E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guxholli: Taksa e sheshtë për të zhvilluar ekonominë

09-04-2012 / Gazeta 55

Këshilltarja e kryeministrit për ekonominë rrëzon propozimin e socialistëve për taksimin progresiv

 Këshilltarja e kryeministrit për Ekonominë, Suzana Guxholli kundërshton programin e socialistëve për ekonominë, të cilët synojnë rikthimin e taksës progresive në vend të taksimit të sheshtë. 

Për Guxhollin propozimi i socialistëve vjen në momentin më të papërshtatshëm, pasi efektet e krizës globale kanë bërë të mundur që vendet e zhvilluara të evropës perëndimore, të rikthejnë taksimit e sheshtë si formulën e vetme për të nxitur ekonominë dhe përballuar efektet e recensionit botëror. 

“Deri më sot PS nuk ka patur një program të prezantuar te elektorati se cili është modeli i saj ekonomik dhe cilat janë reformat që do ndërmarrë. Alternativa për taksën progresive ka dalë në momentin më të papërshtatshëm për të, pasi ekonomitë e vendeve të zhvilluara po shkojnë drejt uljes së taksave dhe kanë dalë nga kriza pikërisht nëpërmjet aplikimit të taksës së sheshtë. Taksa e sheshtë është taksa që nxit biznesin, rrit konkurrueshmërinë, nxit ekonominë vendase, nxit ekonominë e sektorit privat. Në këtë moment, kur ekonomitë po i kthehen modelit të taksës së sheshtë, modelit të taksave të ulëta, PS del në një tryezë dhe u thotë bizneseve që ‘unë do i’u marr kaq lekë juve sepse me këto lekë do mbështes elektoratin tim dhe se kështu dua unë’. Pra, alternativa e PS është tërësisht e papërshtatshme dhe e gabuar për modelin tonë të suksesshëm ekonomik”, u shpreh Guxholli. 

Suzana Guxholli tha më tej se “taksa e sheshtë garanton barazinë e secilit para ligjit”. 

Sipas saj, çdo qytetar paguan në proporcion me atë që sjell në ekonominë shqiptare. 

“Është e padrejtë të thuash se ti për 1 lek do paguash 80 lek më shumë se fiton më shumë se unë. Shteti ka mekanizmat e tij të shpërndarjes së të ardhurave në arsim, shëndetësi, infrastrukturë etj., dhe nga kjo nxitet ajo klasë që është e përkushtuar drejt rritjes së mirëqenies. Por, PS e dekurajon dhe pikërisht kjo klasë që nxit ekonominë dhe krijon vende pune, përmes platformës së PS shkon drejt rrënimit. Ky është modeli i Ramës, të rrënojë ekonominë”, tha më tej këshilltarja e kryeministrit për Ekonominë, Suzana Guxholli. 

Ndërkaq, pak ditë më parë qeveria “Cameron” në Britaninë e Madhe, njoftoi se aplikimi i taksës progresive ishte një gabim si dhe paraqiti në Parlament një plan për uljen e saj. Korporatat reaguar menjëherë, duke premtuar rritjen e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›