E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bollano? Komunitetit nuk i duhet një njeri konfliktual”

13/04/2009  Genc Ruli flet dhe për krizën

GJIROKASTER- Ministri i Ekonomisë Genc Ruli takohet me banorë të komunave të Picarit, Odries, Antigonesë dhe Dropullit. Në të gjitha këto takime Ruli e ka vënë theksin mbi realizimin e premtimeve nga ana e qeverisë shqiptare si dhe investimet publike, veçanërisht në infrastrukturë. Sipas Rulit, fshati kërkon një trajtim të veçantë, pasi ende në fshat banon 50% e popullsisë. Fshati duhet të ecë më shpejt drejt integrimit, pasi në rrugën drejt Evropës nuk mund të shkojmë me dy standarde: ndryshe qyteti dhe ndryshe fshati. Kjo është arsyeja, sipas tij, që politikat për tendencën e barazimit të pensioneve midis fshatit kanë qenë të theksuara. Zërave për fshehjen e krizës Ruli u është përgjigjur se “ka kaluar vala e parë dhe vala e dytë e krizës dhe s’po ndiejmë krizë”. “Jo se ne nuk na zë gripi, por dinamika e investimeve, gjallërimi i biznesit janë dy faktorët që na kanë mbajtur larg nga kjo krizë.” Në çdo krizë, sipas Rulit, çelësi është ulja e taksave, hapja e vendeve të punës në sektorin publik. “Kriza krijon papunësi, mbyllje biznesesh dhe falimentime bankash, ndërkohë që ne bankat i kemi të shëndosha”, - ka theksuar Ruli.

Në fshatin Asim Zeneli të komunës së Antigonesë Ruli është pyetur edhe për qëndrimet antishqiptare të kryetarit të bashkisë së Himarës Vasil Bollano si dhe për reagimin e qeverisë ndaj tij. Ruli ka siguruar se nga pala shqiptare, duke filluar nga Parlamenti, me të majtë e të djathtë, janë të hapur me Greqinë dhe minoritetin grek në Shqipëri. Është kjo urtësi e qeverive shqiptare që u reflektua edhe me ratifikimin që Parlamenti grek dha për hyrjen e Shqipërisë në NATO. “Bollano ende nuk e ka kuptuar se Shqipëria nuk matet me çfarë tabelash ka dhe çfarë gjuhe është në to. Ky njeri nuk vendos as simbolin shqiptar në shiritin e kryetarit, që simbolizon flamurin shqiptar, kur pret personalitete. Ai nuk ngrihet dot kundër shqiptarëve”, - ka vijuar Ruli, - por gjithçka është refleks i luftës së brendshme të Omonias, ku Bollano kërkon të tregohet më katolik se Papa. Himarën nuk e zhbën dot Bollano. Shumë shpejt komuniteti i banorëve do të kuptojë se nuk i duhet një drejtues konfliktual, por një njeri që shkon në harmoni me komunitetet pranë, si Saranda apo Vlora.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›