Çekët e zhdukur, Praga: Jo viktima të trafikut të organeve
Zhdukja e tre studentëve çekë në Shqipëri në vjeshtën e vitit 2001 është bërë objekt i një përplasjeje midis prokurorisë serbe dhe asaj çeke, të cilat kanë shkëmbyer replika në lidhje me motivin e zhdukjes. Serbia pretendoi në fund të vitit të kaluar se Mihal Pavleka, Jan Pavleka dhe Lenka Tuçkova, të cilët u zhdukën në zonën e Dukagjinit, mund të jenë viktima të trafikut të organeve. Këtë herë nga vendi i tyre i lindjes, çekia, drejtësia vendase konfirmon se tre studentët nuk kanë qenë viktima të trafikut të organeve, siç pretendon prokuroria serbe.
“Kontrolluam të gjitha mundësitë, krahasuam të gjitha informacionet dhe provat që kishim, dhe nuk konfirmojmë se ndonjë prej tre studentëve të ketë qenë pjesë e këtij trafiku”, ka deklaruar kreu i policisë kriminale çeke, Jan Noga. Sipas agjencisë së lajmeve çeke CTK, policia dhe prokuroria vendase nisën hetimet në bashkëpunim me policinë shqiptare dhe kosovare. Agjencia u referohej deklaratave të bëra nga prokurori serb për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviç, i cili në fund të vitit të kaluar deklaroi se tre studentët ishin viktima të shtëpisë famëkeqe të verdhë, në të cilën, Beogradi pretendon se njerëzve u hiqeshin organet dhe më pas shiteshin në tregun e zi. Studentët mbërritën në Shqipëri në vjeshtën e 2001, shumë më vonë, sesa koha për të cilën Serbia akuzon se ka ndodhur rrëmbimi i serbëve të Kosovës, dërgimi i tyre në Shqipëri dhe më pas operacioni për heqjen e organeve. Pavarësisht kësaj, Serbia kërkoi, vitin e kaluar, hetim të çështjes nga Këshilli i Europës. Me kërkesë të policisë çeke, policia shqiptare rihapi çështjen e tre studentëve të zhdukur disa javë më parë, duke vënë në dispozicion 100 mijë euro për çdo informacion që do zbulonte se çfarë kishte ndodhur me tre të rinjtë. Megjithatë, policia shqiptare beson se studentët mund të jenë sulmuar për grabitje.
#