonin e tij, kampioni zviceran kërkon 10 milionë euro, por nëse oferta e Dortmundit bëhet zyrtare, klubet me gjasë do të mund ta gjenin një mesatare, për ta transferuar futbollistin gjilanas. Përpos Borusia Dortmundit, Shaqiri pëlqehet edhe nga Zeniti, Bajern Mynihu, Hamburgu, Liverpuli, Juventusi etj.