E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pashkët, mbyllin hasmëritë dy familje shkodrane

13/04/2009  U ndërhy dhe nga autoritetet fetare të zonës. Gjakësit: Trimi fal

SHKODER- Fisi i Mark Vilës nga Rranzat e Bushatit dhe i Prengë Dedës nga Mali i Jushit kanë mbyllur hasmëritë mes tyre falë ndërhyrjes së autoriteteve fetare të zonës dhe të arqipeshkëvisë Shkodër- Pult. Dy familje banuese në fshatra të ndryshme të komunës së Bushatit i kanë dhënë fund hasmërisë mes njëra-tjetrës, të ndikuar jo vetëm nga autoritetet fetare e vendore, por edhe festa e Pashkëve, si një festë e rëndësishme vëllazërimi, paqeje dhe mirëkuptimi.

Pajtimi

Dy familjet Vila dhe Deda tashmë i janë rikthyer jetës normale pas ndërhyrjes së famullitarit të Bushatit Aleksandër Majer, arqipeshkvit metropolit Shkodër –Pult Angelo Massafra si dhe kreut të komunës së Bushatit Zef Hila. Gjatë festimeve të djeshme kryekomunari i Bushatit theksoi se raste të tilla duhet të bëhen një shembull i mirë për mënjanimin e hasmërive dhe mbizotërimin e paqes e harmonisë njerëzore. Hila falënderoi Aleksandrin, arqipeshkvin që pas disa ditësh punë bindëse e domethënëse e argumentuesve bënë të mundur pajtimin e dy familjeve në fshatin Rranxa dhe Mali i Jushit, vetë Hila kishte marrë pjesë personalisht në pajtimin e këtyre familjeve, por vlerësoi rolin vendimtar të famullitarit dhe arqipeshkivit. Famullitari Majer falënderoi edhe dy familjet që iu përgjigjen pozitivisht pajtimit të kërkuar nga famullia, arqipeshkëvia drejtuesit e pushtetit vendor dhe mjaft ndërmjetësve nga komuniteti i Bushatit. Falja është vepra më e madhe që njeriu mund të bëjë. Gjatë ceremonive festive të ditës së djeshme ishte i pranishëm një pjesëtar i familjes Hilë Vila falënderon jo vetëm famullinë, arqipeshkëvinë dhe kreun e komunës së Bushatit, por edhe vetë atë familje që fali familjen e tij. Ai i quajti burra fisnikë dhe trima të atij fisi që fali gjakun, pasi trimi fal.

Pashkët në Fier

Besimtarët, ceremoni

te “Zoja e Papërlyeme”

FIER- Janë festuar pashkët katolike edhe në Fier. Kisha katolike në periferi të Fierit, “Zoja e papërlyeme” dhe Padre Jarosllav ka mbajtur meshën dhe ka uruar besimtarët. Padre Jarosllav tha se kisha dhe rruga fetare fisnikëron njeriun dhe e kthen atë në qenie hyjnore. Në meshën e mbajtur tha se Jezusi me ringjalljen e tij triumfoi mbi vdekjen, mbi të keqen dhe u vetësakrifikua për njerëzit dhe besimtarët. Në lutjet e tyre besimtarët bashkuan zërat për të kërkuar nga Ati qiellor, pasurinë e dhuratës së pashkëve. Gjithashtu në Kishën e Shëngjergjit besimtarët ortodoksë kanë festuar festën e dafinës. Pasi janë zgjuar herët, kanë shkuar në kishë dhe kanë dëgjuar meshën, të veshur si për festë, besimtarët kanë marrë prej kishës një degë dafine që simbolizon mirësinë dhe paqen dhe e kanë çuar atë në shtëpi. Sipas ritit fetar, dafina mbahet deri në vitin e ardhshëm. Qindra besimtarë ortodoksë kanë festuar sot ditën e Shën Dafinës. Qysh në orët e para të mëngjesit besimtarët kanë shkuar në Kishën e Shëngjergjit, për të festuar kështu hyrjen e Jezu Krishtit në Jerusalem. Një javë para kryqëzimit dhe ringjalljes, Jezu Krishti ka hyrë në Jerusalem dhe është pritur me dafina në shenjë paqeje.

A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›