E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasione, dashuri, tradhti dhe xhelozi më 14 shkurt

Manon
Lescaut, premiera e parë e sezonit në TKOB

Tiranë, 7 Shkurt NOA, Milena Selimi - Manon
Lescaut është opera me katër akte, që vjen premierë në skenën e Teatrit të
Operës dhe Baletit, që sjell për spektatorin shqiptar një ndër veprat më të
mira të Xhakomo Puccinit.

Muzika e Puçinit  do të risjellë më 14 shkurt trazimet e
dashurisë, xhelozisë, tradhtisë, derisa akti i fundit vendos një qetësi farsë
mes dy dashnorëve.

Ata duan të largohen diku ku njerëzit nuk
ndahen në të pasur e të varfër, ku të shijojnë qetësisht dashurinë e tyre.

Por i pret një fund i trishtë që e çon Manonin
drejt vdekjes, kurse De Grijë kthehet në Francë dhe fillon një jetë tjetër, atë
të klerikut.

Manoni, një vajzë e re nga një familje e
pasur, që josh burra me bukurinë e saj, i fal ndjenja të pastra studentit de
Grijë të cilin e takon për herë të parë në një mjedis pijanecësh, qejflinjsh
dhe hedonistësh.

Manon tërhiqet pas kësaj jete. Është vetëm një
vajzë e re në kërkim të kënaqësive, gjë që nuk mund t'ia ofrojë bankieri Zheron
dë Ravjor, mik i mbretit, që i siguron luksin dhe të mirat e jetës.

Në katër netët e shfaqjes do të interpretojnë
sopranot: Etleva Golemi, Irini Nikolla dhe Shpresa Beka. Në krah të Manonit
është djaloshi i dashuruar (de Grijë), në rol tenori italian Lorenzo Decaro.
Bankieri interpretohet nga Sidrit Bejleri, dhe vëllai i Manonit, Leskoja nga
Armando Likaj.

Interpretues të tjerë janë: Erlind Zeraliu,
Denis Skuro, Jani Çekixhi, Manjola Konjari, Sofika Kola, Klodiana Laze, Genc
Vozga, Roel Llupo, Bledi Hoxha, Sokol Tomorri.

Skenografia nga Genc Shkodrani, kostumet
priten të vijnë edhe nga Italia. Regjisor i shfaqje është Nikolin Gurakuqi.

Mjeshtër koncertues dhe dirigjent orkestre
është Gianluca Martinenghi, i pranishëm në disa premiera të Teatrit të Operës.
Mjeshtër kori Suzana Turku Kashara, dirigjent kori Dritan Lumshi, dirigjent
Edmond Doko.

Manon Lescaut shfaqet më 14, 16, 18 dhe 19
shkurt. Vepra e kompozitorit italian Xhakomo Puçini, Manon Lescaut (1731),
është bazuar në novelën e Abatit Prévost, Historia e kavalierit de Grijë dhe
Manon Lesko.

Për herë të parë kjo vepër është shfaqur në
Teatro Regio të Turinës, më 1893.

m.s/r.b/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›