E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pus uji për Spitalin e Kukësit, donacion nga Gjysmëhëna e Kuqe e Emirateve të Bashkuara

Shoqata Gjysmëhëna e Kuqe nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka mundësuar një pus uji për Spitalin Rajonal të Kukësit, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare problemit të furnizimit me ujë, i cili deri më tani ishte me orar të kufizuar.

Drejtori i shoqatës, Behar Beko, tha se ky donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka për qëllim përmirësimin e kushteve në spital.

“Spitali i qytetit të Kukësit prej kohësh ka vuajtur nga mungesa e ujit,” tha z. Beko, ndërsa shtoi se punimet për ndërtimin e pusit zgjatën rreth dy javë.

Ndërkohë, drejtori i spitalit, Sajmir Shehu, falënderoi shoqatën dhe e cilësoi këtë investim si një vepër tejet të domosdoshme për institucionin shëndetësor.

“Në emër të Spitalit Rajonal Kukës dhe në emër të banorëve të qarkut Kukës, të cilët marrin shërbim pranë Spitalit Rajonal Kukës, falënderojmë Emiratet e Bashkuara, shoqatën ‘Gjysmëhëna e Kuqe’, z. Behar Bejko, i cili është kryetar i shoqatës dhe ka bërë maksimumin që kjo vepër të realizohet. Është shumë e rëndësishme për spitalin dhe për shërbimin që ofrohet në spital,” deklaroi z. Shehu.

Edhe mjeku Emin Ferati theksoi rëndësinë e ujit në çdo sallë dhe shërbim spitalor, duke e konsideruar këtë si një zgjidhje përfundimtare

“E vlerësojmë shumë dhe jemi shumë falënderues për shkak se Spitali i Kukësit ka pasur ujë të reduktuar. Ne kishim vështirësi të mëdha, sidomos në sallën e operacionit, ku uji duhet të jetë i rrjedhshëm,” u shpreh Dr. Ferati.

Spitali Rajonal i Kukësit ofron shërbime mjekësore për pacientë nga Kukësi, Hasi dhe Tropoja.

Gazetar: Dashmir Shehu

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›