E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pashkët - bota e krishterë kremton ringjalljen e Krishtit

09-04-2012 / Gazeta 55

Në të gjitha trojet shqiptare, u kremtua ringjallja e Jezusit si Shpëtimtar i Botës, si shpresa që i jep kuptim jetës. 

Berisha: “Përulemi para klerikëve, rol vendimtar në Pavarësinë e Shqipërisë”

Besimtarët e krishterë në mbarë botën, kremtuan mbrëmë në mesnatë festën e Pashkëve, simbolin e ringjalljes së Krishtit, pas kryqëzimit të tij. Ndërsa përgatitjet për kremtimin e kësaj feste nisin që në mes të javës, më e rëndësishmja është e Diela e Shenjtë e Pashkës. Pak përpara mesnate filloi Vigjilja e Pashkës, që në shume raste quhet Shërbesa e Mesnatës. Ashtu siç do vit, në Tiranë besimtarët u mblodhën në katedralen e “Shën Palit” para mesnate, për të ndjekur meshën e drejtuar nga imzot Rrok Mirdita. Qindra besimtarë u lutën për paqe, shëndet, dashuri dhe ruajtjen e unitetit të familjes. Gjatë meshës thuhet se Krishti erdhi në tokë për të dhënë modelin e tij për njerëzimin dhe për të dëshmuar se pas vdekjes së trupit, shpirti jeton në atë që njihet si jeta e përtejme, por për ta fituar atë duhet që çdokush të udhëhiqet në jetë nga disa parime biblike dhe virtyte. Ky procesion i besimtarëve katolikë gjatë mesnatës të kujton procesionin pagëzimor prej errësirës dhe vdekjes së kësaj bote në dritën dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë, që kryhej në kishën e vjetër. Ky është procesioni i kalimit të shenjtë prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë që do të vijë. Këtë të dielë, imzot Rrok Mirdita pati një sërë takimesh me krerë të lartë të vendit dhe politikës, të cilët i përcollën urimet për festën e Pashkës. 

Berisha: “Përulemi para klerikëve, rol vendimtar në Pavarësinë e Shqipërisë”/Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha vizituan dje Selinë e Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës në Tiranë, në ditën e kremtimit të Pashkës Katolike. Kryeministri i përcolli të gjithë besimtarëve katolikë shqiptarë urimet e tij më të përzemërta, për këtë ditë të shënuar për ta. Në urimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Erdha t’i shpreh urimet  e mia më të përzemërta dhe të qeverisë shqiptare, Imzot Rrok Mirditës, udhëheqësit të Kishës Katolike të vendit, në këtë ditë të shenjtë, ditë të ringjalljes, të përjetësisë, të shpëtimit dhe shpresës. Pashka është një ditë e madhe për të gjithë ata që i besojnë Zotit, sepse u ngjall Krishti, burri dhe hyjni që me shpirtin e tij u shkri në moralin e njerëzimit. Profeti që meritoi të jetë profet në të gjitha besimet. Por ky është një moment shumë i veçantë, sepse këtë vit Pashkët festohen në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Është në detyrimin e mbarë shqiptarëve të përulen me nderimin më të madh para rolit të jashtëzakonshëm që udhëheqësit e Klerit Katolik, e Klerit Ortodoks, e Klerit Mysliman, kanë luajtur këto 100 vjet në konsolidimin e Pavarësisë së Shqipërisë. Në qofte se shkojmë në vitet ‘12 apo rreth atyre viteve, shqiptarët nuk duhet të çuditen që do të gjejnë në historinë e tyre burra vigan të Klerit Katolik, por edhe të besimeve të tjera, që bënë gjithçka për formimin e shtetit shqiptar, për Shqipërinë  e Pavarur. Përdorën të gjithë fuqitë e tyre, lidhjet e tyre nga Senati dhe Kongresi  amerikan deri ne Vatikan dhe kudo që i kishin, me  qëllim që Shqipëria të bëhej e pavarur. Ironia ishte se jo rrallë, këta burra përballeshin jo më vetëm me ata të cilët e kundërshtonin nga jashtë këtë pavarësi, por edhe me politikanë shqiptarë të zhveshur nga çdo moral shqiptari.  E vërteta është se Kisha Katolike u shndërrua në ato vite, në një flamurtare të vërtetë të çështjes kombëtare dhe të pavarësisë së Shqipërisë, të konsolidimit të pavarësisë së Shqipërisë. Ajo ishte një avokate e madhe  e kësaj çështje, jo vetëm në Selinë e Shenjtë, por në të gjitha lidhjet e saj. Sot në këtë 100 vjetor nuk mund të mos përulesh me nderimin më të madh para sakrificës sublime të dhjetëra e qindra klerikëve katolik, që u flijuan për tu bërë të pavdekshëm, u martirizuan për të mbrojtur vlerta hyjnore dhe njerëzore nga një regjim barbar. Sot është një ditë ku unë dua të shpreh nderimin më të madh ndaj Imzot Rrok Mirditës dhe të të gjithë udhëheqësve të tjerë të komuniteteve fetare, që këto 20 vjet  i rikthyen Shqipërisë dhe shqiptarëve më të çmuarën e shpirtit të tyre, besimin tek Zoti, vlerësimin e besimeve të mëdha. Dhe njëherë gëzuar  për të gjithë shqiptarët që i besojnë Zotit, në këtë ditë të madhe, ditë të shpresës, të përjetësisë, të shpëtimit dhe të ardhmes”, tha Berisha. 

