Pashalimani në qendër të industrisë detare, Fogliero: Ndërtojmë 10 mjete lundruese deri në 2030, nisim një kapitull të ri

Drejtori ekzekutiv i kompanisë italiane Fincantieri, Pierroberto Fogliero, e cilësoi nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit me kompaninë shtetërore KAYO dhe Shkollën Industriale “Pavarësia” në Vlorë si fillimin e një etape të re për industrinë detare shqiptare. Gjatë ceremonisë së zhvilluar në bazën e Pashalimanit, Fogliero theksoi se memorandumi nuk do të mbetet vetëm një dokument bashkëpunimi, por do të pasohet menjëherë nga zbatimi konkret i projekteve.
“Po nënshkruajmë një memorandum bashkëpunimi që të jemi efektivë në mënyrë të menjëhershme. Do të nisim bashkëpunimin që në vitin 2026 dhe do të jemi në gjendje gatishmërie që në vitin 2027. Ky është kapitulli i një historie të re, një aventurë që do ta nisim në mënyrë konkrete, të prekshme, me njerëz që duan të vendosin duart në mekanizëm dhe me rezultate të prekshme”, deklaroi drejtori ekzekutiv i Fincantieri.
Fogliero bëri të ditur se kompania ka një plan të qartë prodhimi për bazën e Pashalimanit, ku gjatë viteve 2026-2030 synohet ndërtimi i dhjetë mjeteve lundruese.
“Do të ndërtojmë 10 mjete lundruese gjatë periudhës 2026-2030. Janë projekte të qarta. Do të jenë anije deri në 80 metra, që është edhe kapaciteti që lejon kantieri ekzistues. Synimi ynë është të rritemi dhe të zgjerohemi edhe më shumë”, u shpreh ai.
Memorandumi i Bashkëpunimit mes Fincantieri, KAYO dhe Shkollës Industriale “Pavarësia” synon zhvillimin e praktikave profesionale dhe krijimin e mundësive të punësimit për të rinjtë në sektorin e ndërtimit dhe industrisë detare, duke mbështetur njëkohësisht projektin për transformimin e Pashalimanit në një qendër të re industriale detare në Shqipëri.
Sipas palëve, partneriteti pritet të forcojë bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë, të krijojë vende të reja pune dhe të zhvillojë kapacitete të reja prodhuese në industrinë detare dhe atë të mbrojtjes.
/rtsh.al/