E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasioni përballë kontratës së pesë mijë vafteve

Vajza e luleshitesit Nando 1954

Elsa Demo

Ekspozita personale e Ibrahim Kodrës më 13 Prill-Maj në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, mban titullin e një tabloje mjaft të njohur të artistit, realizuar në vitin 1997. Ajo ekspozohet me 60 vepra origjinale që prezantojnë krijimtarinë e Kodrës në vitet 1940-2006.

Rubens Shima, drejtor i GKA-së është marrë me zgjedhjen e punëve sa në Milano në Tiranë, dhe me ndërtimin e një katalogu, e të dyja këto kanë për qëllim të tregojnë personazhin kompleks, me inteligjencë artistike që sipas Shimës bëri atë që quhet mrekullia e pajtimit të imazheve që vinin ende nga Parisi me refleksionet e një vendi të harruar siç ishte Shqipëria. Dhe ndërtoi atë vepër që është bërë pjesë e rëndësishme e artit italian në vitet 1950-70. Ishte atmosfera mitike e Akademisë së Arteve të Bukura të Brerës që frymëzon këtë artist, thotë Shima. Arti i Kodrës është refleksion i kulturës perëndimore me një lidhje të ngushtë me origjinën e artistit. Në Shqipëri për të është shkruar shumë e përlum. Mediat, ndoshta me qëllimin e mirë për ti shkëputur fjalë tek-tuk në shqip një artisti i cili prej 50 vitesh nuk e fliste më këtë gjuhë, kanë krijuar imazhin e një personazhi arkaik, e një artisti që nuk dinte të komunikonte.

Ekspozita që hapet më 13 prill realizohet në bashkëpunim me Fondacionin Ibrahim Kodra në Milano. Por kanë kontribuar mjaft koleksionistët në Shqipëri. Kuratorit të ekspozitës Shqipëria fantastike i rezulton që këta koleksionistë kanë blerë vepra me vlerë prej Kodrës, kryesisht të periudhës së hershme, të viteve 50. Nga ky fond i privatëve ekspozohen 25 tablo.

Çfarë ka mbetur në Milano? Çfarë del nga intervistat që Shima ka bërë atje?

Ai pa në që Fondacionin Ibrahim Kodra ruhet një bërthamë e vogël punësh për të cilat nuk mund të thuhet nëse janë rastësore, të mbetura në studio, apo më të pëlqyerat e artistit. Nga një këndvështrim personal, Shima i quan vepra domethënëse. Disa nga ato, rreth 20, ndoshta kanë qenë më të përzemërtat, kanë jetuar bashkë me Kodrën në studio. Duken që janë vepra të zgjedhura me kujdes, të viteve 1950-60. Portreti i vajzës së luleshitësit Nando, e vitit 1954, që ekspozohet në Tiranë, është nga pikturat që kanë mbetur në studio. Me interes për ekspozitën personale në GKA janë parë vepra të periudhës informale e të pikturës totemike, të një stili postkubist. Me vepra të kësaj fryme Kodra njihet veçanërisht prej publikut shqiptar sepse përdorimi i temave dhe simboleve të vendit të tij të origjinës është i dukshëm.

Në materiali dokumentar i Kodrës që drejtori i GKA-së ka shqyrtuar në Milano gjen  dëshmi për vështirësitë e skajshme të një artisti të huaj në Italinë e pasluftës. Shima i referohet kontratës së 5000 mijë vafteve. Piktori, pas një diskutimi me mjeshtëri orientale arriti të mbyllte një kontratë me një restorant në Milano ku pikturoi disa afreske. E kështu përfitoi garancinë për të mbijetuar. Kontrata për ushqim, për 14 vjet, 3 muaj e 20 ditë, për dy vafte në ditë u respektua deri në fund.

Jeta e mëvonshme e Kodrës në Milano nuk ndryshoi shumë. Për 30 vjet jetoi në katin e shtatë të një apartamenti në Piazzale Lagost 2. Maestro Kodra, siç e quanin përreth, ndiqte rregullin e jetës boheme, sikur i ri kur kishte shkelur për herë të parë në Milano, për të studiuar në Akademinë Liberale të Arteve në Brera. Ngrihej në mëngjes, në orët e vona, e pasi bënte gjimnastikën e përditshme, lexonte korrespodencën e ditës. Drekonte në Piazza Segrino apo Monte Vechia, kthehej në studio, dhe pasi iu bënte disa telefonata miqve, pikturonte kur i vinte apo ndihmonte piktorë të rinj që i vinin për tu konsultuar.

