Sauditët i ofrojnë Izraelit hapësirën ajrore
Arabia Saudite ka kryer disa prova për të hequr mbrojtjen e saj ajrore, në mënyrë që t’i lejojë hapësirë dhe mundësi Izraelit të ulë avionët e tij, në rast se do të dojë të bombardojë uzinat bërthamore të Iranit. Në javën që Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka vendosur sanksione të reja kundër Iranit, burime të ndryshme kanë bërë të ditur se Riadi ka rënë dakord që t’i lejojë Izraelit të përdorë një korridor të ngushtë të hapësirës së vet ajrore për të shkurtuar distancën në bombardimin e Iranit. Sipas burimeve, sauditët i kanë dhënë leje Izraelit që të kalojë dhe të kryejë të gjitha veprimet në hapësirën e lirë ajrore. Kjo është bërë pa një marrëveshje paraprake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Burimet në Arabinë Saudite bëjnë të ditur se Riadi do të bëjë ç’është e mundur që t’i mundësojë lehtësira Izraelit nëse ky do të vendosë të sulmojë Iranin. Të dyja vendet, edhe pse kanë disa mosmarrëveshje mes tyre, ndajnë të njëjtën armiqësi ndaj Iranit dhe frikën për ambicien e tij bërthamore.
#