E Diel, 1 Nëntor 2026

Pashkët, Jahjaga, Krasniqi e Thaçi urojnë besimtarët katolikë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar kreun e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin dhe të gjithë besimtarët katolikë, me rastin e Festës së Pashkëve.

“Festa e Pashkëve është festë e paqes, e dashurisë dhe e shpresës, ditë e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen, ditë e rikthimit në vlerat më sublime shpirtërore. Në këtë ditë kujtojmë sakrificën e të gjithë atyre që ranë për lirinë e vendit tonë, kujtojmë përpjekjet shekullore për liri, pavarësi e demokraci, për një jetë në paqe dhe në harmoni ndërmjet gjithë njerëzve.

Festa e ringjalljes të na shërbejë në forcimin e besimit në njëri-tjetrin, në vlerat tona humane të solidaritetit, të ndihmës e të përkujdesjes për familjet tona, për të afërmit, për miqtë dhe për të gjithë ata që kanë nevojë.

Kjo ditë e gjen vendin tonë me të arritura të shumta në të gjitha fushat, me përkushtim më të madh, me synimin e qartë që sa më parë të bëhemi pjesë e familjes së madhe të kombeve të lira, të Bashkimit Evropian dhe anëtar i OKB dhe i të gjitha mekanizmave dhe organizatave ndërkombëtare. Në këtë rrugë po ballafaqohemi edhe me sfida, të cilat do t`i tejkalojmë bashkërisht dhe me angazhim të vazhdueshëm të institucioneve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet mes tjerash në urimin e presidentes Jahjaga.

Me rastin e festës së Pashkëve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi uroi të gjithë besimtarët e krishterë në vend.

“Të gjithë qytetarëve të krishterë të Kosovës dhe atyre të diasporës ju uroj: Gëzuar për shumë mot festën e Pashkëve, ditën e simbolit të fitores mbi të keqen dhe Ditën e ringjalljes.

Uroj që në Kosovë të mbretërojë paqja e dashuria dhe mirëkuptimi e toleranca”, thuhet në urimin e kryeparlamentarit Krasniqi.
Me rastin e festës së pashkëve urime Imzot Dodë Gjergjit dhe besimtarëve katolikë të Kosovës u ka dërguar edhe kryeministri Hashim Thaçi.
“Kjo festë e shenjtë është simbol i fuqishëm i Rilindjes së besimit në ideale madhore, i përkushtimit ndaj vlerave shpirtërore, i thellimit të dashurisë ndaj njëri - tjetrit. Ky festim bëhet edhe më i veçantë në vitin kur ne po e përmbyllim suksesshëm pavarësinë e mbikëqyrur, dhe po ecim sigurt drejt perspektivës së ndritur euroatlantike”, thuhet në urimin e Thaçit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›