Kryeministri Berisha dhe zonja Liri Berisha vizituan dhe uruan Festen e Pashkëve edhe në Selinë e Bashkësisë Fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” ku u pritën nga Presidenti i VUSH, Pastor Fitim Muça dhe drejtues të tjerë të këtij komuniteti. 

Në mesazhin e urimit të tij ndaj besimtarëve të krishterë kryeministri u shpreh se, “Erdha të uroj Ungjillorët e Shqipërisë,  këtë ditë  unike, ditë të shenjtë, ditën e Ringjalljes së Hyjit dhe burrit, që i dha veten e tij dha çfarë kishte më të çmuar për të shpëtuar njeriun, për të bërë moralin e tij, më të lartë më të qytetëruar. Ungjillorët shqiptarë janë një traditë e hershme, jo masive, por me një rëndësi të veçantë në historinë e kombit, në historinë e vendit, historinë e besimeve. Ungjillorët kanë qenë avoketër të shkëlqyer të shqiptarizmit, të atdhetarizmit, kanë qenë avoketër të shkëlqyer të lirive dhe të të drejtave shqiptare duke bërë të njohur problemet e kombit shqiptarë, në të gjithë Ungjillorët e Botës. Ndaj dhe është një kënaqësi e veçantë  për mua t’i uroj në këtë ditë të shenjtë, në këtë 100 vjetor dhe t’i lutemi se bashku Zotit, që Pashkët e tjera, t’i festojmë edhe më mirë, siç e meritojmë”, vijoi kryeministri.

Ndërkaq, kryebashkiaku Lulzim Basha i shoqëruar nga Ministri i Kulturës Aldo Bumçi uroi shkurt qytetarët, “Të gjithë besimtarëve katolikë gëzuar Pashkët”.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli/Në ditën e kremtimit të Ditës së Ringjalljes së Krishtit, kur besimtarët katolikë në të gjithë vendin festojnë të Dielën e Shenjtë të Pashkëve, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli i uroi dje nga Katedralja “Shën Pali” në kryeqytet, të gjithë besimtarët katolikë dhe gjithë shqiptarët. “

Jam sot këtu për t’i uruar Shkëlqesisë së Tij, Imzot Rok Mirditës, besimtarëve  katolikë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, kudo që jetojnë, gëzuar Pashkët”, tha gjatë urimit të saj kryeparlamentarja Topalli. “Pashka është një premtim dhe Zoti sjell ringjalljen tek secili prej nesh në mënyrën spiritual dhe se sa e rëndësishme është për të menduar dhe për të kontribuar me dashuri, me tolerancë dhe mirëkuptim dhe me besimin se gjërat janë bërë mirë, mund të bëhen më mirë dhe do të bëhen më mirë”, tha Topalli. 

Papa uron në shqip: “Për shumë vjet Pashkët!”/Mijëra persona kanë marrë pjesë në meshën e mesditës të së dielës në sheshin e Shën Pjetrit. Papa Benedikti i 16-të bëri thirrje për paqe, ndërsa uroi Pashkët në 65 gjuhë të botës. Papa bëri thirrje në mesazhin e tij për paqe e harmoni në botë, ndër të cilat edhe në gjuhën shqipe. “Për shumë vjet gëzuar Pashkët!”, u shpreh Papa teksa fliste nga ballkoni i Bazilikës. 

Në festën e Pashkëve Papa Benedikti i 16-të ka tërhequr vërejtjen se njerëzimi po ecën nëpër errësirë, duke mos qenë i aftë ta dallojë të mirën nga e keqja. “Jeta është më e fortë se vdekja. E mira është më e fortë se e keqja. Dashuria është më e fortë se urrejtja. E vërteta është më e fortë se gënjeshtra” u shpreh Papa në Bazilikën e Shën Pjetrit, përpara mijëra besimtarëve. Në mesazhin e tij, “Urbi et Orbi”, Papa u lut ndër të tjera, që “potenca e shpëtimit e ringjalljes së Krishtit, të prekë të gjithë njerëzimin, për të pasur një të ardhme me dashuri e vërtetësi, dhe ku çdo jetë njerëzore, duhet respektuar”.

Benedikti i 16-të mbajti dhe një meshë mëngjesin e së dielës, ku shprehu frikën se njerëzimi është duke dalë gjithmonë e më shumë nga rruga e Zotit. “Zoti bekoftë, familjet, të rinjtë dhe të moshuarit, në veçanti të sëmurët e ata që vuajnë në trup e në shpirt”, tha Papa Benedikti i XVI.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›