E Diel, 1 Nëntor 2026

Pashkët sjellin në atdhe gjatë 14 orëve të fundit 7 mijë emigrantë shqiptarë

KAKAVIJE- Mbi 7 mijë emigrantë shqiptarë, që jetojnë në Greqi, kanë hyrë sot gjatë 14 orëve të fundit nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijes, për të festuar Pashkët ortodokse. 

Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit bëri të ditur, se krahas forcimit të masave të sigurisë kufitare, numri i sporteleve në hyrje është rritur nga 3 në 7. 

"Gjatë 14 orëve të fundit kanë hyrë mbi 7 mijë shtetas shqiptarë, si dhe 1500 automjete”, thanë burimet e larpërmendura.
Gjatë 48 orëve të fundit, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijes kanë hyrë mbi 13 mijë emigrantë, 5 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 

Në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës, në kufirin Shqipëri-Greqi, funksionojnë me kohë të plotë dy pika vendkalime kufitare, ajo e Kakavijës, që ndodhet rreth 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në drejtim të jugut dhe "Tre Urat", që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit, në drejtim të perëndimit. Ndërsa pika kufitare e Sopikut, që ndodhet rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët. 
(ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›