E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasioni i Flamenkos, sot në Teatrin Kombëtar

TIRANË- Balerina spanjolle, Belen Lopez do të performojë mbrëmjen e sotme në skenën e Teatrit Kombëtar në një shfaqje flamenko, në kuadër të Ditës Kombëtare të Spanjës.
Gjatë provave intensive pak orë para fillimit të shfaqjes, Lopez shprehet për mediat se koncerti i sotëm do të jetë kërcim i flamenkos së pastër, por në disa momente do të ketë ndërthurrje me muzikën jazz. “Do të ketë një ndërthurrje të ndjenjës së dhimbjes me gëzimin, një ndërthurrje mes ritmeve”, tha Lopez.
Në lidhje me flamenkon Lopez tha se është një kërcim i vështirë dhe që mbi të gjitha kërkon të interpretohet me zemër sepse në të kundërt kuptohet lehtësisht që nuk është i vërtetë.
“Shpresoj që sot të gjithë të kërcejnë, por edhe nëse qajnë është një gjë e mirë sepse ajo që ka rëndësi është që të thyejmë murin e katërt, atë që ndodhet mes skenës dhe publikut”, tha Belen Lopez.
Në shfaqjen e vallëzimit “Kohë” Belen Lopez do të shoqërohet nga Saul Quiros dhe Pedro Jimenez “Perrete” (këngëtare), Rafael Jimenez “El Chispas” (perkusion), Carlos Jimenez (kitare), Thomas Potiron (violinë) dhe Marina Sorin (violinçel). Shfaqja e sotme do të sjell një kombinim të flamenkos me tangon. “Kohë” është më shumë se një shfaqje, është një mënyrë e të ndjerit të flamenkos, të muzikës.
25 vjeçarja Lopez ka filluar të kërcejë në publik që në moshën 5 vjeçare dhe që atëherë ajo është kthyer në një artiste të famshme në botën e flamenkos duke dhënë shfaqje në teatrot më të mirë të Spanjës dhe jashtë saj.
Aftësitë e saj teknike dhe pasioni i madh për muzikën kanë bërë të mundur që ajo të punojë me artistët më të mirë të flamenkos, si dhe të nderohet me Çmimin Kombëtar të Flamenkos që në moshën 17 vjeçare. Ka vite që Belen Lopez drejton kompaninë e saj dhe sot është një nga talentet më të rëndësishme të kërcimit të flamenkos.
“Kohë” çelë sot “Vjeshtën Kulturore Spanjolle 2011” në Shqipëri, aktivitetet e së cilës do të vazhdojnë ditën e premte me ekspozitën “150 vjet fotografi në Spanjë”, që do të çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›