Ka pasur dikur një periudhë të begatë në treg piktura e Kodrës. Ndërsa në vitet dymijë, siç dëshmonin sekretarët e tij që e shoqëronin në ekspozitën e vitit 2003 në GKA në Tiranë, një tablo e hershme e maestros shitej rreth 7 mijë euro. Ai krijonte dhe shiste. Po këta thoshin se fondi i krijimtarisë së tij mund të jetë rreth 6 mijë vepra, që janë shpërndarë në Zvicër, Londër, Japoni, Francë etj..

Në albumin që GKA realizon me rastin e ekspozitës Shqipëria fantastike e cila bëhet në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, jepet një vështrim antologjik i krijimtarisë së Ibrahim Kodrës, nga periudha e parë e ndërrimit të padronëve, bursa e fituar nga Mbretëria e Zogut, dhe më pas nga regjimi fashist deri me 1943, te përballja me vështirësive ekstreme, periudhat e eksperimentimit dhe ndikimit nga artistë botërorë si Picasso. Periudha e mirë për Kodrën, siç del edhe nga bisedat që Shima ka pasur së fundi me galeristë në Milano, ishte ajo kohë kur galeristët besonin shumë te Kodra, e madje, siç thotë shprehja, venin baste për këtë kalë.

Shima i del para dyshimeve për origjinalitetin e veprave në këtë ekspozitë. Sepse në ekspozitën e vitit 2003 që u hap në prani në artistit, një pjesë e punëve ishin riprodhime. Kodra përgjatë jetës ka pasur shumë kontrata riprodhimi, thotë Shima, galeritë i kanë prodhuar  litografi, printime në kanavacë, kartolina etj.. Imazhet e tij janë bërë mjaft popullore në Milano. Por kësaj radhe kemi eliminuar çdo lloj prodhimi industrial. Gjithë veprat në këtë ekspozitë janë origjinale. Po sjellim një ekspozitë për ta njohur këtë personalitet mundësisht të plotë. E kemi njohur si një figurë arkaike.

Ekspozita hapet me një pikturë të hershme të vitit 1938 dhe mbyllet me pikturën e fundit e lënë përgjysmë më 2006. Kodra ndërroi jetë më 7 shkurt të atij viti.

Tablotë janë në teknikën miks në vaj, kanavacë ose karton i veshur në kanavacë, që, siç thotë kuratori i ekspozitës, ka qenë një zakon të pikturuari i Kodrës, po edhe në teknikën e vajit e përzier me një pluhur të imët tallash druri që ka qenë një ndër teknikat të sajuara nga vetë ai. Pjesa tjetër janë vizatime dhe dy skulptura. Subjekti shumë i pranishëm është idhulli që Kodra e propozon në formën e një totemi. Ky idhull u ngjiz në kohën e lëvizjeve studentore në Evropë në vitet 1960-70.

 Autobiografi

Jeta ime mund të jetë një nga romanet më të mëdhenj që ekzistojnë mbi tokë. Nuk është vetëm konkluzioni im; kështu kanë shkruar shumë gazetarë dhe kritikë të artit. Natyrisht nuk qe e lehtë. Kam lindur më 22 Prill 1918 në Ishëm. Nëna ime më la kur isha vetëm 3 vjeç gjatë lindjes së vëllait tim Qamil. I dëshpëruar kërkoja mamanë nëpër shtëpi e të gjithë më thoshin: po fle, është e lodhur. Babai për të më rritur u detyrua të rimartohej. Në fillim njerka sillej mirë, por me lindjen e djalit të saj nuk kujdesej më për mua. Shpeshherë kur dilja për të luajtur fëmijët e tjerë më rrihnin dhe më trajtonin keq.

Isha jetim, pa nënë dhe e ndjeja veten të pambrojtur. Një i njohuri i familjes më thotë: hajde me mua në Mamurras, është një ndërmarrje italiane që quhet Inas e mund të të marrë në punë. Isha vetëm 7 vjeç e megjithatë vendosa të shkoj. Atje u njoha me një familje hungareze që më merrte në shtëpi për të luajtur me vajzat e tyre. Isha me fat që i takova mbasi ndihesha si në shtëpinë time. Ishin njerëz shumë të mirë dhe më inkurajonin në pasionin tim për pikturën e sportin. Mbas disa muajsh një i njohur tjetër më ftoi për të shkuar në Patok ku ishte një firmë tjetër italiane që blinte dru pylli në Mamurras dhe i dërgonte për përpunim në Itali e në Gjermani. Ai ishte pronari i një bari tek firma ku unë u shpërndaja kafe klientëve.

Atje u njoha me një punonjës që vinte shpesh herë në bar. Ishte me origjinë boshnjake (emrin e tij Selim Cukaj e kujtoj akoma shumë mirë).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›